Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha po vijon takimet me të rinjtë në qytete të ndryshme.
Basha është ndalur sot në Durrës, ndërsa pati edhe një mesazh për situatën në të cilën ndodhet Partia Demokratike pas zgjedhjeve të 14 majit.
Basha u shpreh se ata që thurin plane për asgjësimin e PD-së ta harrojnë se nuk do ndodhë një gjë e tillë, sepse PD do të kthehet në një shpresë për Shqipërinë.
Shërimi është rinia, e cila duhet të flasë me zë të lartë u tha Lulzim Basha të rinjve në Durrës.
“Një nga problemet kryesore është se rinia nuk dëgjohet. Nuk dëgjohen qytetarët, të moshuarit, të rinjtë. 13 në 100 te rinj që votonin për herë të pare, shkuan të votojnë. 87 në 100 votues nuk shkuan të votojnë. Kjo ndodhi sepse politika nuk i dëgjoi. Rinia iu ktheu kurrizin politikës.
“Kjo nuk është zgjidhja. Shërimi është të flisni, aq sa të jetë e pamundur që të mos ju dëgjojnë”.
“Unë kam disa propozime që janë pjesë e një platforme jo thjesht e imja, por të PD-së, opozitës. Platforme që duan apo s’duan disa do të shkojë para. PD do kthehet prapë në shpresën për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ta harrojnë ata që thurin plane se do ta zhdukin PD”.
“E kundërta do ndodhë. Ne nuk jemi dhe s’kemi lindur për veten tonë, por për njerëzit. Ndonëse e kemi humbur udhën po e gjejmë bashkë me ju, veçanërisht falë rinisë”, tha Basha ndër të tjera, me të rinjtë në Durrës.