Anita Likmeta është një personazh sa i njohur, po aq edhe i panjohur për lexuesin shqiptar. Me vite të tëra të jetuara në Itali, ajo ka ditur të ndërtojë një profil dinjitoz dhe mjaft të arrirë si sipërmarrëse italo-shqiptare, duke u vlerësuar si një nga 150 gratë më të fuqishme në inovacion në Itali. Njëkohësisht, ajo është kandidatja e parë shqiptare që ka konkurruar për Dhomën e Deputetëve të Parlamentit Italian në zgjedhjet parlamentare.
Por në një kohë kur teknologjia po avancon me hapa galoponte, a mendon Anita Likmeta se Inteligjenca Artificale do arrij të mbivendoset edhe mbi artin e së bukurës?
“Inteligjenca artificiale mund të riprodhojë, imitojë dhe madje të tejkalojë njeriun në disa aftësi teknike, por arti dhe bukuria i përkasin një sfere që nuk është thjesht funksionale: ato janë fryt i qëllimit dhe i përvojës njerëzore. Arti nuk është vetëm krijim, por shprehje e një brendësie që përballet me misterin e të jetuarit”, shprehet sipërmarrësja.
“IA mund të gjenerojë imazhe, tinguj apo tekste që ndjekin rregulla estetike, por nuk mund të njohë kuptimin e atij krijimi, as të ndiejë dëshirën, mahnitjen apo marramendjen që e bëjnë artin të vërtetë. Prandaj, jo, Inteligjenca Artificiale nuk do të mund të sheshojë kufirin mes artit dhe bukurisë, por padyshim do të zgjerojë mjetet me të cilat ne eksplorojmë dhe ri mendojmë këto koncepte, duke na vënë përballë pyetjeve të reja mbi kuptimin e të qenit njeri. Dhe ndoshta, pikërisht në këtë dialog midis njerëzores dhe artificiales, do të zbulojmë forma të reja të bukurisë”, vijon ajo.