Në Galerinë FAB nga 4 deri më 14 dhjetor do të çelet ekspozita e piktores së mirënjohur ALBANA SHOSHI
Ermir Hoxha
Gjithçka nisi në një festë të zakonshme 8 marsi. Ajo fillon ashtu si çdo vit, në ditët e para të ngrohta të vitit. Me pak parapërgatitje, prenotimin e lokalit, shtohen porosia për menynë, pak dekor, muzika, hapësira e përhershme për kërcimin, a të tjerë aksesorë që unë nuk i di. Më pas, gjithçka është gati.
Cikli më i fundit i Albana Shoshit, i realizuar në këto katër vitet e fundit, i dedikohet pikërisht këtij fenomeni. Sendërtuar në gjysmën tjetër të shoqërisë, në atë ditë dedikuar pikërisht atyre, skena shpaloset aty mes tavolinave me pjata të stërmbushura, ku shpërthyes do të çlirohet çdo instinkt i ndrydhur gjatë gjithë vitit. Aty ka vend për gjithçka. Të qeshura shpërthyese, fustane e truk vezullues, batuta të çliruara pa censurë e valle të shfrenuara në çift a grup, që sfidojnë edhe traditat më konservatore të së përditshmes.
Ajo është dita e tyre. Edhe pse për pak orë, larg burrave e përgjegjësisë së fëmijëve, universi femëror në këtë ditë është në qendër të vetvetes, i vetëmjaftueshëm dhe rrëzëllues.
Bashkë me to, aty është dhe ajo. Si pjesëmarrëse e natyrshme regjistron gjithçka: nga zakonet standarde shoqërore që përmbysen, socializimet në grupe sipas moshës, shkëlqimin e entuziazmit të vajzave të reja, si dhe përhumbjen e trishtë tek ato drejt një moshe të caktuar. Fizionomitë e tyre ndërthuren me dekorin e rënduar, dritat çorientuese dhe vallëzimet instiktive frenetike. E ndërsa e gjithë kjo ndodh, nën blicet digjitale të fotografive regjistrohet e gjithë kronika për t’u riprojektuar sërish në formë piktorike.
Pjesa e dytë e ciklit plotësohet nga seria e ditëve të pushimeve. Sërish në “festë“, personazhet projektohen në gjirin e natyrës, por me të njëjtin entuziazëm ngjitës. Janë aty teksa pushojnë, në rërë, nën hijen e pemëve, poshtë një ujëvare, apo në sheshpushimin e një restoranti. Aty, drita e magjishme e natyrës, portretet e çliruara dhe entuziazmi, kthehen në klishetë më topitëse.
Çdo vepër arti është autoportreti i atij që e ka krijuar. Në fakt, në rrugëtimin e vet, Arti ka qenë gjithnjë autoportreti gjigand, multiform e i mrekullueshëm i gjinisë njerëzore. Në të gjitha format e tij, prej gjitarëve në muret e shpellave prehistorike, tek imazhi klasik i pushtetit, atij politik a religjioz, deri tek deformimet moderniste apo abstrakte, krijuesit kanë pikturuar vetveten, atë që për ta kishte më shumë rëndësi, çka për ta ishte më domethënëse, më esenciale. Edhe kur pikturuan peizazhin, ai është peizazhi i tyre. Është mënyra me të cilën ata përkufizojnë botën që i rrethon. Njeriu e bashkë me të, Krijuesi e kanë vendosur veten në qendër të Botës, qoftë ai një planet i vockël apo Universi i pafund. E thënë kështu, të pikturosh atë që të rrethon, atë çka për ty ka më shumë rëndësi, është zgjatimi më natyral për një Krijues.
Albana Shoshi i pikturon personazhet e saj në zenitin e aktiviteteve të përvitshme. Ajo eksploron brishtësinë emocionale që ata përjetojnë. Përkufizuar ndër festa, apo në arratisje të çdo forme tjetër, fizike e mendore, ajo projekton nëpërmjet pikturës së saj nevojat e kopshtit të humbur, atë që bulëzon në të përditshmen e zakonshme në ato pak çaste vendimtare.
Artistja mohon të zakonshmen, për të projektuar ‘‘të jashtëzakonshmen“ e përvitshme. Duke bërë këtë, ajo evokon edhe njëherë imazhin e gjenezës, kur njeriu gjente paqen në gjirin e natyrës. Është po ai Eden, i rikontekstualizuar në të përditshmen. Nën gjethet e gjelbra e të stërmëdha të palmës dhe diellin vezullues, parajsa tokësore materializohet në pak çaste komunitare. I gjithë ky Eden bashkëkohor me drita natyrale a artificiale, çlirohet nga entuziazmi i magjisë së destinacioneve të zbuluara turistike. Ato janë një ditë tjetër feste. Për t’u kujtuar, ashtu si fotot selfie, vaniteti momental i moshës, nevoja për t’u arratisur qoftë edhe për pak nga stresi e përgjegjësitë e së përditshmes. Të gjitha përbëjnë Edenin tjetër, përkufizuar thjesht në nevojën për të rigjetur të zakonshmen në ato pak momente mitike.
Trashëgimtare e një emri të rëndësishëm në historinë e artit vendas, ajo ripropozon formatin realist si rrëfyese e kohës dhe shoqërisë. Pretendimi i saj nuk është filozofik, aq sa është social. Duke bërë këtë, ajo na fton në një dialog mbi ato fenomene shoqërore që zhvillohen rreth nesh, aq sa mbi natyrën tonë, nevojën për t’u arratisur nga e përditshmja, në pak kilometra, a në pak orë.
ALBANA SHOSHI ka lindur në Tiranë më 1.08.1969. Kryen shkollën e mesme artistike “Jordan Misja” në vitet 1983 - 1987. Diplomohet në Akademinë e Arteve në Atelierin e Grafikës në vitin 1991. Në vitin 2015 merr gradën Master Shkencash në “Trashëgimi Kulturore” pranë fakultetit Histori - Filologji në Tiranë. Mes viteve 1994 - 2000 punon si piktore animatore në Alba Film - Animacion, ndërsa mbas vitit 2004, vazhdon të ushtrojë profesionin e mësueses së Artit Pamor në shkollën e mesme artistike “Jordan Misja”.
Ndër vite, ka marrë pjesë në shumë ekspozita kolektive kombëtare dhe ndërkombëtare. Ndër to mund të përmendim: “Pranverë 89” GKA; “Vjeshtë” QNK; “Pa-varësi” GKA (2007); çmimi “Myslim Mulliqi” në GKK, Prishtinë (2017-2018); “Ekspozita e gruas” Galeria “Vilson Kilica”, Fier (2017-2018); “Work on Paper” Galeria Zeta (2011); “L’Eterno Femminino” Ambasada Italiane në Tiranë (2019); “Eastern Post-avangarde” Galeria e Ministrisë së Kulturës, Prishtinë (2019); “Çdo gjë që dua” Galeria Kalo (2023-24); “100 Paintings in the 10-th Anniversary”, Maltepe, Istambul (2023).
Në vitin 2010, hap ekspozitën e saj të parë personale “Ekzaltime” në Galerinë Zeta. Ekspozita “Eden Game” në Galerinë FAB është ekspozita e saj e dytë personale.