Besimtarët ortodoksë dhe katolikë, kudo në botë, festojnë sot më 6 janar në ditën e Ujit të Bekuar, që njihet si dita e bekimit të Zotit.
Theofania, ose Epifania, apo Uji i Bekuar, siç quhet ndër shqiptarë, na kujton shfaqjen e trinitetit të Perëndisë: Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë.
Kjo e kremte shënon edhe fillimin e misionit publik të Jezu Krishtit mes njerëzve, tashmë jo si zdrukthëtar, por si mësues me pushtet për të hapur dyert e Mbretërisë së Perëndisë.
Sot ne gjithashtu kujtojmë Pagëzimin e tij në lumin Jordan nga Joan Pararendësi. Kur turmat e njerëzve shkonin tek Joani për tu pagëzuar, ai u predikonte mesazhin e Pendimit dhe pagëzimin për ndjesën e mëkateve.
Meqenëse Jezu Krishti ishte pa mëkat, ai nuk kishte nevojë të pagëzohej. Megjithatë Krishti pranoi të pagëzohej për të treguar se ai e miratonte pagëzimin, si një përgatitje për në Mbretërinë e Perëndisë. Ai donte që njerëzit të kuptonin se pagëzimi ishte një portë, nëpërmjet së cilës, gjithsecili hyn në Mbretërinë e Qiejve.
Sot të gjithë besimtarët e pagëzuar duhet të mendojnë për pagëzimin dhe kuptimin që ka ky mister në jetën e gjithsecilit.
Pagëzimi ishte një vendim dhe një veprim që na futi në trupin e Krishtit, i cili është Kisha. Prandaj edhe dita e pagëzimit të Krishtit quhet “dita e dritave, sepse në kohët e hershne pikërisht në këtë ditë pagëzoheshin me mijëra të krishterë.
Kjo ditë rifilloi të kremtohej në Shqipëri vetëm pas viteve ’90-të. Për shumë vite gjatë sistemit komunist ajo konsiderohej një festë e ndaluar.