Zana Rruplli, një piktore e re dhe e talentuar nga Librazhdi, ka ndërtuar një rrugëtim të veçantë në botën e artit, duke e kthyer pasionin e saj për pikturën me një profesion të suksesshëm. Ajo ka krijuar një lidhje të thellë me artin e pikturës që ka nisur që në moshë të re.
Në intervistën e zhvilluar për Liberale.al, piktorja shprehet se, megjithëse ka pasur shumë sfida gjatë rrugëtimit të saj artistik për pikturën, puna e palodhur dhe pasioni e kanë shtyrë përpara dhe i kanë dhënë forcën e duhur për të arritur sukses.
Zana Rrupllit thotë se, "të jesh artist nuk është asnjëherë e lehtë, por është pasioni që të shtyn të kalosh çdo sfidë dhe të arrish sukses."
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i punës së Zanës janë pikturat që ajo ka krijuar për disa personazhe të njohur të botës së medias, ekranit dhe showbizit, duke përfshirë figura të njohura ai Alketa Vejsiu, Blendi Fevziu, Arbana Osmani, Luna Mari, vajza e Luizit dhe e Kiarës, e shumë të tjerë.
Pikturat e saj janë vlerësuar shumë nga publiku dhe vetë personazhet që kanë pasur kënaqësinë të shohin veten të portretizuar nga Zana.
Intervista e plotë:
Zana, si lindi pasioni juaj për pikturën?
Po mundohem të bëj një telajo të plotë të jetës sime. Unë kam lindur në qytetin e Librazhdit ku dhe kam mbaruar arsimin 8-vjeçar. Aty u spikat talenti im për pikturën në konkurset e ndryshme që organizonim në shkollë. Më pas vazhdova studimet e mesme në shkollën profesionale “Onufri” në Elbasan, në degën e pikturës, ku kam studiuar për 4 vite teknikat dhe rritje profesionale për pasionin tim të pikturës. Më pas, vazhdova studimet në Universitetin e Arteve të Bukura në Tiranë, 3 vite Bachelor në degën e pikturës dhe 2 vite masteri në degën e grafikës po në të njëjtin universitet. Pasioni ka filluar që në një moshë të hershme, por që vazhdon të më ndjekë edhe në ditët e sotme.
Sa hapësirë ose cila është koha që ju merr piktura gjatë një dite të zakonshme, në përditshmërinë tuaj?
Piktura nuk është thjesht pasioni im, por edhe profesioni që unë kam në jetë, pasi gjithë jetën time unë ja kam kushtuar pikturës. Që në moshën 14-vjeçare, piktura ka qenë e pandashme në jetën time, kështu që më zë një pjesë të mirë të ditës.
Si çdo artist në hapat e parë të karrierës, ju a keni pasur mbështetjen e duhur të institucioneve kulturore në vend, qofshin ato lokale apo në rang kombëtar?
Të jesh artist nuk është asnjëherë e lehtë, në të gjitha zhanret si muzikë, aktrim, kërcim dhe në pikturë gjithashtu. Por është pasioni që të shtyn të kalosh çdo sfidë dhe të ja dalesh. Për mua, mbështetja më e madhe mbetet familja. Nga institucionet, të pakta që janë në Shqipëri në këtë fushë, nuk kam pasur shumë mbështetje; çdo gjë është bërë individuale.
Keni portretizuar disa personazhe të njohur? Cilat janë ata dhe a ju kanë kontaktuar, komplimentuar, pse jo edhe të blejnë pikturën që u keni dedikuar?
Po, kam bërë disa punime të njerëzve të njohur shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Komentet janë më të shumta, pasi janë personazhe të dashur për publikun e gjerë. Personazhet si Alketa Vesiu, Blendi Fevziu, Arbana Osmani, vajza e Kiares e Luisit... Luna Mari ka qenë një nga më të veçantat, sepse u pëlqyen shumë masivisht nga i gjithë publiku i Shqipërisë dhe i Kosovës. Komentet e tyre kanë qenë shumë vlerësuese dhe mbështetëse, si dhe kanë pasur gjithmonë dëshirë që t'i keni punimet e tyre. Shumë shpejt do të kemi dhe personazhe të tjera këtë vit.
Pak ditë më parë u bëtë pjesë e një ekspozite në qytetin e vendlindjes suaj, Librazhd. Çfarë përshtypjesh ju krijoi interesi i publikut për pikturën?
Vendlindja është shumë e rëndësishme për çdo njeri, se aty janë rrënjët dhe formimi i parë. Ndihem e vlerësuar që qyteti im e do dhe e pret mjaft mirë punimet e mia.
Zana, si çdo artist që ka veç pasionin dhe ambiciet dhe ëndrrat e tij, edhe ju keni tuajat. Cilat janë ato, pra ku doni ta shihni veten në të ardhmen?
Artisti ka një gjë të bukur pasi ndërthuret pasioni me profesionin dhe kjo të jep energji më të madhe për të arritur gjëra. Patjetër që çdo artist do publikun që të marrë vlerësimet, të komunikojë me ta, përshtypjet e asaj çfarë bën dhe dëshirat e mia janë të shkojnë përpara gjithashtu. Galeria personale, ku ekspozohen punimet e mia, si dhe një vend mikpritës për gjithë artdashësit, si dhe një ambient për piktorët e vegjël, pasi më pëlqen ta transmetoj profesionin tim./Liberale.al/