Aktualitet

Macron kërkon Rusinë në KiE, "kërcënon" Ukraina dhe 5 vende të tjera

Shkruar nga Liberale
Macron kërkon Rusinë në KiE,

Presidenti francez Emmanuel Macron, ka bërë thirrje për forcimin e lidhjeve midis vendeve evropiane për të balancuar "kthimin e frikës që ushqen vendosjen e regjimeve autoritare".

Nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës në Strasburg, Macron në të njëjtën kohë, mbrojti vendimin për ta mirëpritur Rusinë, pavarësisht krizës për Krimen dhe kërcënimit të Ukrainës dhe 5 vendeve ish-bllokut sovjetik se do të largohen nga Këshilli i Europës.

Presidenti francez tha gjithashtu se, "Nuk është një gjest mirësjellje. Është një zgjedhje që na lejon të kërkojmë nga Rusia që të respektojë plotësisht detyrimet dhe të përmbushë detyrat e saj ndaj Këshillit të Evropës. Kjo i shërben Këshillit të Evropës të ketë një forcë kolektive, edhe më e rëndësishme dhe efektive, në rast përsëritje të situatave të tilla".

Kreu i shtetit francez u takua gjithashtu me Oleg Sensov, kineasti ukrainas i burgosur prej 4 vitesh në një burg rus në Rrethin e Arktikut, i cili u la i lirë bashkë me 24 marinarë, të arrestuar gjatë incidentit midis anijeve ruse dhe ukrainase në ngushticën e Kerch.

Macron theksoi se ka ende të burgosur të tjerë prej konfliktit Rusi-Ukrainë dhe se ai do ndihmojë që ata të kthehen në shtëpi.

Lëvizja e presidentit francez vjen pas dakordësisë që ai pati me presidentin amerikan Trump që të ftojnë Rusinë vitin e ardhshëm në samitin e G7-ës, me kusht që Moska të bëjë përparime në bisedimet për paqen me Ukrainën.

Putin, gjatë takimit me liderin e Elysée në rezidencën verore të ‘Fort de Bregancon’, tha se nuk do ta refuzojë një ftesë hipotetike nga G7 dhe Këshilli i Evropës, sepse "çdo kontakt, në çfarëdo formati, me partnerët është i dobishëm".

Përtej lëvizjeve politike dhe diplomatike, duket se presidenti francez Emmanuel Macron ka marrë në dorë rolin udhëheqës në Europë teksa ai këshillohet me Putin për krizën në Ukrainë, fton ministrin e Jashtëm të Iranit në takimin e G7-ës apo dhe bën bën aleanca jashtë BE.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH