Art & Kulturë

Loer Kume: Çmimi Kadare, gjëja më e mirë që po i ndodh letërsisë

               Publikuar në : 11:53 - 03/07/19 LP

Loer Kume, fitues i “Çmimit Kadare”, 2019, i ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, ka folur më tepër mbi çmimin e marrë si përfaqësues i një gjenerate të re shkrimtarësh dhe veprën me të cilin fitoi.

Kume u shpall fituesi i edicionit të 5-të të këtij konkursi, me librin “Amygdala Mandala”, një përmbledhje  e kujdesshme prej 10 tregimesh.

Titulli është vetë fija që i lidh me njëri-tjetrin, pasi amygdala një qendër nervore në tru, që përgjigjet për ndjesitë dhe refleksionet tona më primare, siç janë frika, gëzimi, euforia, çmenduria dhe dashuria. Mandalat janë skemat e famshme të universit që bëhen në fetë budiste dhe hinduiste, që janë në formë rrathësh”, ka thënë ai.

Sa i përket mesazheve që ka përcjellë nëpërmjet tregimeve të tij, Kume ka thënë se “Amygdala Mandala”, më tepër se të japë mesazhe, synon të ralizojë katarsisin te lexuesi.

Është një vepër arti pa shumë mesazhe sociale, është një formë katarsi më shumë sesa dhënia e mesazheve. Ti e lexon dhe tronditesh e pastaj reflekton për këtë”, është shprehur ai.

Kume e ka cilësuar “Çmimin Kadare”, si një nga gjërat më të mira që i ka ndodhur letërsisë shqipe, pasi vetëm nëpërmjet konkurseve ka përballje, qasje ndaj lexuesve, ka vepra të reja e njëkohësisht ndikim te shoqëria.

Në realitetin tonë nuk ka shumë konkurse dhe duhet të kishte më tepër, nuk ka rëndësi skemat dhe prapaskenat e mundshme që mund të realizohen. Konkursi është një arenë ku shkruesi dhe shkrimtarët përballen dhe kjo arenë është një qasje ndaj publikut. Sa më shumë konkurse të kishim, aq më afër publikut do të ishim dhe aq më shumë letërsia do të kishte një rol të rëndësishëm, që nuk e ka. Në letërsitë e vendeve të tjera ka përballje, studime në kohë reale, pasqyrimin që ka letërsia mbi realitetin, ndikimin që ka.

Ky çmim ishte rasti që hedh dritë mbi letërsinë. Po të mos ishte ky çmim nuk do të ishin ato 54 dorëshkrime, nuk do të kishte përballje, qasje ndaj lexuesve dhe fitues. Konkursi Kadare është një nga gjërat më të mira që i ka ndodhur letërsisë shqipe. Për mua ishte një goditje shumë e madhe realisht shpallja si fitues”, është shprehur Kume.

Ky është viti i pestë i krijimit të “Çmimit Kadare”. Në katër vite më shumë se 100 autorë kanë qenë pjesë e këtij konkursi, ndërsa janë botuar 4 vepra të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore shqipe, fituese të këtij çmimi./Gazeta Liberale

(Visited 42 times, 1 visits today)

Etiketa: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *