Leteratura

Loer Kume: Do të doja të darkoja me Kutelin

               Publikuar në : 09:26 - 10/06/19 Liberale

Loer Kume është autor i dy romaneve “Lux”, botuar më 2011-n dhe “Një histori e rrëmujës” 2018 nga “Albas”. “Me një stil që të kujton kronikat e shpejta të Bukovskit, Loeri vizaton rrëmujën për ta bërë atë grishëse teksa e lexon. Kaosi si një gjendje që përshkon librin, ndihet dhe në dialogët e pafundmë, mbi të cilën shkrimtari ndërton ngjarjen”, shkruan kritika për të. Për ta njohur më mirë fituesin e çmimit “Kadare” 2019, ne po risjellim një bisedë që kemi bërë me të pak kohë më parë.

Aktualisht, cilët libra keni më për zemër?

Këto kohë jam krejtësisht i zhytur nëpër poezi. Kam rizbuluar çdo të thotë të lexosh poezi e poetë. Të lexosh poezi e gradon veten menjëherë në generalissimus e dijes së fshehtë. Ndërkohë po bëhem gati për të nisur Detektivët e egër të Roberto Bolano. Po bëhem gati, do të thotë se po lexoj kujtimet e Isabel Allende, të cilën Bolano e përçmonte.

Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?

S’do ta quajmë saktë roman, por Epi i GilgameshitGilgameshi i ka thënë gati të tëra. I pari. Ato që mbetën i tha Homeri, e kusurin fare e thanë tragjikët e lashtësisë. Tërë ne të tjerët, nga më i madhi te më i vogli, përsërisim të njëjtat refrene, duke stërholluar shijen estetike të njerëzimit. Duke e bërë jetën të bukur. Sidoqoftë, kjo është histori e vjetër. Romani më i mirë i të gjitha kohërave pritet gjithmonë të shkruhet. Të tërë atë po bëjmë.

Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjitha kohërave?

Përrallat. Çdo lloj përralle e çdo lloj kombësie. Përrallat janë thelbi, njësia elementare e të qenët i ndjeshëm e romantik.

Cilët ndër ata që merren me letërsi artistike, eseistë, kritikë, gazetarë apo poetë, quani si shkrimtarët më të mirë sot për sot?

Po e përdor këtë pyetje për të përmendur një emër: Andrej Nikolaidis. Është nga ballkanikët më të mëdhenj sot.

Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni?

Çdo lloj gjinie letrare, përveç dramaturgjisë dhe letërsisë rozë. Parimi kryesor i çdo libri që kap në dorë është: 1. Të mos më humbë kohë; 2. Të më argëtojë.

Dhe çfarë nuk lexoni?

Revista. Kam alergji nga revistat e çdo lloji. Dhe as nuk e di pse.

Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?

Me një sy të shpejtë bibliotekës, Fjalori Finlandisht – Anglisht. Dy- tre libra të Osho-s. Toksikologjia e bimëve helmuese. Numerologjia. Shprehje popullore nga Rrethi i Korçës.

Çfarë librash nuk do t’i lexoni me vetëdije?

S’do të lexoj kurrë “Lufta dhe Paqja” e Tolstoit. S’do të lexoj “Pavijonin e kancerozëve” të Solxhenicin. S’do të lexoj shumë libra. E di këtë.

Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj?

Lexues i përbindshëm. Dija tërë mitologjinë greke në moshën gjashtëvjeçare. Me burra, gra, fëmijë të ligjshëm e të jashtëligjshëm, kunetër, dashnorë, heronj, tradhtarë, gjysmënjerëz, gjysmëkuaj, madje edhe kuaj. Të njohësh kuajt e Akilit, është diçka e rëndësishme. Por, kam vënë re se s’jam fare i vetëm. Kam gjetur njerëz të rrallë me të njëjtin pasion për çështjet e mitologjisë, me kalimin e kohës.

A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?

Jam futur në telashe kur kam lexuar një libër. Librin e “Ringjalljes Inverse”. Ku ti shqipton gjëra të frikshme që sjellin të vdekurin në jetën e të gjallëve.

Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë ky që jeni sot, cili do të ishte ai?

“Zorba” i Nikos Kazantzakis.

Nëse do t’i kërkonit presidentit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?

“Histori e shkurtër e rrëmujës”. Është shumë e rëndësishme ta lexojë çdo politikan. Është një hapje sysh. Një kërcënim. Një deklaratë sociale. Çdo njeri që merr përsipër një rol publik, duhet t’i bëjë hesapet mirë me qytetarët, zgjedhësit, të drejtën ligjore, e në fund me Deanin dhe grupin e Carma Police.

Është shumë kjo. Ju lutem vetëm tre personazhe për një darkë …

Ndoshta u bën shumë, ndaj do të zgjidhja vetëm një … Kutelin. Do të doja të darkoja me verë të mirë, vetëm për vetëm me Kutelin. Të rrëmoja prej tij historitë e fshehta të Shqipërisë. Historitë e parasë dhe popullit. Rrëfenjat e fshatit të jugut, e të parrëfyerat e Bankës së Shqipërisë. Kuteli është mësuesi, nga i cili s’kemi mësuar ende thuajse asgjë.

Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk shkoi si duhet?

“Provimi” i Julio Cortazar. Cortazar e adhuroj si shkrimtar, por “Provimi” më erdhi si një kopje amerikano-latine e Uliksit. Plot me referenca mbi Buenos Aires dhe historinë e imët të Argjentinës, tek e cila nuk depërtojmë dot. Krejt ndryshe më ka ndodhur me “Për heronjtë dhe varret” të Ernesto Sabato. Dhe ai flet imtësisht për Buenos Aires, por ai të futet në gjak. Sidoqoftë, pas kohe, e kur ti vijë koha, do t’ia jap edhe një mundësi tjetër.

A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?

“Udhëtim i pambaruar” i Samuel Becket, dhe “Xhuxhët” e Harold Pinter. S’di në do t’i lexoj ndonjëherë më.

Kë do të donit të shkruante historinë e jetës suaj?

Njerëz të ndryshëm dinë histori të ndryshme të jetës sime, të kohëve të ndryshme. Jam shumë kurioz ç’do t’i bëjë bashkë këta njerëz, çelësat që do të zbërthejnë ngjarjet, lidhjet dhe renditjet; duhet një drejtues ose drejtuese shumë e mirë orkestre. Mbase ime bijë do ta bëjë diçka të tillë, ajo është aq e qartë dhe me kuriozitetin e duhur që të gërmojë gjithçka e ta orkestrojë drejt. Jam vërtet kurioz ç’a dreqin do të ndodhë me tërë të fshehtat e mia.

Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?

Kthimi është shumë i rrallë, nuk kam kohë, por me dëshirë te Borghes dhe Kazanztakis. Veprën e Kazantzakis mundohem të mos e mbaroj kurrë, ndërsa Borghes t’ia përsëris gjithmonë.

Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?

Veprën e Proust. E ndiej që ka diçka që më mungon, diçka shumë të madhe, ndihem i paplotësuar derisa t’i lexoj vëllimet e kërkimit të kohës së humbur.

Çfarë keni ndërmend të lexoni tjetër?

Po jap një listë: John Updike, Carlos Fuentes, Becket, William Faulkner, Kazushige Abe, Don Dellilo, Javier Marias, Kazuo Ishiguro, Sabato, Idlir Azizaj, Anton Pashku, Kristo Frashëri e Arben Puto me libra historikë. Paul Auster, Yanis Varufakis dhe shumë shumë poezi.

Nuk kemi kohë aq sa kemi libra, e për sa kohë kemi libra, dimë të jetojmë bukur. /Gazeta Liberale

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *