Nga Lasgush Poradeci, te Migjeni, nga Dritëro Agolli te Teodor Keko e Timo Flloko, Skënder Rusi ishin disa prej poetëve, vargjet e të cilëve ishin përzgjedhur, përshtatur e muzikuar, për Festa e Këngës Shqiptare. Mbrëmja ishte gjithashtu një homazh për shkrimtarin e madh Ismail Kadare.
E para është Fjala... Kjo ishte motoja e edicionit të pestë të festivalit “Festa e Këngës Shqiptare”, ideuar dhe organizuar nga kantautori Gjergj Leka.
Një edicion i dedikuar jo vetëm muzikës së lehtë shqiptare, por edhe një nderim për penat më të shquara të poezisë shqipe.
Nga Lasgush Poradeci, te Migjeni, nga Dritëro Agolli te Teodor Keko e Timo Flloko, Skënder Rusi ishin disa prej poetëve, vargjet e të cilëve ishin përzgjedhur, përshtatur e muzikuar, për këtë festival.
Leka kishte zgjedhur që ta çelte natën finale të edicionit të pestë me vargje të recituara nga poeti, bardi dhe i pagëzuari si “princi i polifonisë shqiptare”, Lefter Cipa.
Edhe këtë vit nuk mungoi prania e disa prej emrave të mëdhenj të këngës së lehtë, që kanë shoqëruar breza dhe kanë fituar çmime të para në festivalet e këngës në Radio Televizionin Shqiptar si Alida Hisku, Kozma Dushi, Elida Shehu, Rajmonda Kamberi e Arta Babaramo, por surpriza ishin të rinjtë.
Këngëtarë që e kanë nisur formimin në shkolla muzike dhe lice, disa prej tyre edhe instrumentistë të talentuar në kitarë, piano apo edhe flaut përjetësuan me vokalet e tyre disa prej poezive më të bukura shqip të shekullit XX, ndërsa disa prej tyre u nderuan edhe me çmime inkurajuese si “Çmimi i Publikut”, fituar nga Rezarta Caco, “Çmimi i Kritikës”, akorduar Dea Amonikut, “Çmimi i Produksionit” për këngëtarin dhe instrumentistin David Kerri, Çmimi i Radio Rush- Interpretimi më i mirë”, për Kejtlin Gjata dhe “Çmimi i News 24 -Kënga Hit” për Hersilia Koçeku.
Poezia e njohur e Dritëro Agollit “Majtas Dreqër, djathtas djaj” erdhi nën zërin e këngëtares së re Delina Murati, me muzikë të kompozitorit italian Stefano Bossi, po ashtu Dea Amoniku këndoi vargjet e Lasgush Poradecit, “Mall”, muzikuar nga Amir Karalic. Belkisa Shehi, solli një version muzikor të poezisë së Skënder Rusit “Nuk e mbaj mend”, ndërsa Hersilia Koçeku të famshmen poezi të Timo Fllokos “Miqtë”. I riu David Kerri, i cili gjithashtu interpretoi në flaut solli një këngë me vargjet e poetit rus Fjodor Tutçev, shqipëruar mjeshtërisht nga Petraq Kolevica. Po ashtu këngë që u duartrokitën ngrohtë nga publiku ishin ato të interpretuar nga Kejtlin Gjata e Rezarta Caco. Kantautori dhe producenti prej pesë vitesh i festivalit “Festa e Këngës Shqiptare” dhe i emisionit “Na ishte njëherë muzika” i ka kushtuar gjithnjë vëmendje të veçantë lirikave të këngëve, ndërsa ngulmon fuqimisht të ruajë vlerat e vërteta të vargjeve dhe muzikës shqipe edhe si kundërpërgjigje e rrymave që e vulgarizojnë sot muzikën dhe teksteve banale.
Mbrëmja ishte gjithashtu një homazh për shkrimtarin e madh Ismail Kadare. Veç këngës konkurruese në festival “Ti dhe Hëna”, kënduar nga Era Hasanaj, me vargjet e Ismail Kadaresë, kantautori solli një prej hiteve të tij, me një prej poezive më të bukura të shkrimtarit të madh, i cili u nda nga jeta pak muaj më parë.
Këngë të cilën Leka e solli në një duet surprizues me gazetaren Anila Jole, kryeredaktore prej 16 vitesh në News 24. E rritur në një familje artistësh, piktorë e muzikantë, gazetarja u ngjit në skenë për herë të parë si këngëtare me këngën “Në parkun që mbuluan fletët”, shoqëruar në piano nga kantautori Leka, i cili është i njohur për muzikimin e disa prej vargjeve më romantike të poetëve të njohur shqiptarë. Një performancë që u prit me duartrokitje nga publiku.
Një tjetër surprizë ishte edhe pjesëmarrja e Sara Payman, një fenomen i Instagramit, e cila është bërë virale me këngët që shkruan dhe kompozon vetë në gjuhën shqipe. Me prejardhje nga India dhe Irani, e lindur dhe e rritur në Britaninë e Madhe, Payman prej një viti jeton në Shqipëri. Ajo solli një këngë, të cilën e kishte kompozuar vetë me vargjet e Migjenit, titulluar “Pranvera erdhi”.
Publiku u emocionua edhe me vokalin e spikatur të Anjeza Shehu Agolli, profesoresha e kantos që përgatit brezat e rinj, e cila këndoi këngën “Puthje për nënën”, me vargjet e Teodor Kekos.
Po ashtu, mbrëmja pati një dedikim dhe homazh edhe për kompozitorin Aleksandër Lalo, i ndarë nga jeta më 2017 me këngën e shkruar prej tij “Grurë dhe Këngë”, fituese e Çmimit të Dytë në Festivalin e Këngës në RTSh, më 1978-n.
E nisur me fjalën poetike, nata finale u mbyll po ashtu me poezi. Aktori Ervin Bejleri recitoi për publikun në amfiteatrin e “Flumen Park” në Ibë “Do të jemi Popull” nga Mahmoud Darwish.
Edhe këtë vit, festivali pati mbështetjen e Neës 24, Radio “Neës 24”, “Flumen Park”, “Bio Produkte Merja”, Bashkisë Tiranë.