Aktualitet

Lulzim Basha: Tellalli i së keqes doli sot për të larë duart para shqiptarëve

Shkruar nga Liberale
Lulzim Basha: Tellalli i së keqes doli sot për të larë duart

Kryetari i Partisë Demokratike, Zoti Lulzim Basha doli në konferencë shtypi nga selia e partisë ku foli mbi problematikat që përmendi vetë Kryeministri Edi Rama, në lidhje me rritjen e çmimit të energjisë dhe karburanteve.

Basha deklaroi se me të vërtetë këto çmime janë rritur nëpër botë por në Shqipëri sipas tij, kanë qënë prej 8 vitesh shumë të larta. Ai theksoi se qeveria keqpërdor çdo fond e investim, ashtu siç bëri sipas tij me tërmetin dhe pandeminë.

“Tellalli i së keqes doli sot për të larë duart para shqiptarëve, për atë që po përgatit për ta, rritjen e mëtejshme të çmimeve të energjisë, ndërsa tashmë të gjitha çmimet janë rritur ndjeshëm duke pamundësuar për qindra mijëra shqiptarë të përballojnë nevojat bazë.

Vërtet bota po përballet tani, por shqiptarët kanë 8 vite që përballen me çmimet më të larta në rajon e ndër më të lartat në Europë, të energjisë dhe karburantëve. Në ato vende ku ndodhin rritje të diktuara nga tregjet ndërkombëtare, qeveritë e përgjegjshme u vijnë në ndihmë qytetarëve të tyre.

Por a mund të ndodhë kjo më këtë qeveri? Shqiptarët e dinë mirë që jo. Ata e kanë parë se si në momentet më të vështira të këtyre viteve, kjo qeveri dhe ky kryeministër i ka braktisur. Kështu ndodhi me tërmetin, kështu ndodhi me pandeminë. Shqiptarët e kanë parë se si fondet e rindërtimit u përdorën për të majmur ortakët e Edi Ramës, dhe po këto fonde të jepeshin jo për njerëzit në nevojë , por për të marrë në këmbim votën e tyre.

Shqiptarët e kanë vuajtur në lëkurën e tyre braktisjen gjatë pandemisë, kur babëzia e kësaj pakice të korruptuar dha ndihmën më të ulët ekonomike në Europë, duke shkaktuar rritjen më të madhe të jetëve të humbura në kontinent, varfëri dhe papunësi.

Me këtë bilanc të zi, me këtë qeverisje që fatkeqësitë e njerëzve i kthen në gosti milionash për ortakët e tij, detyra jonë si opozite është të ushtrojmë, edhe me ndihmën e qytetarëve, të gjithë presionin e duhur që askush të mos braktiset, askush të mos vuajë makutërinë e kësaj pakice”, tha Basha.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH