Arte

Fituesi i Oskarit "Oppenheimer" shfaqet në Japoni, jepet edhe në Hiroshima dhe Nagasaki, ja komentet e të mbijetuarve të bombës bërthamore

Shkruar nga Laert MIRAKU

Fituesi i Oskarit "Oppenheimer" shfaqet në Japoni, jepet edhe

Përshtati dhe përgatiti për Liberale.al, Laert MIRAKU

Fituesi i çmimit Oscar për filmin më të mirë "Oppenheimer" u publikua më në fund të premten në Japoni, ku subjekti i tij njeriu që organizoi krijimin e bombës atomike, është një temë shumë e ndjeshme dhe emocionale në shtetin ishullor.

Hiti i suksesshëm amerikan u shfaq në Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të tjera në korrik në të njëjtën kohë me "Barbie", duke frymëzuar një fenomen viral të quajtur "Barbenheimer" nga shikuesit e filmit.

Por ndërsa "Barbie" u shfaq në Japoni në gusht, "Oppenheimer" mungoi dukshëm në kinema për muaj të tërë.

Asnjë shpjegim zyrtar nuk u ofrua në atë kohë, duke nxitur spekulimet se filmi ishte shumë i diskutueshëm për t'u shfaqur në Japoni, i vetmi vend që ka pësuar ndonjëherë një sulm bërthamor gjatë luftës.

Rreth 140,000 njerëz vdiqën në Hiroshima dhe 74,000 në Nagasaki kur Shtetet e Bashkuara hodhën bomba atomike mbi qytetet në gusht të vitit 1945, ditë para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore .

Në një kinema të madhe në qendër të Tokios, ku "Oppenheimer" po shfaqej të Premten, nuk kishte asnjë nga materialet e spikatura promovuese që mund të pritej për një megahit global.

Në vend të kësaj, vetëm një poster i vogël reklamoi filmin, i cili u xhirua me një buxhet prej 100 milionë dollarësh dhe grumbulloi gati 1 miliard dollarë në arkat në mbarë botën.

“Është një film i gjatë tre-orësh, por e pashë me vëmendje, sepse ishte shumë i fuqishëm”, tha pas filmit një 51-vjeçar japonez i quajtur Masayuki Hayashi.

Shpërndarësit japonezë mund të kenë zgjedhur të shmangin një publikim veror afër përvjetorit të bombardimeve, tha 65-vjeçari Tatsuhisa Yue.

Por "do të ishte e paimagjinueshme nëse një film që përshkruan se si u zhvillua arma nuk do të shfaqej këtu", tha ai.

Filmi erdhi vonë, por mendoj se ishte mirë që më në fund u shfaq edhe në Japoni”.

'Amerika në qendër'


Filmi tregon historinë e fizikanit amerikan J. Robert Oppenheimer, i cili mbikëqyri shpikjen e bombës.

Për filmin u bënë komente të mira dhe ishte pikërisht ky filmi që mori çmimin Oscars si filmi më i mirë. Gjithashtu filmi mori edhe gjashtë Oskar të tjerë duke përfshirë regjinë më të mirë për Christopher Nolan dhe aktorin më të mirë për yllin Cillian Murphy.

Por në Hiroshima, qyteti i shkatërruar nga bomba e parë bërthamore, suksesi i filmit biografik në Academy Awards pati një reagim të përzier.

Kyoko Heya, presidente e festivalit ndërkombëtar të filmit të qytetit,  tha pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve se ajo e kishte gjetur filmin e regjisorit Nolan "shumë të përqendruar në Amerikë".

"A është vërtet ky një film që njerëzit në Hiroshima mund të durojnë ta shikojnë?" ajo pyeti.

Sot qyteti është një metropol i lulëzuar prej 1.2 milionë banorësh, por rrënojat e një ndërtese me kupolë ende qëndrojnë si një kujtesë e ashpër e tmerreve të sulmit, së bashku me një muze dhe memorialë të tjerë të zymtë.

Heya tha se pas shumë reflektimesh, "tani dua që shumë njerëz ta shikojnë filmin."

Do të isha e lumtur të shihja Hiroshima, Nagasaki dhe armët atomike të bëhen objekt diskutimesh falë këtij filmi”, tha ajo.

Vitin e kaluar, memet virale "Barbenheimer" ndezën zemërim në internet në Japoni, ku raportet e mediave kanë vënë në pah kritikët që thonë se filmi nuk tregon dëmin e shkaktuar nga bombat.

"Mund të kishte pasur shumë më tepër përshkrim dhe përshkrim të tmerrit të armëve atomike ," tha i mbijetuari i bombës dhe ish-kryetari i bashkisë së Hiroshima, Takashi Hiraoka, 96 vjeç, në një shfaqje speciale në qytet në fillim të këtij muaji.

"Oppenheimer" u shfaq gjithashtu në një ngjarje paraprake në Nagasaki, ku i mbijetuari Masao Tomonaga, 80 vjeç, tha se i kishte bërë përshtypje filmi.

"Kisha menduar se mungesa e... imazheve të filmit të të mbijetuarve nga bomba atomike ishte një dobësi," tha Tomonaga, i cili ishte dy vjeç kur u hodh bomba e dytë dhe më vonë u bë profesor që studionte leuçeminë e shkaktuar nga sulmet.

"Por në fakt, rreshtat e Oppenheimer në dhjetëra skena treguan tronditjen e tij nga realiteti i bombardimeve atomike. Kjo ishte e mjaftueshme për mua."

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH