Aktualitet

Liria e Shprehjes dhe bllokimi në median sociale i z. Trump

Shkruar nga Liberale
Liria e Shprehjes dhe bllokimi në median sociale i z. Trump

Xhezair Zaganjori

Pas ngjarjeve tragjike të 6 janarit në tempullin e demokracisë, në Capitol, dy platformat më të mëdha të medias sociale në nivel global  vendosën menjëherë të bllokojnë llogaritë apo aksesin personal të ish Presidentit Amerikan Donald Trump në Twitter dhe Facebook. Me këtë ndërhyrje synohej ndërprerja sa më parë e komunikimit të tij me përkrahësit e shumtë në ShBA dhe në  botë. Praktika të tilla të ndërprerjes së aksesit në median sociale për individë që vlerësohet se nuk respektojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara prej tyre, ka patur edhe më parë, megjithëse rrallë. Megjithatë,  rasti në fjalë është unik, sepse u censurua njeriu më i pushtetshëm dhe më i fuqishëm i Globit, Presidenti në detyrë i ShBA, vendit që përfaqëson njëkohësisht edhe një nga modelet më shembullore të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe respektimit të të drejtave të njeriut.  Për më tepër, në të dy rastet, vendimi në fjalë u mor nga vetë subjektet përkatëse dhe pa ju nënshtruar një kontrolli gjyqësor apo të paktën një diskutim e vendimmarrje më transparente të mekanizmave të tyre drejtuese, pavarësisht se me sa duket, situata në tërësi është vlerësuar si e paprecedent e tepër emergjente. Problemi është se ngjarjet u zhvilluan aty ku nuk pritej e nuk mendohej kurrë. Për këto arsye, në periudhën në vijim ka patur diskutime e debate të shumta mbi shumë çështje që kanë të bëjnë me qeverisjen e mirë, ndarjen e balancimin e pushteteve, sigurinë e institucioneve qendrore, kufijtë e ushtrimit të të drejtave civile e politike, e të tjerë. Mes tyre tërheq vëmendjen veçanërisht çështja e lirisë së shprehjes, e cila me të drejtë vlerësohet si oksigjeni i shoqërisë së hapur e liberale. Ajo paraqitet njëkohësisht edhe  si një nga faktorët themelore pa të cilën demokracia si formë e qeverisjes e ka të pamundur të realizohet në jetën e përditshme. Prandaj, padyshim që edhe konflikti konkret mes ish Presidentit Trump dhe dy mediave sociale do të duhet të zgjidhet pikërisht mbi bazën e standardeve që garantojnë këtë të drejtë. Pa marrë përsipër të shprehemi  mbi zgjidhjet e mundshme, më poshtë do të paraqesim disa nga standardet kryesore mbi lirinë e shprehjes që janë vendosur e zbatohen në ShBA dhe në Europë, pasi pavarësisht objektivit të përbashkët, secili prej tyre paraqet veçori specifike mjaft të rëndësishme. Natyrisht që ato do të paraqiten shkurtimisht dhe vetëm për sa i përket relevancës që mund të kenë për çështjen në fjalë.

Akti i parë që përmend shprehimisht lirinë e shprehjes në një pjesë të territorit amerikan është Massachusetts Body of Liberties  i vitit 1641. Ai paraqitet njëkohësisht edhe si akt unik në këtë drejtim, pasi edhe akte të tilla me rëndësi historike të jashtëzakonshme të miratuara në Britani, si Magna Carta Libertatum e vitit 1215 dhe Bill of Rights e vitit 1689, nuk e përmendin këtë të drejtë. Pas revolucionit amerikan, shumë nga shtetet  anëtare të federatës do ta parashikonin lirinë e shprehjes në kushtetutat e tyre, pavarësisht se vetë Kushtetuta e ShBA e vitit 1787 nuk e bën një gjë të tillë. Megjithatë, liria e shprehjes do të garantohet në nivel federate vetëm 4 vite më vonë, në vitin 1791, e konkretisht në Amendamentin e Parë të Kushtetutës Amerikane, së bashku me lirinë e besimit, lirinë e organizimit, lirinë e shtypit dhe të drejtën për të bërë peticion. Që nga ajo kohë, liria e shprehjes është shndërruar në një mani tipike amerikane, pasi është vlerësuar gjithnjë veçanërisht roli i saj i pazëvendësueshëm në krijimin e vullnetit politik, garantimin e një shoqërie të hapur e pluraliste, krijimin e institucioneve përfaqësuese dhe qeverisjen e vendit. Megjithatë, përgjithësisht kjo e drejtë është konceptuar kryesisht si liri negative, që do të thotë lënien e lirë të individit nga ana e shtetit për ta ushtruar atë sipas dëshirës. Nga ana tjetër, Gjykata Supreme e ShBA ka pranuar se përveç fjalëve me gojë, liria e shprehjes mund të shfaqet edhe në të ashtuquajturën speech – plus, e cila së bashku me fjalët kombinon edhe veprimin apo demonstrimin paqësor. Po kështu, ajo ka theksuar se liria e shprehjes realizohet edhe:  a)Përmes Forumeve Publike (Public Forums), si takime masive në rrugë apo parqe, ku mbahen fjalime  e bëhen vërejtje e kritika edhe për qeverisjen, figurat politike apo proceset demokratike. Në kushtet e sotme, forume të tilla mund të mbahen edhe përmes medias sociale;  dhe b)Përmes veprimeve simbolike, si djegia e flamurit apo e pankartave me figura shtetarësh, tituj të ligjeve apo aspekteve të ndryshme të politikave të brendshme e të jashtme, e të tjerë.   Aspekt tjetër shumë i rëndësishëm i lirisë së shprehjes ka qenë që në fillim edhe çështja delikate e përcaktimit të kufijve të ushtrimit të kësaj të drejte.  Është interesant të përmendet se në vitin 1798, pra vetëm pas 7 viteve nga miratimi i Amendamentit të Parë, Presidenti Amerikan John Adams, një nga organizatorët dhe drejtuesit kryesorë të revolucionit amerikan, së bashku me aleatët e tjerë në qeverisje (Federalistet), duke marrë shembullin britanik, miratuan në Kongres Aktin mbi Kryengritjen (Rebelimin - Sedition Act), përmes të cilit, në thelb, ndalohej kritika dhe sharjet kundër Qeverisë. Synim kryesor ishte të luftoheshin figurat kryesore të opozitës parlamentare, drejtuesit e Partise Demokratiko – Republikane, mes të cilëve ishin edhe personalitetet e shquara Thomas Jefferson dhe James Madison. Politikani i parë demokratiko – republikan i dënuar në bazë të këtij akti ishte Matthew Lyon i Vermontit, i cilësuar edhe si martir i fjalës së lirë, i cili e kishte akuzuar publikisht Presidentin Adams si egoist e njeri të etur për pushtet e para. Megjithëse i burgosur, Matthew Lyon do të kandidonte dhe do të zgjidhej në Kongresin Amerikan. Nga ana tjetër, Jefferson e Madison vendosën të mos i drejtohen Gjykatës Supreme për të kundërshtuar si antikushtetues Aktin mbi Kryengritjen, pasi mendonin se shumica e gjyqtarëve të saj kontrollohej nga Partia Federaliste e Presidentit Adams. Ato zgjodhën një rrugë tjetër më efektive. Hartuan dy rezoluta, atë të Virgjinias dhe Kentucky-it, përmes të cilave vlerësonin se shtetet anëtare të Federatës kishin kompetencë te deklaronin si antikushtetues ligje të tilla, siç ishte edhe Akti mbi Kryengritjen. Kundërshtimi i fortë këtij akti u bë më pas edhe një nga pikat kryesore të fushatës elektorale të radhës, e cila ne vitin 1800 do të sillte në pushtet (si në Presidence ashtu edhe në Kongres) Partinë Demokratike – Republikane. Në vitin 1801, Akti mbi Kryengritjen do të shfuqizohej. Kjo histori shtroi më pas edhe çështjen e kufijve që duhet të ketë realisht dhe objektivisht liria e shprehjes në ShBA. Për të gjykuar mbi këtë problem në ndihmë vjen sërish jurisprudenca vijuese e Gjykatës Supreme. Në mënyrë të përmbledhur, sipas saj, liria e shprehjes nuk mbulon apo nuk përfshin: veprimet e turpshme; fyerjen (përmes fjalëve me shkrim (libel) apo me gojë (slander) ); fjalëve që nxisin urrejtje (hate speech); fjalëve që nxisin veprime të kundërligjshme apo dhunë, e të tjerë.  Natyrisht që në çdo rast bëhet ballafaqimi i interesave të kundërta, bazuar në parimin e proporcionalitetit. Në rastin e nxitjes së veprimeve të dhunshme, si rregull bëhet i ashtuquajturi testi Holmes (në nderim të ish Kryetarit të Gjykatës Supreme Oliver Wendell Holmes), sipas të cilit rreziku i veprimeve të tilla duhet të jetë “i qartë dhe i menjëhershëm” (“clear and present danger”). Për herë të parë ky test gjendet i elaboruar mjaft mirë në çështjen Schenck kundër ShBA, shqyrtuar në Gjykatën Supreme në vitin 1919. Për më tepër, mbi këtë bazë dhe bazuar pikërisht në Amendamentin e Parë, në vitin 1940 Kongresi miratoi Aktin Smith, përmes të cilit synohej të dënoheshin apo parandaloheshin veprimet e dhunshme të lëvizjes komuniste në ShBA për ardhjen në pushtet. Pikërisht ky akt dhe ky standard do ti shërbenin Gjykatës Supreme në çështjen Denis dhe të tjerë kundër ShBA të vitit 1951, në të cilën u dënuan 11 drejtues kryesorë të Partisë Komuniste amerikane për konspiracion dhe përgatitje për të përmbysur me dhunë Qeverinë. Megjithatë, vendimi u muar me shumicë. Ne mendimin e pakicës, Kryetari i Gjykatës Supreme Fred Vinson do të bënte ndër të tjera deklarimin interesant se “..Qeveria nuk mund të ndërhyjë bazuar thjeshtë tek fjalët e thëna. Duhet pritur deri sa ato të kthehen në veprime konkrete…”.  Me sa duket, pikërisht ky arsyetim do të përdorej më pas në cështjen Yates kundër ShBA, në të cilën Gjykata Supreme vë në dukje se “ …vetë ideja abstrakte e një revolucioni të mundshëm nuk mund të ndalohet. Ndërhyrja bëhet vetëm atëherë kur ka veprime specifike e konkrete..”. Duke e ruajtur këtë standard, ajo përpiqet të jetë më e qartë në këtë drejtim në cështjen Brandenburg kundër Ohios të vitit 1969, kur thotë mes të tjerave se “Garancia kushtetuese e lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit nuk i jep të drejtë asnjërit prej shteteve anëtare të Federatës të ndalojnë apo të dënojnë thirrjet për përdorim force apo për shkeljen e ligjit, me përjashtim të rasteve kur thirrje të tilla synojnë të krijojnë apo nxisin veprime dhune te menjëhershme..”.

Duhet të theksohet se me gjithë vëmendjen e madhe që ka tradicionalisht liria e shprehjes në realitetin amerikan, përgjithësisht ajo garantohet në planin vertikal, që do të thotë në raportet individ shtet.  Në planin horizontal, në raportet mes individëve, ajo zbatohet vetëm për aq sa nuk bie në kundërshtim të hapur me të drejta të tjera themelore, mes të cilave kujdes i veçantë i kushtohet të drejtës së pronës. Ky problem mund të lindë kryesisht në rastet kur liria e shprehjes kërkohet të ushtrohet në ambientet private të punësimit apo tregtimit, si dhe në rastet kur diskutohet përdorimi apo aksesi në median private, sic është edhe rasti i platformave të medias sociale. Mbi këtë problem mund të përmëndet një vendim mjaf interesant i Gjykatës së Lartë të Shtetit të Uashingtonit. Në cështjen Alderwood Association kundër Washington Envtl, ajo vë në dukje mes të tjerave se “… pronarët e qendrave private duhet të garantojnë në mënyrë të mjaftueshme ushtrimin e lirisë së shprehjes në pronën e tyre, sa herë që balanca e interesave të kundërta tregon se në rastin konkret liria e shprehjes peshon më shumë se interesat e pronarit”. Megjithatë, edhe në këtë rast bëhet dallimi mes sipërmarrjeve të mëdha e të vogla. Sigurisht që sa më e madhe të jetë sipërmarrja apo prona, aq më i plotë duhet të jetë edhe gëzimi i lirisë së shprehjes. Sidoqoftë, kufizimi i kësaj të drejte kërkon gjithnjë një interpretim sa më të ngushtë e konkret të rrethanave që mund të shpien në cënimin e saj.

Në Europë situata paraqitet disi më ndryshe. Në interpretim të nenit 10 të Konventës, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut(GjEDrNj) ka zhvilluar një jurisprudencë mjaft të pasur mbi lirinë e shprehjes, përmes së cilës përcaktohen standardet minimale që duhet të respektojnë shtetet anëtare për garantimin sa më efektiv të saj. Ndër të tjera ajo ka vënë shpesh në dukje se është krejtësisht e pamundur të imagjinohet një shoqëri demokratike pa një shtyp të lirë dhe se liria e shprehjes përbën në fakt një nga themelet kryesore të kësaj shoqërie. Gjithashtu, edhe ajo ka theksuar në mënyrë të veçantë rëndësinë e lirisë së shprehjes  për jetën dhe debatin politik. Në këtë kontekst, ajo ka  përmendur qartësisht se  opozita, gazetarët, intelektualët dhe çdo qytetar i thjeshtë gëzojnë liri të gjerë për të kritikuar veprimet dhe qëndrimet e qeverisë, madje edhe në rastet kur deklaratat e tyre mund të mos kenë një bazë të shëndoshë faktike ( Lombardo e të tjerë kundër Maltes; Dyuldin kundër Rusisë, e të tjerë). Por liria e shprehjes natyrisht që nuk ka karakter absolut. Konventa parashikon qartësisht në paragrafin e dytë të nenit 10  edhe mundësinë e kufizimit të kësaj të drejte, në rastet kur ushtrimi i saj vë në lojë edhe çështje të tilla të rëndësishme si siguria publike dhe kombëtare, integriteti territorial i vendit, mbrojtja e rendit ligjor e kushtetues, mbrojtja e shëndetit dhe moralit, mbrojtja e të drejtave të të tjerëve, e të tjerë. Nga ana tjetër, neni 17 i Konventës ndalon shprehimisht çdo veprim të cdo individi që synon të shpërdorojë të drejtat e garantuara prej saj, përfshirë këtu edhe lirinë e shprehjes. Megjithatë, sipas Konventës dhe jurisprudencës së GjEDrNj, në këto raste, cdo gjykatë duhet të vlerësojë me kujdes përmbushjen e tre kritereve kryesore : a) Nëse kufizimi është bërë apo jo me ligj b) Nëse përmes kufizimit synohet një qëllim i ligjshëm dhe c) Nëse kufizimi konkret është apo jo i nevojshëm në një shoqëri demokratike. Në kriterin e tretë, që është njëkohësisht edhe më i rëndësishmi, analizohen me hollësi zbatimi i parimit të proporcionalitetit, efektivitetit apo edhe ai i interesit publik.

Në fakt, në kuadër të Konventës Europiane Drejtave Njeriut, liria e shprehjes kuptohet përgjithësisht jo vetëm si e drejtë negative, por ashtu si edhe shumica e të drejtave të tjera të saj, edhe si e drejtë me natyrë pozitive. Kjo do të thotë se sipas kushteve e rrethanave konkrete, kërkohet edhe veprimi aktiv i  shtetit për ta mbrojtur në mënyrë sa më efektive këtë të drejtë ndaj ndërhyrjeve të subjekteve të tjera, që mund të jenë jo vetëm shtetërore, por edhe private (si persona fizikë apo juridikë). Pra, liria e shprehjes në Europë kërkohet të zbatohet gjerësisht edhe në nivel horizontal, mes individëve, duke u garantuar e mbikëqyrur nga shteti. Prandaj, cenimi i lirisë së shprehjes mund ti adresohet edhe shtetit, nëse ai dështon ta parandalojë ndërhyrjen në gëzimin e qetë të kësaj të drejte edhe nga ana e subjekteve private. Në praktikën e GjEDrNj, problem kryesor paraqitet shpesh veçanërisht çështja  e raportit ndërmjet lirisë së shprehjes dhe jetës private dhe familjare. Se cila nga këto të drejta prevalon në rastin konkret, varet thuajse tërësisht nga interesi publik dhe parimi i proporcionalitetit. Megjithatë, ky është një proces jo i lehtë. Janë jo të pakta rastet kur për të njëjtën çështje e mbi bazën e të njëjtave raporte, qëndrimet e mbajtura nga Strasburgu dallojnë shumë me vlerësimet e gjykatave të larta apo kushtetuese të shteteve anëtare. Sidoqoftë, në dallim nga ShBA, në praktikën e GjEDrNj konstatohen shumë pak apo aspak konflikte mes lirisë së shprehjes dhe të drejtës së pronës. Siç u theksua, kjo edhe për shkak të efektit të fortë horizontal që ka vetë Konventa. Në këtë drejtim mbase mund të përmendej vetëm ndonjë çështje e GjEDrNj që ka të bëjë me ofrimin e barabartë të shërbimit në rajone të ndryshme të Europës nga ana e satelitëve të lëshuar në atmosferë. Po kështu, jurisprudenca e Strasburgut ende nuk është ballafaquar me probleme të tilla siç është Liria e Forumit përmes platformave të medias sociale. Me sa duket, për sa i përket aspektit të pronësisë, kjo edhe si pasojë e mungesës deri më tani të platformave të fuqishme si Facebook e Twitter në realitetin Evropian. Por nga ana tjetër, sic kemi theksuar, edhe GjEDrNj kërkon nga gjykatat e shteteve anëtare interpretim sa më të ngushtë e vlerësim shumë të kujdesshëm të kufizimeve në rastet e debatit politik në tërësi.  Megjithatë, ajo ka orientuar qartësisht që në kuadër të shqyrtimit të çështjes konkrete, gjykatat nuk duhet ti garantojnë mbrojtje  fjalëve që nxisin urrejtje dhe akte dhune, duke rrezikuar kështu seriozisht funksionimin normal të institucioneve  si dhe stabilitetin dhe efektivitetin e rendit demokratik.

Pasqyra e mësipërme na ndihmon të orientohemi më mirë edhe në çështjen e vlerësimit të ndërhyrjes  së Facebook dhe Twitter në të drejtën e lirisë së shprehjes së z. Trump. Sigurisht që përgjigja nuk është aspak e lehtë. Ajo varet nga një sërë rrethanash që mund dhe duhet të sqarohen nga hetimi tërësor i çështjes. Cili është roli i z. Trump në këto ngjarje, e për më tepër cila është lidhja e drejtpërdrejtë, nëse ka, mes fjalëve të tij dhe veprimeve të pakontrolluara të turmës? Kush i organizoj njerëzit që erdhën e cili ishte qëllimi i hyrjes në ambientet e Kapitolit?   Pse kishte të armatosur dhe si u përdorën armët?, e të tjerë. Megjithatë, duke lënë mënjanë pyetjet e përgjigjet e mësipërme, referuar vetëm analizave dhe raportimeve gazetareske të ngjarjeve të 6 janarit si dhe praktikave ligjore Amerikane e Evropiane në çështjet e lirisë së shprehjes, mund të thuhet se   vlerësimet janë të ndryshme. Sipas standardeve Evropiane, ka të ngjarë që mund të thuhej se në rastin konkret kemi cenim të lirisë së shprehjes. Problemi më i dukshëm është mungesa e një vendimi gjyqësor për bllokimin e aksesit në mediat sociale respektive. Nga ana tjetër, liria e shprehjes në Europë kushtëzohet dukshëm nga detyrimet pozitive dhe efekti horizontal i kësaj të drejte, aq më tepër që bëhet fjalë për sferën e politikës. Por ato nuk i gjejmë të realizuara siç duhet nga shteti në këtë çështje, pavarësisht natyrës private të marrëdhënies së krijuar mes ofruesit të shërbimit dhe përfituesit. Sidoqoftë, liria e shprehjes nuk është absolute. Kemi theksuar se ajo mund dhe duhet të kufizohet edhe në rastet e shpërdorimit të saj, duke nxitur urrejtje e dhunë. Nëse konstatohet kjo lidhje e drejtpërdrejtë në rastin konkret, sigurisht që është çështje fakti.

Mendoj se ndryshe paraqitet situata e vlerësuar në kuadrin ligjor amerikan.  Pavarësisht vëmendjes shumë të madhe dhe mbrojtjes së posaçme që i është bërë historikisht aty lirisë së shprehjes, e veçanërisht të drejtës për të transmetuar ide e informacion në kuadër të krijimit të vullnetit politik e garantimit të një demokracie liberale, fakti që kjo e drejtë ballafaqohet shpesh  me të drejtën e pronës, do të thotë shumë për zgjidhjen e çështjes. Siç kemi theksuar, kjo ndodh sepse në sistemin amerikan, efekti horizontal i të drejtave themelore dhe detyrimet pozitive të shumta që ka shteti për garantimin e tyre, nuk janë në atë nivel që zbatohet në sistemin evropian. Pikërisht për këtë arsye, sic konstatohet lehtësisht, vendimet e bllokimit të aksesit të z.Trump në Facebook dhe Twitter nuk po rivlerësohen në gjykate, por  nga vetë këto gjigandë privatë të medias sociale. Por në këtë proces natyrisht që ato duhet të vlerësojnë jo vetëm interesat ekonomike e tregtare të subjektit që përfaqësojnë, por edhe interesat e publikut, duke vënë me shumë kujdes në balance të drejtat e kundërta që ballafaqohen në këtë rast me njëra tjetrën. Për më tepër, këto subjekte private mund te mbajnë në parim  edhe përgjegjësi në rastet kur tolerojnë dukshëm shfrytëzimin e hapur të medias së tyre për qëllime të kundërligjshme. Prandaj, me sa duket, Twitter e ka ndarë mendjen për të vazhduar bllokimin. Facebook ja ka kaluar çështjen Bordit Mbikëqyrës të përbërë nga pesë anëtarë, i cili duhet të vendosë përfundimisht për këtë problem brenda 90 ditëve. Detyrë e vështirë dhe ngarkesë shumë e madhe. Referuar standardeve amerikane dhe nëse arrihet në përfundimin se pikërisht fjala e z.Trump shkaktoj  “në mënyrë të qartë e të menjëhershme”  trazirat e 6 janarit, atëherë vendimi do të mbetet. Në këtë rast, edhe impakti i këtij vendimi do të ishte shumë i madh. Ndër të tjera, liderët politikë në ShBA dhe në botë do të merrnin mesazhin e qartë se mund të censurohen menjëherë nëse shpërdorojnë apo përdorin forma ekstreme të lirisë së shprehjes, veçanërisht kur nxisin urrejtje dhe dhunë.  Por nëse nuk provohet kjo lidhje, bllokimi mund të hiqet, ashtu siç është vepruar edhe në shumicën e rasteve të tjera nga Bordi Mbikqyrës i Facebook. Megjithatë, sido që të vendoset, komentet apo kundërshtitë do të jenë të shumta. Sepse përsërisim se edhe vetë çështja konkrete është shumë e ndjeshme. Sidoqoftë, ajo që mund të thuhej sot me plot gojë është nevoja urgjente e rregullimeve më të plota ligjore në të gjitha shtetet demokratike të çështjeve që kanë të bëjnë me shfrytëzimin  sa më të dobishëm  nga individi të mrekullisë që sjell në jetën e përditshme media sociale. /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH