Aktualitet

Luan Rama: Harrimi është shenjë e rivrasjes, por edhe dëshmi e hipokrizisë së një klase politike

               Publikuar në : 16:10 - 05/09/21 liberale

Luan Rama, ish-zëvendës kryetar i LSI-së ka kujtuar ditën e sotme Çlirimin e Skraparit nëpërmjet një mesazhi në rrjetet sociale.

Ai shkruan në “Facebook”, se historia e trevës së Skraparit me identitet të spikatur dhe me kontribute përcaktuese për fatet e lirisë së vendit, na dëshmon një popull qëndrestar në heroizmin e vet dhe të bashkuar sa herë i është dashur të përcaktojë fatet e të ardhmes së tij.

Ai shkruan për luftëtarët e LANÇ në Skrapar “Ata u bënë simbol heroizmi, u bënë simbol krenarie dhe përkushtimi atdhetar” duke u drejtuar me tone kritike ndaj institucioneve shtetërore dhe klasës politike duke thënë “ Harrimi është shenjë e rivrasjes, por edhe dëshmi e hipokrizisë së një klase politike që nuk e lidh më asgjë me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.”

Postimi i plotë:

Në 5 shtatorin e çlirimit:

PËRJETË NDERIM DHE MIRËNJOHJE PARTIZANËVE DHE POPULLIT ANTIFASHIST TË SKRAPARIT

Nuk është e rastit që populli atdhedashës i Skraparit qe ndër pararendësit e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, duke u bërë edhe zona e parë e çliruar në të gjithë Shqipërinë.

Historia e kësaj treve me identitet të spikatur dhe me kontribute përcaktuese për fatet e lirisë së vendit, na dëshmon një popull qëndrestar në heroizmin e vet dhe të bashkuar sa herë i është dashur të përcaktojë fatet e të ardhmes së tij.

I lidhur me dashurinë e shpirtit me tokën dhe lirinë, heroizmi i popullit të Skraparit shkëlqeu më shumë se asnjëherë tjetër më parë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Populli dhe partizanët e Skraparit me luftën, gjakun dhe sakrificat e panumërta, i bënë nder Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar.

Ata u bënë simbol heroizmi, u bënë simbol krenarie dhe përkushtimi atdhetar, dhe të tillë janë e do të mbeten përjetësisht në panteonin e lavdisë së historisë sonë kombëtare, pavarësisht faktit që sot në 5 shtatorin e çlirimit të Skraparit, askush prej autoriteteve shtetërore të Shqipërisë antifashiste, nuk u kujtua të thotë një fjalë nderimi për atë popull, për atë trevë të larë në gjak e mbuluar me lavdi partizane.Harrimi është shenjë e rivrasjes, por edhe dëshmi e hipokrizisë së një klase politike që nuk e lidh më asgjë me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Populli i Skraparit është krenar për historinë e vet.

Populli shqiptar është krenar për Skraparin dhe luftën partizane të popullit të Skraparit.

Ndaj sot në 5 shtatorin e çlirimit, përjetë nderim dhe mirënjohje partizanëve dhe popullit antifashist dhe liridashësh të Skraparit!

Tags: , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back