Agron Dine ka bërë këtë pikturë që i kushtohet Vlorës, duke e pasqyruar me dashuri bukurinë e brigjeve të saj. Një nga veprat më të spikatura është peizazhi i Dhërmiut të vjetër, i cili e tregon këtë vend ashtu siç e mban mend artisti.
Peizazhi është pikturuar në vitin 2019 dhe piktori në këtë rast, nuk fokusohet tek deti dhe shkëmbinjtë etij, por tek një rrugicë e vjetër me kalldrem. Ai impresionohet nga elementët autoktonë të mjedisit dhe i përcjell në telajo. Në këtë peizazh autori sjell sjell natyrën dhe poetikën e fshatit piktoresk.
Agron Qani Dine lindi më 6 shtator 1948 në Tiranë. Studimet e tij artistike i nisi në vitin 1963 në Liceun Artistik të Tiranës, të cilat i përfundoi në vitin 1967. Nga viti 1968 deri në vitin 1973, ai vazhdoi studimet e larta në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ku u diplomua dhe filloi punën si asistent pedagog.
Në vitin 1974, Dine mori pjesë në të gjitha ekspozitat kombëtare dhe lokale të artit figurativ, duke shfaqur një angazhim të vazhdueshëm për artin shqiptar. Po atë vit, ai u nderua me çmimin e tretë në konkursin kombëtar të pikturës me veprën “Vitet e Parëra”. Dy vite më vonë, në 1976, fitoi çmimin e dytë me pikturën “Ndërruan kohët”. Në vitin 1981, ai rrëmbeu çmimin e parë në konkursin kombëtar të pikturës për veprën “Qerrtallarët e vegjël”.
Në vitin 2001, Dine hapi galerinë e tij private “ART-GALERI-DINE,” duke ofruar një hapësirë për të promovuar artin dhe për të prezantuar veprat e tij dhe të artistëve të tjerë.
Që prej vitit 1981, ai ka përfaqësuar Shqipërinë në disa ekspozita ndërkombëtare në vende si Algjer, Stamboll, Beograd, Prishtinë, Berlin, Athinë, Prizren, Maqedoni, Vjenë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në vitin 2008, Dine u nderua me titullin “Mirënjohja e qytetit të Vlorës,” si një shenjë vlerësimi për kontributin e tij artistik në këtë qytet. Në vitin 2011, ai u bë anëtar i Akademisë Europiane të Artit, ndërsa në vitin 2012 iu akordua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë titulli prestigjioz “Mjeshtër i Madh.”
Sot, Agron Qani Dine jeton në Vlorë dhe vazhdon të krijojë si artist i lirë, duke kontribuar në mënyrë aktive në kulturën dhe artin shqiptar.