GALERIAKALO u çel në Nëntor 2014, nën temën Fuqia e të kuqes, që përkonte me kontekstin historik – 70 vjetorin e çlirimit të Tiranës dhe Shqipërisë. Rëndësia e asaj dite mund të kuptohet edhe nga prania e ministres së atëhershme të Kulturës, Mirela Kumbaro dhe ambasadorëve të disa shteteve, përfshirë aleatët tanë strategjikë. Mesazhi i tyre ishte nevoja për më tepër iniciativa edhe në fushën e artit dhe kulturës.
Pamje nga hapja e galerisë, NENTOR 2014
Sot përvjetori i 10 i galerisë përkon me festimet e 80-vjetorit të çlirimit të atdheut, dhe tema Shëtitja është mjaft kuptimplotë, duke iu përshtatur më së miri konceptit të lëvizjes, ecjes, ecurisë, rrugëtimit.
10 vjet më parë, nuk ishte e sigurt nëse një galeri arti mund dhe do të mbijetonte, ndërkohë që lulëzonin biznese, për më tepër që mjedise si ai i galerisë lakmoheshin nga investitorët e lojrave të fatit dhe kazinove. Në ato vite nuk ishte e qartë nëse do të afroheshin artistët për organizimin e ekspozitave me veprat e tyre të artit; nuk dihej nëse GALERIAKALO do të mund të merrte pjesë në ekspozita rajonale e panaire ndërkombëtare; nuk duhej nëse do krijohej partneritet ose patronazh me bizneset, përfaqësitë diplomatike apo institucionet shtetërore; nuk dihej saktësisht a do të zhvillohej tregu i artit, si do të zhvillohej ai dhe si do të ndikonin rrjetet sociale në punën e galerive të artit…
Të gjitha këto pikëpyetje morën përgjigje në 10 vjet jetë të galerisë dhe sot mund të shihet pjekuria e saj dhe përvoja e krijuar që mund të shërbejë si shtrat për realizimin e projekteve ambicioze të reja.
Në përpjekje për ti ofruar më shumë se një vend komunitetit të artit dhe publikut të gjerë, 3 vjet pas hapjes së galerisë në vendin ku është edhe sot, familja KALO çeli një tjetër galeri në Tirana Business Park, e pagëzuar si GALERIAKALO 2, por që pati vetëm dy vjet jetë, pasi largësia relative nga Tirana për artistët ishte pengesë dhe po kështu numri i vizitorëve ishte aq i vogël sa nuk justifikonte mbajtjen e saj.
Përpjekjet nuk reshtën dhe erdhi në jetë GALERIAKALO 3, e vendosur në mes të qendrës rezidenciale Magnet, por përsëri vendndodhja (sipas artistëve dhe miqve të artit) nuk ishte aq tërheqëse, kështu që edhe nuk rezultoi të kishte sukses, ndonëse shpresonte te efekti “magnet” që kishte qendra rezidenciale si vlerë e pasurisë së paluajtshme. Pra pas 3 vjetësh, edhe ajo galeri pushoi së ekzistuari.
Por kur mbështetjen e artit e sheh si mision e jo veç si sfidë, kjo të mban të motivuar për të gjetur rrugë e mundësi të tjera dhe të ëndërrosh e më pas të ndërmarrësh projekte të reja. Ky motivim e shtyu avokatin Kalo që të ndërtonte një muze të vogël në fshatin Luzat të Tepelenës, vendlindja e babait të tij. Përveç muzeut, të quajtur VATRA LUZAT, vijuan projekte të tjerë dhe FONDACIONI KALO u përfshi në përshtatjen e shkollës së fshatit për të shërbyer si një pikë a qendër arti, duke synuar ta përcillte artin dhe frymën e tij edukuese pozitive në zonën përreth, që përfshin Tepelenën, Përmetin, Këlcyrën, Memaliajn, Gjirokastrën e pse jo edhe Sarandën e Vlorën. Në këtë projekt FONDSACIONI KALO gjeti mirëkuptimin dhe mbështetjen e Bashkisë Tepelenë, si partner institucional.
Së fundi, GALERIAKALO ka vendosur që në fshatin Luzat, të çelë një degë të saj, e cila do të përurohet më 22 Mars 2025, që përkon me Ditën e Novruzit, që festohet tradicionalisht në atë fshat të njohur për bektashizëm.
GALERIAKALO shpreson se miqtë e arytit e të saj do ti ndjekin si më parë edhe veprimtaritë relativisht larg Tiranës, ku nevoja për art është shumë më e madhe, për shkak të mungesës së vëmendjes dhe mbështetjes nga institucionet shtetërore që merren apo mbulojnë sektorin e artit.
Përkrahja e mbështetja e dashamirësve të artit si përmes mesazheve, ashtu edhe bisedave dhe pranisë në veprimtaritë e galerisë dhe vlerësimi nga artistët që e kanë parë atë si një partner serioz, është faktor me rëndësi për vazhdimin e këtij misioni fisnik që ka brenda mjaft frymë filantropie.
Sot, pas 10 vitesh, FONDACIONI / GALERIAKALO është i dukshëm kontributi i dhënë në ndërtimin e urave të komunikimit midis artistëve, koleksionistëve, galerive, muzeve dhe çdo institucioni tjetër të lidhur me artin është shumë i çmuar. Në dekadën e fundit u organizuan qindra ekspozita me mijëra vepra arti falë, të cilat janë bërë të mundura kryesisht nga kontributi i familjes KALO, Ardjanës, Enit, Junës, Martinit, Enielit si dhe i asistenteve të galerisë, Kristina, Tamara, Kristi, Fatmira, Besiana, Xhon, Ruslana e të gjithë të bashkëpunëtorëve që kanë punuar në galeri gjatë dekadës së parë.
Por një vlerë të veçantë shënon edhe mbështetja e Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme, Bashkisë Tiranë e Bulqizë, ambasadës së Shqipërisë në Paris, Slloveni dhe Hagë; mbështetja e ambasadave të Austrisë, Italisë, Francës, Australisë, Hungarisë, Polonisë, Sllovakisë, Gjermanisë dhe Zvicrës në Shqipëri dhe subjekteve private AK-Invest, Alpha Bank, FAVA, KALO & ASSOCIATES, Credins Bank, Universiteti i Nju Jorkut në Tiranë, Credins Bank, Societe Generale, Tirana Bank, Tirana Business Park, Union Bank, Vodafone, AK PARTNERS, Tirana Times.
Së fundi, GALERIAKALO gjatë kësaj dekade ka patur nderin të përfaqësojë artistë të shquar dhe përkujton me respekt ata që u larguan nga kjo botë, por duke lënë pas vepra me vlerë. Lumturi Blloshmi, Arben Bajo, Vilson Kilica, Agim Faja, Mustafa Arapi, Ali Oseku, Agim Zajmi, Rexhep Ferri, Koço Ristani do të vazhdojnë të kujtohen dhe do të jenë të prnishëm në ekspozitat e ardhshme, siç është kjo SHETITJA e sotme…
Pamje nga ceremonia e 10 vjetorit të Galerisë, Nëntor 2024