Sot bëhet një vit nga ndarja nga jeta e Mjeshtrit të Madh, Zef Deda.
Familjarë, miq, të afërm dhe kolegët artistë kujtojnë me dhimbje aktorin e humorit shqiptar, Zef Deda.
Në këtë një vjetor, në teatrin “Migjeni” u zhvilluan sot homazhe në nder të figurës së Zef Dedës.
Kolosi i humorit shqiptar u nda nga jeta një vit më parë, duke lënë pas një dhimbje të madhe për familjen, miqtë dhe artin mbarë shqiptar.
Djali i tij, aktori Julian Deda u shpreh se Zef Deda është një mungesë e madhe për atë dhe familjen e artistit.
"Të dashur kolegë të babës, miq dhe familjarë ju falënderoj nga zemra që jeni sot këtu. Thotë një shprehje latine që njerëzit vdesin kur harrohen, pra nuk vdesin kur ikin nga kjo botë. Për sa kohë të ketë njerëz që kujtojnë, ai nuk vdes kurrë. Kështu që ai e meriton të kujtohet përjetë, të paktën sa të ketë jetë , ne pastaj më mbrapa punë tjetër. Kishte qejf të ndihmonte njerëzit.
Mua personalisht më mungon ajo telefonata jo vetëm e përditshme, por edhe e përjavshme, pasi mbaroja atë punën teme, atë spektaklin tem, më mungon ajo telefonata. I mungon mamës teme. Ajo do me dal por nuk ka me kë të dalë. Na mungon të gjithëve”, tha Julian Deda në fjalën e tij për homazhet e të atit.
Disa prej miqve, po ashtu emra të mëdhenj të humorit dhe artit shqiptar shprehen se Zef Deda ishte unik si aktor por edhe si njeri.
Zef Deda, aktori i humorit i qindra roleve lindi më 27 korrik 1950 ndërsa u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare më 24 nëntor 2023. Zef Deda do të mbetet në memorien e çdo zemre shqiptare si një kolos i humorit që përmbi 50 vite shënjoi emrin e tij në panteonin e artit e kulturës tonë kombëtare.