Kryesore

Listat mbyllen sërish

               Publikuar në : 09:31 - 05/04/21 liberale

Kur politika po përplaset për mënyrën se si do të jetë fleta e votimit, kompania që ka fituar tenderin ngre alarmin se nuk ka kohë për prodhimin e saj. Zvarritja e procesit duket se ka vënë në rrezik tashmë vetë zgjedhjet parlamentare.

Kompania sllovene që ka fituar tenderin për prodhimin e fletëve të votimit shpreh shqetësimin për përmasat saj. Në një letër drejtuar KQZ-së, kompania i bën të ditur se përmasat e mëdha të fletës së votimit do të kërkojnë më shumë kohë për t’u prodhuar, sidomos në një periudhë pandemie, kur masat kufizuese mund të ndryshojnë në çdo çast: “Në këtë kohë të vështirë pandemie, ku masat kufizuese mund të ndryshojnë në çdo moment, ne ju bëjmë me dije të merrni në konsideratë këto çështje. Në përfundim, ju bëjmë me dije se mund të kërkojë më shumë se 20 ditë për të prodhuar materialet zgjedhore në mënyrë të suksesshme”.

Kompania nënvizon gjithashtu se do të ishte më e përshtatshme që madhësia e fletës së votimit të jetë në përmasat 29,7 centimetra me 42 centimetra, apo i njohur si formati A3, pasi në të kundërt do të rrezikohet mos të ketë fletë për të votuar në 25 prill: “Nëse të gjitha fletët e votimit do të jenë në formatin 297×600, atëherë do të duhen nga dy deri në tre javë për të prodhuar fletën e votimit. Pë rsa më sipër, fatkeqësisht duket se ekzekutimi i suksesshëm dhe i sigurt për dërgimin e fletëve të votimit brenda 10 ditëve nga periudha 12-22 prill, mund të bëhet një mision i pamundur”.

Mesa duket, zvarritjet e KQZ-së në miratimin e fletës së votimit po japin efektet e para, ku koha deri në ditën e zgjedhjeve është më pak se tre javë.

Listat mbyllën sërish

Kolegji Zgjedhor ka lënë në fuqi vendimin e KAS për fletën e votimit në zgjedhjet e 25 prillit. Me anë të këtij vendimi, identifikimi i kandidatëve në fletën e votimit do të jetë me numra dhe jo me emër e mbiemër, propozim ky i Komisionarit Shtetëror dhe Partisë Demokratike

Kolegji Zgjedhor ka lënë në fuqi vendimin e KAS për fletën e votimit në zgjedhjet e 25 prillit. Me anë të këtij vendimi, identifikimi i kandidatëve në fletën e votimit do të jetë me numra dhe jo me emër e mbiemër, propozim ky i Komisionarit Shtetëror dhe Partisë Demokratike. PD paditi vendimin e KAS për fletën e votimit të 25 prillit, pasi kjo e fundit rrëzoi kërkesën e saj për fletë vertikale dhe pranoi atë të PS për kandidatë me numra.

Përfaqësuesi i PD, Ivi Kaso nga pala paditëse ka thënë se kërkesa e partisë së tij plotëson kriteret për t’u pranuar nga ana e Gjykatës.

PD paditi vendimin e KAS për fletën e votimit të 25 prillit, pasi kjo e fundit rrëzoi kërkesën e saj për fletë vertikale dhe pranoi atë të PS për kandidatë me numra.

Po ashtu PD ka paditur edhe vendimin për logon e BD, pasi është ankuar për ngjashmëri me të sajën dhe mund  të krijojë konfuzion në fletën e votimit.

“Çështja e fletës së votimit ndikon drejtpërdrejt tek zgjedhjet, dhe listën e kandidatëve. Meqenëse nuk ka kërkime të tjera, nga padia që kemi ngritur, vlerësojmë që kërkesa i plotëson kriteret e ligjit për t’u pranuar nga ana e Gjykatës.’’- tha Ivi Kaso.

Nga ana tjetër PS i ka mbetur stoike qëndrimit se fleta e votimit të 25 prillit duhet të jetë me numra, pasi ndihmon në përshpejtimin e rezultatit për të nxjerrë më shpejt votuesin, teksa ndikon edhe tek madhësia e fletës.

PD

Ivi Kaso, përfaqësuesi i PD, e cila është konsideruar pala paditëse, thotë se padia e tyre është bërë për dy gjëra. E para ka të bëjë me identifikimin e emrave të kandidatëve në fletët e votimit, pra, ata janë të mendimit që kandidatët të identifikohen me emra e mbiemra, e jo me numra, siç është vendosur tanimë në KAS pas padisë së Partisë Socialiste.

E dyta sipas tij, ka të bëjë me logon e subjektit Bindje Demokratike, e cila sipas Kasos, është e ngjashme me atë të Partisë Demokratike dhe nga eksperimentet që ai thotë se kanë bërë me zgjedhësit, ka rezultuar të krijohet konfuzion.

“Po në të njëjtën ditë, Komisioni Rregullator pas një mbledhje të gjatë të pa suksesshme vendos që nuk është kompetencë e vetja përmbajtja e fletëve të votimit në këto zgjedhje, duke demonstruar që përmbajtja nuk përcakton rregullat e zgjedhjeve. Ato nxorën jashtë kompetencave të tyre miratimin e aktit. I gjendur përballë shtrëngimit të kohës, edhe në bazë të mënyrës se si është kompozuar KQZ, të gjitha kompetencat e tjera sa i përket administrimit të procesit zgjedhor, mbetet pjesë e Komisonerit Shtetëror të Zgjedhjeve, ai ka thërritur një mbledhje për fletën e votimit të 25 prillit. Kjo vendimmarrje, pasi u dëgjuan nga palët, kanë ndarë qëndrimet e tyre dhe komisioneri ka vendosur një fletë votimi, të identifikonin çdo kandidat me emër dhe mbiemër sipas rindit numëror. Kjo vendimmarrje, ne si palë paditëse e kemi ankimuar. E kemi cilësuar të drejtë propozimin e Komisionerit Shtetëror, sepse ishte pjesë e ligjit, por ne mendojmë se formati portret, dukshëm identifikonte më mirë subjektet zgjedhore dhe kandiaatët. Ka qenë vetë KQZ që ka nxjerrë në faqen zyrtare modele të fletëve të votimit dhe ishte një fletë që kishte marrë më shumë vota nga një sondazh i bërë. Është një sondazh që ishte bërë për disa vite dhe kishin marrë të dhjetëra vota, i cili ishte ajo portret, i propozuar edhe nga ne. Në cdo manual të drejte, për sa kohë që flitet për shtetas, njerëz, kërkohet indetifikimi i tyre me emër dhe jo me numra. Kur thuhet votë parapëlqyese për kandidatin, duhet emri dhe mbiemri, kjo ka qenë qëndrimi ynë, i djeshëm, por edhe i sotëm. Prandaj kemi bërë dhe kontestimin. Arsyeja e dytë ka të bëjë që përkrahë Bindjes Demokratike gjendet një logo që ishte bërë e ditur më datë 31 mars 2021. Ky akt që na njohu me një logo të Bindjes Demokratike që është e ngjashme me logon e Partisë Demokratike. Duke e njohur këtë shqetësim, po atë ditë, kemi depozituar një kërkesë me shkrim Komisionerin Shtetëror të Shtetit, ku i kemi sjellë në vëmendje një akt, që parashikon se ne dy koalicione kanë emër ose logo të emër të njëjtë ose të ngjashme, KQZ vendos se cila nga të dyja duhet të përdorë emrin dhe logon, kjo bëhet edhe me themelimin e partisë. Ato ishim aq të ngjashme sa që shkaktonin konfuzion tek zgjedhësit, sepse ne e eksperimentuam tek zgjedhësit dhe rezultati ishte i dukshëm. Ne si parti nuk kërkojmë që Bindja Demokratike të ndryshojë logon për aktivitetet e tyre, por kërkesa jonë është ka të bëjë vetëm me fletën e votimit”, tha Kaso.

PS

Partia Socialiste, e përfaqësuar nga Eridian Salianji, është paraqitur në Kolegjin Zgjedhor me një kërkesë të qartë në lidhje me fletën e votimit, në zgjedhjet e 25 prillit.

Salianji, përpara trupës së Kolegjit Zgjedhor, deklaroi që të mbetet në fuqi vendimi i KAS, për fletën e votimit. Vendimi i KAS, mbështeti propozimin e Partisë Socialiste, e cila kërkoi që në fletën e votimit kandidatët të identifikohen me numra dhe jo me emër e mbiemër.

Sipas Salianjit, PS është kundër fletës së votimit me emra e mbiemra, pasi sipas tij, krijon konfuzion dhe vështirëson procesin e numërimit. Po ashtu, ai deklaroi se fleta e votimit, në të cilën do të operojnë të gjithë shtresat e shoqërisë, duhet të jetë në mënyrë sa më të thjeshtëzuar.

“Përmbajtja në nenin 98 pika tre thuhet se në fletën e votimit thuhet se duhet futur emrat e subjektit zgjedhor dhe përbri emrit të partisë kandidatët me numra. Është bërë një sondazh nga KQZ, por ky është një problem teknik që s’mund të vendoset në sondazh, internetin e përdorin përgjithësisht moshat nga 16, deri në 60 vjeç. Por formati do të bëhet për personat moshat e tera. Edhe ne jemi dakord me emra, por duke qenë se janë shumë parti, kjo e bën të pamundur përmbajtjen e emrit. E kemi vënë si kandidat parapëlqyes, ta garantojmë që të votohet, por KQZ duhet të mendojë edhe për zgjedhësin, të mos konfuzionet. Ajo sjell konfuzion në votim, por edhe gjatë numërimit bëhet e pamundur vlerësimi i saktë i fletës. Kemi dy akte të miratuara, një nga rregullatori e një nga komisioneri. Vendimi i KAS, gjë mbështetje edhe nga Kodi Zgjedhor. Ka edhe një vendim që nuk është përmendur, vendimi për hedhjen e shortit, ajo është sot në fuqi. Shihni radhën, në fletën e Tiranës s’është vendosur ky vendim. Në fletën e Tiranës poshtë 1 keni 4, në krahë të 2, keni 6. Partia Socialiste është ë 12, në fund, që është 11 sipër, ka një kakofoni të organizimit të fletës. Për këto fakte, vendimi i komisonerit bie në kundërshtim me atë të rregullatorit. Si kolegj duhet ta lë në fuqi vendimin e KAS-it. Unë kam shqyrtuar që po të shikosh në fletën e votimit në Kukës dhe Dibër, një zgjedhës nuk e ka mundësinë e barabartë si në Kukës dhe në Tiranë. Fleta e Kukësit është më e qartë sesa zgjedhësit në Tiranë. Sa i përket arsyetimit që kandidati duhet të ketë emrin, ligjvënësi duke pasur parasysh këto rrethana zgjedhësin. Po të shikojmë, të gjithë kandidatët bëjnë reklamën e tyre për numrat. Pra numri është ai që të identifikon, kjo bëhet që zgjedhësit të krijojë lehtësira, sepse numri gjendet më kollaj, për arsye se për të votuar janë shtresa të ndryshme të qytetarëve që duan ta kenë procesin sa më të lehtë. Fleta e miratuar nga KAS është një fletë që paraprin. Në qoftë se do të ishte e mundur të ishte e qartë me emra, po jemi dakord, brenda këtij format ku të duken qartë emrat dhe mbiemrat po jemi dakord. Por nuk ka qartësi, sepse përmasa e fletës duhet të ishte shumëfish më e madhe”, tha Salianji.

Salianji ndër të tjera, tha se edhe në Kosovë, e cila i zhvilloi zgjedhjet në shkurt, fleta e votimit identifikonte kandidatët me numra, sipas tij, kjo është një eksperiment që duhet ndjekur edhe në Shqipëri, në mënyrë që, edhe në vendin tonë, rezultati të dalë brenda pak orësh.

“Kandidat parapëlqyes, ai që shkon në qendrën e votimit e ka menduar kandidatin. Dhe normalisht cdo kandidat, të gjithë identifikimin e tyre e bëjnë nëpërmjet numrit, dhe zgjedhësi para se të shkoj në qendrën e votimit, e pëlqen atë dhe e ka vendosur për një x kandidat dhe duhet të gjej numrit. Edhe në Kosovë me numra është bërë votimi. Identifikimi i tyre është me numra dhe është një eksperiment i qartë që zgjedhësit të orientohen fare lehtë me numra. Procesi më i rëndësishëm është numërimi, siç doli në Kosovë brenda 8 orësh, të dali rezultati sa më shpejt dhe të jetë i besueshëm, ndërsa me fletën aktuale del brenda një jave. Ndërsa me fletët me emra rezultati del brenda 24 orëve ose më shpejt”, tha avokati.

Thirrja e Kim: Çdo gjë më pak do të ishte në dëm të votuesve

Një ditë më parë ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, dha një mesazh të fortë mbi debatin e zhvilluar në KAS lidhur me ngjashmërinë e logos mes Partisë Demokratike dhe Bindjes Demokratike, si edhe për vendimin e KAS për të ndryshuar fletën e votimit nga me emra, sikundër u miratua nga KQZ, në me numra, kërkesë kjo e PS. Ambasadorja Kim kërkoi që i gjithë procesi dhe kushtet e zgjedhjeve të bëhen me transparencë, pasi sipas krye diplomates amerikane, çdo gjë më pak do të ishte një hap prapa për demokracinë.

“Kujtesë: Është absolutisht e rëndësishme për autoritetet të sigurojnë që rregullat dhe kushtet e zgjedhjeve janë, në fakt dhe nga perceptimi, të drejta, në kohë dhe transparente. Çdo gjë më pak do të ishte në dëm të votuesve dhe një hap prapa për demokracinë.”-shkruan ambasadorja Kim në postimin e saj”, ishte mesazhi i ambasadores Yuri Kim. /Gazeta Liberale

 


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back