Leteratura

Loer Kume, fitues i çmimit “Kadare” 2019

               Publikuar në : 09:23 - 10/06/19 Liberale

— Do të ndalojmë një moment këtu, — i tha vajzës në krah. Ajo bëri të nxirrte një cigare dhe çakmakun.
— Ti e di që e urrej cigaren, — i foli ashpër ai, — dhe ma ndez edhe në makinë!
— Po makina e hapur është, — u ankua ajo, duke e futur sërish në paketë.

Kalonte shpesh andej, kur dilte shëtitje të gjata me makinën e hapur. Me ndonjë shoqëruese. Por, me asnjërën nuk kishte ndaluar. Deri këtë herë.
“E pse të ndaloj këtë herë?” — e pyeti veten. E para se të gjente një përgjigje, hapi krahun në buzë të rrugës dhe fiku makinën …

Këto janë vetëm disa rreshta nga tregimi “Artisti”, një prej 10 tregimeve në dorëshkrim, të cilat u vlerësuan nga juria e edicionit të pestë të çmimit “Kadare” si vepra më e mirë e këtij edicioni. Ashtu si në tregimet e Hemingway-t gjithçka ndërtohet mbi dialogun, për të kuptuar historinë e një njeriu që noton gjithnjë kundër rrymës, i cili sheh vetëm nga një kënd …

Loer Kume i përket një brezi të ri shkrimtarësh, të cilët pëlqejnë të eksperimentojnë në rrymat e modernitetit, por pa kaluar kufijtë e shkrimit.

Juria, e kryesuar nga Bashkim Hoxha, në përbërje të së cilës ishin Mehmet Kraja, Diana Kastrati, Genciana Abazi Egro dhe Alda Bardhyli, e vlerësuan Kumen me motivacionin: ‘Ai është përfaqësuesi i një gjenerate të re shkrimtarësh, i cili eksperimenton me letërsinë, në kërkim të formave të reja letrare, larg komercializmit dhe të zakonshmes në letërsi”.

Por për të mbërritur në përzgjedhjen e tij si fitues i edicionit të pestë të çmimit “Kadare”, juria është përfshirë në diskutime. Nga pesë autorë që garonin për çmimin e madh: Ylljet Aliçka me “Metamorfoza e një kryeqyteti”, Fate Velaj me “Itaka”, Mimoza Hysa me “Bijat e gjeneralit”, Roland Gjoza me “Te Deum”, Loer Kume me “Tregime”, fillimisht është votuar për tre autorë që do të vijonin garën. Tre autorët që vijuan garën ishin Fate Velaj, Ylljet Aliçka dhe Loer Kume. Ashtu si në të gjitha institucionet e gjykimit, ishte vota ajo që vendosi edhe fituesin e këtij edicioni. Për jurinë ky çmim kthen vëmendjen ndaj një brezi të ri autorësh, të cilët kanë vokacione interesante në kërkim të formave të reja letrare, duke iu bashkangjitur zhvillimeve bashkëkohore të letërsisë.

Rreth 50 dorëshkrime konkurruan këtë vit për çmimin “Kadare” dhe vetëm 10 prej tyre mundën të ishin pjesë zyrtare e garës. Për Alda Bardhylin, koordinatore e këtij çmimi, numri i madh i dorëshkrimeve pjesëmarrëse në garë tregon rritjen e besueshmërisë që ky konkurs ka krijuar te krijuesit, por dhe impaktin që ky konkurs ka pasur këto vite për të inkurajuar shkrimin e letërsisë shqipe.

Çmimi “Kadare” ndahet çdo vit nga Instituti Europian “Pashko” dhe ka një vlerë prej 10 000 mijë eurosh, ku futen botimi i librit, kontrata individuale me autorin e Ditët Letrare të Razmës. Në jetën letrare në vend, ky çmim ka zgjuar atmosferën letrare dhe rritur ndjeshmërinë ndaj letërsisë shqipe.

Ashtu si çdo vit juria u mblodh për vendimin final në Razëm, ku u mbajtën dhe Ditët Letrare, të cilat këtë vit kishin në fokus konferencën me titull “Gjuha, identiteti, letërsia”, organizuar nga Departamenti i Shkencave Humane dhe Komunikimit në Universitetin Europian të Tiranës në bashkëpunim me Institutin Europian “Pashko”. Studiues dhe profesorë nga hapësirat shqiptare, si Kosova dhe Maqedonia, u bënë bashkë, për të kuptuar mbi mënyrën sesi çështje të identitetit janë trajtuar në letërsinë tonë.

Instituti Europian “Pashko” përmes shtëpisë botuese UET PRESS, do të botojë të pestë veprat e autorëve finalistë në kolanën “Leteratura”. /Gazeta Liberale

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *