Arte

Çfarë nënkupton "kodi sekret" i Beethoven-it? Studiuesi i magjepsur nga veprat e tij, dekodifikon mesazhet e gjetura në partitura

Shkruar nga Liberale

Çfarë nënkupton "kodi sekret" i Beethoven-it?

Në verën e vitit 1825, pasi u shërua nga një sëmundje e rëndë e infeksionit të zorrëve, kompozitori gjerman Ludwig van Beethoven përfundoi kuartetin e harqeve Nr.15 në A minor, një nga veprat e tij më të famshme.

Meqenëse mënyra e tij e të shkruarit të notave ishte mjaft kaotike dhe e çrregullt, kur Beethoven përfundoi një dorëshkrim, ai ia dorëzoi atë një kopjuesi muzikor, d.m.th, një personi përgjegjës për të shkruar partiturat nga e para për të qenë të lexueshme.

Kopjuesi që transkriptoi Kuartetin e Harqeve Nr.15 në A minor, la disa detaje. Ai u kufizua vetëm në transkriptimin e shënimeve, duke injoruar plotësisht disa shënime që Beethoven kishte futur në pjesë të ndryshme dhe që nuk ishi pjesë e shenjave tradicionale dinamike të përdorura për të treguar intensitetin e zërit.

Për shembull, diku shkruajti një akronim që askush nuk e përdorte në atë kohë, “ffmo”, ndërsa në një pikë tjetër të partiturës, vizatoi një lloj diamanti me kokë poshtë.

Për gati dy shekuj, partiturat e Kuartetit të Harqeve Nr.15 u botuan pa përshkrimin e këtyre shënimeve shumë të veçanta. Mënyra e vetme për t’i parë dhe analizuar ato ishte të vizitoje arkivat e Vjenës dhe të Berlinit, ku mund t’i hidhje një sy dorëshkrimeve origjinale të Beethoven-it, ose përndryshe për marrë një faksimile, edhe pse nuk ishin të përhapura.

Megjithatë, gjërat ndryshuan në vitin 2013, kur gjatë përgatitjes së një koncerti, violinisti amerikan Nicholas Kitchen, lexoi faksimilen e partiturës origjinale të Kuartetit të Harqeve Nr.15 në A minor nga Beethoven. Në një artikull të botuar në Atlantic, gazetari i muzikës Sl Rosenbaum tha se që nga ai moment, Kitchen zhvilloi një lloj obsesioni me shenjat e çuditshme dinamike që Beethoven përdorte në partiturat e tij, të cilat ai filloi t’i konsideronte si një lloji “kodi sekret”.

Me “dinamikë” në muzikë nënkuptojmë menaxhimin e intensitetit të tingullit të një shfaqjeje, pra vëllimin me të cilin një ose më shumë instrumente luajnë një vepër të caktuar. Sidomos duke nisur nga fillimi i shekullit të nëntëmbëdhjetë e më pas dhe veçanërisht me afirmimin e romantizmit, ku ndërthurja e pjesëve luhej sa me tinguj delikatë dhe të butë, po aq edhe të fortë dhe të vrullshëm, duke e shndërruar këtë veçori në një aspekt qendror të kompozimit muzikor.

Për të treguar mënyrën se si mund të luajë një orkestër partiturat e tyre, kompozitorët shkruajnë disa tregues standard në partitura, si piano dhe forte që janë dy më kryesoret, por ka edhe disa nota të tjera, si mezzo piano, mezzo forte, pianissimo, fortissimo dhe kështu me radhë. Pastaj ka edhe shënime që tregojnë pasazhet në të cilat duhet ndryshuar intensiteti, të tilla si crescendo dhe decrescendo. Më pas i takon anëtarëve të orkestrës të respektojë këto indikacione dhe mbi të gjitha dirigjenti duhet të menaxhojë performancën e përgjithshme të veprës. Shënimet që lidhen me dinamikën e një vepre në muzikën klasike perëndimore kanë qenë shkruar gjithmonë në gjuhën italiane.

Po ashtu, i magjepsur nga këto shënime të veçanta, Kitchen vendosi të hetonte më tej dhe zbuloi se Beethoven i përdori ato në dorëshkrimet e tij përgjatë gjithë karrierës së tij si kompozitor. Në disa raste ai shkroi shënimet e tij (si, p.sh, ffmo), në disa shënime të tjera ai përdori shenja tradicionale dinamike si p dhe pp (piano dhe pianissimo), por i ndiqte ato me një ose dy rreshta.

Më tej, në studimet e tij Kitchen u shpreh se Beethoven përdori një dinamikë personale të përbërë nga të paktën 23 shënime të ndryshme, në një shkallë që shkonte nga fff (gradimi i intensitetit më të lartë) në ppp (më i ulëti), ndërthurur me shkallë që shërbenin për të treguar nuancat: për shembull, sipas asaj që u rindërtua nga Kitchen, në dinamikën e Beethoven-it ffmo, tregoi një intensitet pak më të lartë se ff, por pak më të ulët se fortissimo.

Vitet e fundit, teoria e Kitchen ka ngjallur njëfarë interesi tek ata që merren me muzikën klasike. Jeremy Yudkin, një profesor i muzikologjisë në Universitetin e Bostonit, tha se kur foli për herë të parë me Kitchen, mendoi se "ai ishte i çmendur". Megjithatë, vitet e fundit ai ka rivlerësuar kërkimin e tij, për të cilin thotë se zbulon se dinamika e Beethoven karakterizohej nga "një spektër i gjerë shprehjesh që studiuesit e muzikës dhe muzikantët duhet ta marrin në konsideratë".

Ka edhe nga ata që kanë treguar njëfarë skepticizmi ndaj rindërtimit të Kitchen. Për shembull, i intervistuar nga Rosenbaum, profesori anglez i muzikës Jonathan Del Mar tha se sipas tij çdo shenjë anormale që mund të gjendet në dorëshkrimet origjinale të Beethoven nuk do të ishte asgjë më shumë se "variante estetike" të shenjave standarde dinamike. Sipas Del Mar, ky interpretim është i besueshëm, sepse Beethoven ishte një perfeksionist dhe për rrjedhojë, nëse do t'u jepte ndonjë rëndësi atyre shenjave, do të sigurohej që ato të shfaqen edhe në partiturat e shtypura.

Leëis Lockëood, profesor emeratus i Harvardit dhe bashkëdrejtor i Qendrës për Kërkimet e Beethovenit në Universitetin e Bostonit, shpjegoi se studimet mbi këto shënime janë nënvlerësuar prej kohësh, sepse, kur muzikologjia u bë një disiplinë akademike, Beethoven u konsiderua i vjetëruar. Rrjedhimisht, edhe nëse ai është një nga kompozitorët më të rëndësishëm të të gjitha kohërave, "nuk ka asnjë ushtri studiuesish të Bethoven". "Është një fushë e vogël... tokë e panjohur," tha Lockëood./Përgatiti Liberale.al (R.D)/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH