Kryesore

Lobimi në SHBA, çështje e mbyllur

               Publikuar në : 09:26 - 14/01/20 liberale

Ndërsa PD e quan gjueti shtrigash hetimin dyvjeçar ndaj kreut Basha për lobimin rus dhe vënie në vend të drejtësisë vendimin e gjykatës, PS e sheh teatër absurd që rrëzoi në dy orë punën dyvjeçare të prokurorisë, ndërsa lajmëron apelimin dhe sugjeron që dosja të rikthehet për hetim tek SPAK

Dje do të merrte fund saga e akuzave dhe hetimeve të kryetarit të Partisë Demokratike mbi lobimin rus, që nisi me një artikull të revistës amerikane “Mother Jones”, vijoi me hetimet e hapura kryesisht nga Prokuroria e Tiranës e që pati zhvillime të mëvonshme si thirrja e Lulzim Bashës në prokurori, mbylljen e hetimeve dhe dorëzimin e dosjes në gjykatë, ku kryedemokrati do të paraqitej si i pandehur, për akuzën që u reduktua në falsifikim formularësh.

Në fillim të nëntorit, selia blu do të deklaronte se kishin rënë poshtë 90 përqind të akuzave dhe ai 10 përqindësh i mbetur do të çmontohej në sallën e gjyqit.

Dje, gjykata e Tiranës vendosi të pushojë çështjen për të cilën akuzoheshin bashkë me kreun Basha, edhe ish-Sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani dhe financieri i partisë Ilir Dervishi.

Pas vendimit të drejtësisë, ish-ministri demokrat i drejtësisë njëherazi edhe përfaqësuesi ligjor i Bashës për çështjen, Eduard Halimi e cilësoi akuzën e ngritur si sajesë dhe gjueti shtrigash

“U provua pas më shumë se dy  vite hetime nga ana e prokurorisë, se gjithçka ishte një akuzë tërësisht e sajuar, bazuar vetëm mbi spekulime, dhe u vërtetua katërciprisht se nga 2 vjet hetime nuk kishte asnjë lidhje Partia Demokratike dhe nuk kishte asnjë vepër penale. Nuk ishte shkelur asnjë ligj nga Partia Demokratike dhe as nga zyrtarët e saj, as në Shqipëri dhe as në vend tjetër”, do të deklaronte dje Halimi, ndërsa përshëndeti vendimin e djeshëm të gjykatës, duke e cilësuar si një vendim drejtësie. “Ky ishte një vendim që rrëzoi tërësisht gjithë akuzën, gjithë gjuetinë e shtrigave që për dy vjet u mbajt në territorin e prokurorisë dhe që u rrëzuan përfundimisht të gjitha akuzat ndaj Partisë Demokratike”, do të përfundonte Halimi.

Pas seancës gjyqësore do të shprehej edhe i akuzuari tjetër, Arben Ristani, i cili e quajti  çështjen të montuar politikisht. “Gjykata vendosi të pushojë çështjen, sepse fakti nuk ekziston, veprimet e kryera janë të bazuara në ligj dhe për këtë gjykata vendosi të pushojë gjykimin e kësaj çështje”, do të shprehej ish-Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, ndërsa do ta mbështeste përfundimin e tij mbi montimet politike edhe tek qëndrimi i ndryshëm i tre prokurorëve të çështjes.

Prokuroria

Dy  nga tre prokurorët e çështjes, Gjergji Tako dhe Ervin Karanxha, i  mbyllën hetimet nëntorin e vitit të kaluar  duke pushuar akuzën për “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe përgatitën  dosjen për në gjykatë për veprën penale Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”. Megjithatë prokurori i tretë i çështjes, Kolë Hysenaj ishte i mendimit se hetimet duheshin vijuar, duke mos e firmosur dosjen e cila u dorëzua në gjykatë. “Unë e kam deklaruar që sado të ndikojnë te drejtësia,  do ketë njerëz që do të  japin drejtësinë që i mungon këtij vendi”, u shpreh Ristani, i cili do të shtonte se lobisti amerikan Nik Muzin ishte paguar me paratë e dala nga buxheti i PD-së, të deklaruara këto edhe pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Selia blu dhe kreu Basha kanë ngulmuar gjithnjë se bëhej fjalë për një pagesë prej 25 mijë dollarësh, që ishin paguar kompanisë së lobuesit, duke mohuar pagesën prej 675 mijë dollarësh që vetë Muzin kishte deklaruar para Departamentit Amerikan të Shtetit se ishin bërë nga Partia Demokratike, të kaluara përmes një kompanie offshore skoceze, “Biniatta Trade’, nën pronësinë e aksionerëve rusë.

Muzin përdori Amendamentin e Pestë të Kushtetutës Amerikane për të mos u inkriminuar, por sipas letërporosisë së mbërritur nga autoritetet amerikane, kërkohej që prokuroria shqiptare ta merrte në pyetje Muzin pasi amendamenti i përdorur prej tij nuk kishte fuqi jashtë territorit të ShBA. E megjithatë prokurorët e çështjes ishin të mendimit se nevojitej garanci që dëshmia e Muzin të jepet konform ligjit penal, pa cenuar rendin juridik të Republikës së Shqipërisë.

“Nik Muzin nuk ka pse kërkon garanci këtu, por t’ia kërkojë shtetit të vet. Fakti që nuk është në hetim në shtetin e vet do të thotë se çështja është plotësisht politike”, do të shprehej Ristani, i shkarkuar tashmë nga akuzat që rëndonin mbi të.

Vendimi i  djeshëm të Gjykatës së Tiranës, nuk është mirëpritur aspak nga Partia Socialiste.

Kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla, i cili edhe më herët kishte thënë se nëse dosja do të kishte elementë që i parashikonte ligji, t’i kalonte për hetim Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, e cilësoi vendimin si teatër të turpshëm.

“Kush mendon se kjo dosje e rëndë me të pandehur kryesor Lulzim Bashën, mund të mbyllet kështu pa u hetuar aspak në themel, pa u marrë në pyetje të gjithë personat e përfshirë, e ka shumë gabim”, do të deklaronte Balla, duke e lidhur si mbylljen e hetimeve nga prokurorët ashtu edhe vendimin e gjyqtarëve me organizatën e denoncuar nga kreu i qeverisë si “KCCK”.

“Nxitimi i stimuluar i ndonjë prokurori dhe gjyqtari që nuk e ka kaluar procesin e vettingut dhe që zbaton parimin ‘kap çfarë të kapësh’, shfaqën sot këtë teatër të turpshëm për sytë e shqiptarëve dhe jo vetëm”, do të deklaronte Balla duke i bërë thirrje KLGJ-së dhe KLP-së të hetojnë gabimet proceduriale me dashje të dy prokurorëve dhe gjyqtarit që vendosi dje të pushojë çështjen, duke hedhur poshtë sipas tij dy vite hetime për dy orë.

Balla lajmëroi apelimin e vendimit, të cilin e cilësoi absurd dhe rikthimin e çështjes për hetim të plotë “duke dhënë edhe garancitë nga Gjykata për marrjen në pyetje të përfituesit të parave Nik Muzin”.  Sipas socialistit, këta janë hapat e vetëm për të hedhur dritë e për të bërë drejtësi për dosjen, sipas tij, të rëndë. Po dje, kreu i qeverisë do t’i rikthehej paketës “Anti KÇK”, gjatë aktivitetit me forcat Renea, ndërsa foli për prokurorë e gjykatës të vetëdijshëm se do të ngelin në vetting, përfitojnë ç’të mundim përmes vendimeve skandaloze. Sipas Ramës, në ditët që vijnë propozimi do të kthehet në bazë ligjore për të ndërmarrë sipas tij ofensivë ndaj krimit të organizuar. “Do  të vëmë me shpatulla pas muri çdo anëtar të KÇK-së,  që do marrë vendime në kundërshtim me ligjin”, do të deklaronte kreu i qeverisë.

Edhe në nëntor, Balla ishte i ashpër ndaj veprimeve të prokurorëve Karanxha dhe Tako, ndërsa PS kishte çuar në Kuvend një rezolutë kundër financimeve të huaja të partive politike, miratuar më pas nga Kuvendi. Një tjetër deputet socialist, Ervin Bushati do të thoshte se kishin indicie për financime të firmave fantazmë dhe lidhje të oligarkëve rusë me PD-në, edhe pse në dy vite hetime prokuroria nuk kishte gjetur prova për të mbështetur këtë akuzë.

Ende pa u ngritur SPAK, Balla sugjeronte se cilat dosje duhet të hetonte prokuroria speciale ku krahas asaj ku akuzohej Basha, të hetonte edhe ish-kryeministrin Berisha në lidhje me privatizimin e OSSh-së.

Ndonëse maxhoranca flet për sukseset e Reformës në Drejtësi dhe ngritjen e institucioneve të rëndësishëm si SPAK, nuk i beson prokurorëve dhe gjyqtarëve të sistemit, të cilët rrëzuan akuzat e ngritura ndaj kryeopozitarit Basha, aq sa do të apelojnë vendimin e gjykatës, duke e përzier këtë të fundit edhe më shumë me çështjet politike nëse apelimi do të bëhet nga eksponentë të Partisë Socialiste.

Pushimi i çështjes për lobimin e PD/ PS: KLP e KLGJ të nisin hetimin ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve

Reagimi i parë nga Partia Socialiste për pushimin e çështjes për tre zyrtarët e PD-së, mes tyre edhe kryedemokrati Lulzim Basha, vjen nga kreu i grupit, Taulant Balla. Për numrin dy të socialistëve, gjyqtari i çështjes, Lazer Sallaku ka zbatuar parimin “Kap ça të kapësh” (KÇK), e megjithatë ai theksoi se KLGJ dhe KLP të nisin hetimin.

Balla shtoi se ky vendim duhet ankimuar dhe se Nik Muzin, përfituesi i parave nga PD-së duhet të merret patjetër në pyetje për të zbardhur të vërtetën

“Kush mendon se kjo dosje e rëndë me të pandehur kryesor Lulzim Bashën, mund të mbyllet kështu pa u hetuar aspak në themel, pa u marrë në pyetje të gjithë personat e përfshirë, e ka shumë gabim. Kjo nuk është një çështje vetëm e drejtësisë shqiptare.

Nxitimi i stimuluar i ndonjë prokurori dhe gjyqtari që nuk e ka kaluar procesin e vettingut dhe që zbaton parimin “kap çfarë të kapësh”, shfaqën sot këtë teatër të turpshëm për sytë e shqiptarëve dhe jo vetëm. Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet të hetojnë gabimet procedurale me dashje, që çuan në këtë teatër të turpshëm, ku prokuroria hetoi 2 vite dhe gjykata e mbylli për 2 orë.

Apelimi i këtij vendimi absurd dhe rikthimi i çështjes për hetim të plotë duke dhënë edhe garancitë nga Gjykata për marrjen në pyetje të përfituesit të parave Nik Muzin, janë hapat e vetëm për të hedhur dritë e për të bërë drejtësi në këtë dosje të rëndë”, tha Balla.

Gjykata e Tiranës në gjyqin paraprak që u zhvillua ditën e sotme vendosi pushimin e çështjes së lobimit për kryetarin e PD-së Lulzim Basha dhe dy zyrtarët e tjerë të PD-së, ish-sekretarin e përgjithshëm Arben Ristani dhe financierin e partisë Ilir Dervishi.

Paloka: Shpifja e radhës nga  maxhoranca shkoi në kosh të plehrave

Nënkryetari i PD Edi Paloka me anë të një statusi në “Facebook” shkruan se pushimi i çështjes ndaj kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha e zyrtarëve të tjerë të kësaj partie, të akuzuar për falsifikim, dëshmoi qartësisht se gjithçka ishte një shpifje e maxhorancës.

Paloka thekson se shpifja e radhës e maxhorancës shkoi në kosh të plehrave. Ai nënvizon se për fat të mirë, “Rilindja” nuk mund të marrë peng të gjithë drejtësinë, pavarësisht shantazheve dhe presioneve të gjithanshme për ta përdorur atë politikisht.

Shpifja e radhës , me të  cilën Rama , ndërsente më  të shpifurin e shpifësve, ndaj Bashqs dhe PD, shkoi në  kosh bashke me të e tjerat. Për fat te mire “rilindja” nuk mund të  marre peng të  gjithë drejtësinë, pavarësisht shantazheve dhe presioneve të  gjithanshme për ta përdorur atë politikisht, siç ka bërë në jo pak raste të tjera”, do të shkruante Paloka, duke shtuar se “drejtësia do të vendoset vetëm atëherë kur raca e taulantëve të “rilindjes” të  japë llogari jo thjesht për shpifje , po për krimet e kryera”, vijonte nënkryetari i PD-së, duke thënë se edhe Taulant Balla do të duhet të dalë para drejtësisë. “Tao Yaris duhet të  dalë  para një drejtësie të  pakapur e të  japë llogari për tenderët që merr nga qeveria miku i tij trafikant. Trafikanti për të cilin qeveria e Ramballëve është e gatshme të  zhvendosë  dhe Lanën e të shkatërrojë shtëpitë dhe jetën e qindra familjeve! Taulant Yaris duhet të  dalë  të  tregojë lidhjet me krimin, shitblerjen e votave, korrupsionin galopant me tenderë dhe koncesione,  që po varfërojnë çdo ditë  shqiptaret. PD e provoi dhe në këtë rast, që me asnjë fabrikim për shantazh nuk do të  na e mbyllin dot gojën. Ne do të luftojmë deri në  fund dhe shumë shpejt drejtësia do të  vendoset për të  gjithë./Gazeta Liberale

Tags: , , , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back