Arte

21 qershor 1947/ Kur George Berndard Shaw njihej me talentin e Fan Nolit edhe si muzikant!

Shkruar nga Liberale

21 qershor 1947/ Kur George Berndard Shaw njihej me talentin e Fan Nolit edhe si

Si sot 77 vite më parë, më 21 qershor të vitit 1947, Fan Noli botoi librin ‘Beethoven and French Revolution’ " Bethoven dhe Revolucioni francez", dhe i dërgoi një kopje kritikut George Berndard Shaw.

Pasi mori kopjen ky iu përgjigj me shaka e kompliment: “Ngatërruat profesionin, kur u bëtë prift…” Shaw, irlandez, fliste nga përvoja; ai kishte qenë bashkë-themelues i Shkollës Ekonomike të Londrës më 1895, para se të bëhej gazetar, shkrimtar, kritik muzikor e letrar, dramaturg, eseist.

Figura poliedrike e Nolit do të fokusohej në vitet `30 në një spektër tjetër përpjekjesh krijuese, në atë të muzikologjisë. Në vitin 1935 Noli, i njohur gjerësisht si klerik dhe politikan, iu kthye njërit prej pasioneve të tij të hershme, muzikës. Në moshën 53-vjeçare u regjistrua në Konservatorin e Muzikës të Nju England, në Boston, ku u diplomua më 1938. Para se të shtypej për botim, monografia “Bethoveni dhe Revolucioni Francez”, u mbrojt prej Nolit si temë diplome.

Përmes këtij studimi, Noli mori gradën shkencore të shkallës së parë në muzikë. Me këtë publikim, Noli mbrojti argumentin se Revolucioni Francez dhe idetë republikane patën ndikim të thellë në muzikën e Beethovenit.

Interesi i Fan Nolit për muzikën nisi në kishë. Ai u njoh si themeluesi i Kishës Ortodokse Shqiptare në Boston të SHBA, më 1908. U bë reformatori i mirëfilltë i saj. Reforma kishtare e Nolit solli të kënduarit shqip në kishë.

Noli me një karriere brilante u largua nga Shqipëria pas Revolucionit të Qershorit 1924. Ai u tërhoq nga politika dhe iu përkushtua pasioneve të vjetra në vitet e fundit të jetës.    

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH