Kryesore

Lulzim Basha, njeriu i vitit 2021

               Publikuar në : 10:02 - 25/12/21 ro ot

Vendimi për ta kthyer partinë në rrugën institucionale, hyrja në zgjedhje i  vetëdijshëm për atë që e ka cilësuar si shitblerje industriale të votave, rikonfirmimi në krye të demokratëve e deri te përjashtimi i Sali Berishës nga grupi parlamentar. Megjithëse  PD nuk siguroi dot votat për të ardhur në pushtet, ky vit ishte padyshim i Lulzim Bashës. Pas tetë viteve në krye të Selisë Blu, ai arriti ta thyejë dualizmin dhe të fitojë staturën e vërtetë prej lideri

Edhe pse me 25 Prillin shënoi zgjedhjet e katërta të humbura nga Partia Demokratike nën lidershipin e tij, paradoksalisht 2021 ishte viti i Lulzim Bashës.

Pasi pandemia e paralizoi pothuajse krejtësisht aksionin opozitar, që megjithatë kishte shënjuar një lloj ngecjeje prej vjeshtës së dy viteve më parë, kryedemokrati ndërmori ndoshta misionin më të vështirë të opozitës në tri dekada. Dy vjet jashtë Parlamentit, Basha vendosi ta rifutë PD-në në hullitë institucionale. I vetëdijshëm dhe akuzues për bashkëpunim të qeverisë me krimin dhe shitblerje të votave, kryetari Basha vendosi ta çojë partinë e tij në zgjedhjet parlamentare, përmes një fushate jo pa tensione.

Përtej denoncimeve për partinë në pushtet dhe kryeministrin Rama që sipas tij kishte ende në listat zgjedhore figura të lidhura me krimin e organizuar, Lulzim Basha e ngriti fushatën elektorale mbi promovimin e figurës së tij si lider me kulturë perëndimore dhe arritjet euro-atlantike të qeverisjes së demokratëve.

E  mirëmenduar ishte edhe zgjedhja për t’i marrë atributet e sukseseve të shkuara personalisht, ndonëse kryeministër gjatë kohës kur Shqipëria u anëtarësua në NATO dhe arriti liberalizimin e vizave në zonën Shengen, ishte Sali Berisha.

Ky i fundit, përpos një vendi të sigurt në listën zgjedhore të qarkut Tiranë, kishte zgjedhur ashtu si edhe vitet e fundit të ruante profil të ulët.

Zgjedhjet e 25 Prillit, panë fituese për të tretën herë radhazi Partinë Socialiste dhe Edi Ramën, i cili gjatë fushatës elektorale nuk i kurseu thirrjet dhe ftesat për bashkëpunim me kryedemokratin. I vetmi kusht, theksonte kreu i qeverisë, ishte ndarja e Bashës nga ish-kryeministri Berisha dhe presidenti Meta.

Në ditën e triumfit të socialistëve, Rama e riktheksoi ftesën për Bashën, ndërsa krye demokrati duke falënderuar 600 mijë votuesit që besuan PD-në dhe denoncoi hapur se bëhej fjalë për masakër zgjedhore dhe shitblerje industriale votash. Edhe raporti i OSBE/ODIHR do t’i jepte të drejtë më vonë për shitblerjen e votës dhe keqpërdorimin e administratës publike, ku shteti dhe pushteti kishin vijë të paqartë ndarëse.

Ndërsa shumë e panë dështim të opozitës, Basha i habiti të gjithë duke deklaruar se beteja e demokratëve niste pikërisht atë ditë, më 27 prill, kur KQZ shpalli edhe rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

Ndoshta atë ditë Basha bëri edhe një profeci vetjake, ndërsa beteja e tij në krye të PD-së dhe opozitës do të intensifikohej e do të bëhej një nga më të egrat, edhe brenda demokratëve.

Dështimi i zgjedhjeve solli edhe të zhgënjyerit e parë nga Basha brenda Partisë Demokratike, me një Grupim që i kërkoi kryetarit të merrte përgjegjësitë – sipas tyre krejt personale- për humbjen dhe reformimin e partisë për zgjedhjet e 2025-s. Nën këto kritika të zëshme dhe tre rivalëve përballë tij, Basha u fut në zgjedhjet e brendshme për kreun e Partisë Demokratike.

Zgjedhje që do të zhvilloheshin për demokratët nën një atmosferë të zymtë, pasi Departamenti Amerikan i Shtetit shpall publikisht “non grata”, ish-kryeministrin, ish-kryetarin dhe një prej themeluesve të Partisë Demokratike.

Basha vendosi të afrojë datën, duke i mbajtur të karikuar strukturat dhe bazën e partisë me të ashtuquajturën betejë për demokraci, duke u konfirmuar për të tretën herë si kryetar, qyshse pasoi Sali Berishën më 2013-n.

Ky rezultat, ishte për Bashën shprehja e vullnetit të demokratëve për ta parë atë në krye të betejës për demokraci. Atëkohë kryedemokrati guxoi të artikulonte edhe se shqiptarët nuk do të prisnin deri më 2025-n për ndryshimin.  Kërkesës së demokratëve për rikthim te protestat, Basha iu përgjigj se kjo qe rruga më e thjeshtë. Por ai kishte zgjedhur tjetër rrugë. Vendimin për t’iu kthyer parlamentit dy vite pas dy viteve bojkot, Basha nuk e artikuloi qartë për disa muaj. E megjithatë, ambasadorja amerikane Yuri Kim i kishte lexuar deklaratat e kryedemokratit si vendim për të hyrë në Parlament.

Por përpos këtij leximi,  diplomatja nuk ishte krejt e kënaqur me kreun e PD-së, duke i bërë thirrje të drejtpërdrejtë Bashës për rishikimin e listave të deputetëve.

Lulzim Basha, ndonëse kishte kërkuar nga DASH transparencë mbi vendimin e marrë për të shpallur ish-liderin e PD-së si “non grata” për korrupsion dhe minim të demokracisë, ishte kujdesur të theksonte se kjo forcë politike mbetej aleate e padiskutueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Më 9 shtator, Basha mori vendimin për të përjashtuar Sali Berishën nga Grupi Parlamentar i PD-së. Vendim që kryedemokrati do të duhet ta kishte llogaritur se do të shkaktonte stuhinë më të madhe ndër demokratë, që prej themelimit të tij.  Kjo ndoshta solli edhe vonesën e këtij vendimi, ndërsa Berisha u shpall “non grata” më 19 maj të këtij viti.

Më i vështiri në karrierën e tij politike, do ta cilësonte kryedemokrati, e megjithatë ai mori përsipër barrën, duke shmangur  votimin apo konsultimin në forume. Zemërata e Kryesisë dhe e vetë Sali Berishës e vunë Bashën përballë sfidës më të madhe si lider.

E megjithatë, ky vendim i vështirë dhe i papritur për shumë, e vendosi paradoksalisht Bashën në pozitat e vërteta të liderit të Partisë Demokratike.

Hija e Sali Berishës dhe etiketimi i tij si “babai politik”  e kishte përndjekur Bashën gjatë tetë viteve të drejtimit të Partisë Demokratike.  Akti i përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar, i dha Bashës jo vetëm atributet e vërteta të liderit, por edhe ndjesinë e pushtetit.

Pushtet për të përballuar kritikët, për të replikuar me Berishën dhe madje për ta akuzuar atë si mbetje të komunizmit dhe për ta vendosur në trekëndëshin e Bermudës së korrupsionit, me Ramën dhe Metën.

Me këtë akt, Basha bëri ndarjen jo vetëm me Berishën, por edhe me të shkuarën e Partisë Demokratike. Kryedemokrati madje denoncoi nga foltorja e Kuvendit edhe pjesë të qeverisjes së shkuar të demokratëve, duke i etiketuar si “llum i tranzicionit”.

Ndërsa Berisha kishte nisur luftën e tij, përmes “Foltore”-s duke e anatemuar Bashën si “peng” të kryeministrit Rama, kryedemokrati  bëri një luftë tjetër. Basha dhe PD iu vunë  nismave ligjore dhe ndryshimeve kushtetuese, nga reforma territoriale tek i ashtuquajturi Veting i Politikanëve.

Edhe mbështetja e hapur e Uashingtonit, përmes ambasadores Kim, ishte një përpjekje për të fortifikuar rolin e tij të liderit legjitim, të dalë nga zgjedhjet e brendshme.

Basha do të deklaronte fort se nuk do të lejonte mbajtjen e asnjë kuvendi anti-amerikan, ndërsa Berisha kishte lajmëruar mbajtjen e një të tilli në ditën e themelimit të Partisë Demokratike. Ndërsa Berisha përpiqej ta rikthente ndikimin dhe partinë në epokën para-Bashës, ky i fundit përdori slogane për ndarjen njëherë e mirë nga e shkuara.

Kryedemokrati pranoi edhe dualizimin që e kishte ndoshta persekutuar deri më tani. Pranoi se djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale kishin qenë ide e hershme e Sali Berishës.

Basha vendosi të ndahet jo vetëm nga e shkuara, por edhe nga aleancat e vjetra me LSI-në. Ai do të hapte disa fronte lufte njëherësh, me presidentin, ish-aleaten, ish-kryeministrin dhe kreun  e qeverisë. Megjithatë Basha deklaronte se armiku i vetëm i tij ishte Edi Rama dhe ai që cilësonte si regjim i tij.

Ai nuk u tremb as nga numrat, pasi Berisha mbajti Kuvendin e 11 dhjetorit, ku edhe u votua shkarkimi i Bashës si kryetar partie.  Basha e ccoi PD-në në Kuvendin e 18 dhjetorit, duke e deklaruar si të vetmin  të vërtetë e nga ku dolën me vendimin për të përjashtuar nga çdo post partiak figurat e shpallura “non grata”.

Ky ishte akti final i lidershipit të Bashës, në përpjekje për ta mbajtur Partinë Demokratike në këmbë, duke hedhur poshtë zëra për krizë dhe përçarje.

Për të treguar edhe fuqinë e tij prej lideri, Basha nuk u tremb të ndëshkonte zërat kundër e ata që nuk besuan se ai ishte i njëmendtë në veprimet e muajve të fundit.

Lulzim Basha mund ta ketë drejtuar Partinë Demokratike, nga njëra humbje në tjetrën, duke mos siguruar dot ardhjen në pushtet, e megjithatë këta tetë vite kanë qenë ndoshta më sfiduesit për çdo lider politik. Nga çadrat në bulevard, te marrëveshja me Ramën më 2017, djegia e mandateve parlamentare dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale më 2019-n e deri te kriza më e madhe e demokratëve. Basha zgjodhi të konfirmohet si lider në kohët më të vështira për një politikan  dhe ndoshta kundër gjasave të shumë skeptikëve, qëndron ende.

Basha: Opozita do të udhëheqë të gjitha protestat

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha nuk e ka përjashtuar mundësinë e një proteste për dy çështje me rëndësi, si inceneratorët dhe publikimi i listës me emrat e tatimpaguesve, ku jepen të dhëna të tyre personale.

Madje ai ashpërsoi gjuhën duke shigjetuar kështu ish-kryeministrin Sali Berisha, ndërsa theksoi se ka pasur shumë personazhe në PD që e kanë pasur mendjen te karrigia. Ndonëse ai nuk përmendi emra, Basha tha se këta persona duhet madje të ishin në burg.

“Çdo përpjekje për të keqkuptuar demokracinë do të marrë përgjigje që meriton. Shqiptarët janë zot të fatit të tyre. Ti e ndjen që duhet të protestosh sot?! Atëherë pse nuk proteston. Opozita do të udhëheqë të gjitha protestat. Ku e di ti që nuk do të bëhet protestë për këtë. Ky është truk aspak evropian, për të hequr vëmendjen. Nuk është opozita problemi, por një qeveri që ka kapur gjithçka. Opozita është në detyrën e saj, ka thirrur dhe do të thërrasë protesta. Këtu janë vjedhur të dhënat e të gjithë qytetarëve, jo të opozitës. Shumë media prodhojnë sondazhe false të paguara nga inceneratorët. Punësojnë çirakë të trekëndëshit të Bermudës, dhe i japin kohë për spektakël hijes së të shkuarës, duke i bërë shërbim Edi Ramës. Mungesa e transparencës, shfokusimi i vëmendjes publike, janë probleme më të cilat përballet sot shoqëria shqiptare.

Mediat mos t’ia ndajnë vëmendjen këtyre dy skandaleve. Siç e fokusojnë ata që e kanë mendjen vetëm te karrigia. Ata që ishin sot dhe dje, me PD i lidhte vetëm karrigia. Ata kanë zbatuar jo pak studio, si filozofë. Ata janë hajdutë që e kanë rrjepur PD dhe Shqipërinë, janë të korruptuar, e kanë vendin në burg, bashkë me kolegët e tyre të PS, po të funksionojë drejtësia. Jemi të hapur për çdo hetim, dhe për pjesën tonë të fajin. Janë vjedhur të dhënat personale për t’i përdorur PS, Edi Rama. Sot ato plastmase e peçikllazit duhet të jenë me ministra sotme, dhe kryeministri duhet të ishte dorëhequr. Të gjithë të bëhemi bashkë të bëjmë detyrën tonë. Opozita do të bëjë detyrën e saj. Ju mendoni se opozita po pengon protesta. Ata që mendojnë se do të zgjidhin gjithçka me një protestë, gënjejnë. Ata madje janë gënjeshtar dhe pjesëmarrës në këto çështje. Nuk duhet t’i ndaheni hajdutëve kur ju dalin në konferenca për shtyp ku ju bëjnë panaire dhe kotësira. Vërjani mikrofonin. Mund të ecim para kështu. Jemi të hapur për çdo bashkëpunim. /Gazeta Liberale


KOMENTO (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

  1. Si publicist i vjetër, me modesti, pa kamera, bëra ca intervista, duke ju drejtuar pyetjen qytetareve : Kush do të jenë pronarë, të zyrave në SHQUP, pas dates 05.01.2022?
    I mjeri unë çfare përgjigjesh mora.Meqe pyetjen e bera për humor, do t’u rrefej pergjigjet që më ketheu rinija troç , sot në Tiranë. Kur denjonin të më kthenin pergjigje, m’u drejtuan:” Zotëri, zotni, matuf,komunist, enverist, zogist, reaksionare,….”
    Ndërsa përgjigjet pak a shumë qenë keto; “ Jemi duke festuar Vitin e Ri. Axhë festo sot edhe ti me rininë! Mos u merr me marrezitë e politikës, se dikur, të kemi njohur për burrë të zgjuar!”
    Mirë ma bënë,ndonëse nuk e kuptuan humorin e plakut.

    Përgjigju ↓
Back