Arte

NEKROLOGJI- Lamtumirë Ali Oseku!

Shkruar nga Reldar Dedaj

NEKROLOGJI- Lamtumirë Ali Oseku!

 

Piktori i njohur Ali Oseku u nda nga jeta në moshën 80-vjeçare pas betejes me një sëmundje të rëndë. Oseku ishte një ndër artistët më emblematik të artit shqiptar në pesëdhjetë vitet e fundit.

Me të përfunduar studimet në Institutin e Lartë të Arteve, Ali Oseku u shndërrua në një prej figurave më tërheqëse në skenën e artit shqiptar të fillimviteve ’70, duke sjellë një frymë krejt të re për kohën përmes veprës së tij. Ai, ishte pjesë e atyre piktorëve të rinj, të cilët eksperimentonin një art “ndryshe” nga arti i realizmit socialist.

Kjo shkëndijë nuk zgjati shumë dhe u ndërpre nga ana e pushtetit komunist të kohës, duke bërë që disa nga protagonistët të burgoseshin. Në mesin e atyre që u burgosën për disa vjet, ishte edhe piktori Ali Oseku. Ai e kishte paramenduar se diçka e zezë do ndodhte në jetën e tij dhe pikërisht ashtu siç edhe e kishte menduar, pak para se ta arrestonin, dogji të gjitha tablotë e realizuara deri në atë kohë, përveç dy veprave që mundën të shpëtojnë dhe që sot ndodhen në studion e tij: “Portret burri” dhe “Portreti i nënës”.

Oseku, një nxënës i piktorit të madh Guri Madhi, është një “aliazh artistik 14-karatësh”, ku shkrihen bashkë në një harmoni hyjnore Picasso, Chagall, Jackson Pollock dhe Salvador Dali, idhujt e tij të dikurshëm, dhe për ndjekjen e stilit të tyre u burgos për katër vjet në periudhën e diktaturës (1975 – 1979), në burgun famëkeq të Spaçit.

Bashkëkohës i disa prej emrave më të shquar të artit shqiptar, Oseku në vitet 1959 – 1963 ndoqi liceun artistik “Jordan Misja”. Në vitin 1969, Ali Oseku u diplomua për pikturë në “Akademinë e Arteve të Bukura”, Tiranë. Nga viti 1970 deri në vitin 1973 bëhet skenograf i “Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit”.

Oseku ishte një nga artistët e dënuar me burg në vitin 1975, pasi ishte dërguar për riedukim më 1973. U dënua sepse vepra e tij u cilësua moderne. Pas daljes nga burgu (1979), punoi si punëtor krahu deri në vitin ’91, kur iu kthye krijimtarisë duke qenë kurator në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe më pas pedagog e shef katedre në Akademinë e Arteve të Bukura.

Gjatë tri dekadave të fundit, Ali Oseku ka marrë pjesë në dhjetëra ekspozita personale dhe kolektive, brenda dhe jashtë vendit./ Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH