Aktualitet

Lula fitoi zgjedhjet presidenciale në Brazil

Shkruar nga Liberale
Lula fitoi zgjedhjet presidenciale në Brazil

Luiz Inacio Lula da Silva fitoi zgjedhjet presidenciale në Brazil. Ai mori 50.9% të votave. Lula, kandidat i së majtës dhe ish-president që nga viti 2003, deri në vitin 2011, kishte premtuar rikthim të politikave sociale që kishin karakterizuar presidencën e tij të mëparshme.

Pas shpalljes së rezultateve, ai mbajti një fjalim shumë emocionues në Sao Paulo, ku ndër të tjera theksoi: “U përpoqën të më varrosin të gjallë, por ja ku jam”.

Fushata zgjedhore në Brazil u shoqërua nga tensione dhe disa episode të dhunshme.

Për momentin Bolsonaro nuk ka komentuar rezultatin dhe nuk ka pranuar humbjen, por fakti se ai s’mund të njohë fitoren e Lulës është një detaj që shqetëson shumëkënd.

Arsyeja lidhet kryesisht me marrëdhëniet e ngushta që Bolsonaro ka me shtabet e ushtrisë, por dhe me frikën se simpatizantët e tij, të mbështetur edhe nga ushtria mund të përpiqen të pengojnë me dhunë fitoren legjitime të Lulës.

Një nga frikërat më të mëdha është se mund të ndodhë diçka e ngjashme me atë që ndodhi në Shtetet e Bashkuara, pas fitores së Joe Biden në zgjedhjet e fundit presidenciale, ku presidenti në largim Donald Trump nuk njohu fitoren dhe qindra mbështetës të tij sulmuan Kongresin për të penguar presidentin e ri të merrte detyrën.

Lula është 77 vjeç dhe është një simbol i së majtës amerikano-jugore në botë. Karriera e tij e gjatë politike si sindikalist u minua nga një sërë skandalesh dhe një dënim për korrupsion që çoi në burgosjen e tij.

Vitet e presidencës së tij ishin një periudhë e rritjes së madhe ekonomike në Brazil, e karakterizuar nga ndërhyrje të forta edhe efektive në luftën kundër varfërisë dhe urisë tek shtresat e margjinalizuara në vend, kjo edhe falë programeve të fondeve sociale dhe mbështetjes së drejtpërdrejt ekonomike.

Nga ana tjetër, Bolsonaro udhëhoqi një qeveri radikale të krahut të djathtë, duke e përqendruar më shumë fushatën e tij tek konservatorizmi i fortë social, tek siguria kombëtare, mbrojtja e vlerave tradicionale e të krishtera. Ai uli taksat për më të pasurit, reformoi pensionet, lehtësoi aksesin për të pasur armë, uli buxhetet për mbrojtjen e mjedisit dhe në veçanti për pyllin tropikal të Amazonës.

Presidenca e tij u karakterizua nga skandale të shumta në lidhje me korrupsionin. Bolsonaro e trajtoi pandeminë në vend në një mënyrë shumë të diskutueshme, ku humbën jetën 685 mijë brazilianë, duke u akuzuar se kishte nënvlerësuar rreziqet e koronavirusit dhe mbi të gjitha ishte shfaqur skeptik ndaj vaksinave, duke propozuar zgjidhje joshkencore./Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH