Editorial

Lindjet në Indi, bumi ngadalësohet

Shkruar nga Liberale
Lindjet në Indi, bumi ngadalësohet

DANILO TAINO

Në javët e shkuara një lajm ka befasuar demografët. Në Hindi treguesi i pjellshmërisë së përgjithëshme – pra numëri i fëmijëve që pritet nga një grua në gjithë jetën e saj – është ulur në 2,0, pra nën treguesin e zëvendësimit që siguron qëndrueshmërinë numërore të popullsisë, i cili është 2,1. Ka ndodhur shumë më parë se e kishin parashikuar qeveria e Delhit dhe Kombet e Bashkuara. Është një zhvillim i rëndësishëm sepse ka të bëjë me Vëndin e dytë më të populluar në botë (i cili, sidoqoftë, është në rrugën e kalimit të Kinës mbas pak vitesh), me pothuaj 1,4 miliard banorë, pak më pak se 20 % të gjithë njerëzimit. Por është i rëndësishëm sepse vërteton që jemi në kalim drejt një ndryshimi të stinës globale: rritja e popullsisë botërore po ngadalësohet në mënyrë kuptimplote. Diçka që do të ketë pasoja të rëndësishme.

Our World në Data, organizata e lidhur me universitetin e Oksfordit, shënon se më 1950, në botë, mesatarja e bijve të pritur nga një grua ishte 5,05: në 2020 ishte ulur në 2,44. N’Itali jemi në 1,30, në Japoni në 1,36, në Gjermani në 1,61, në Shtetet e Bashkuara në 1,77, në Francë në 1,84. Por prirja për rënie regjistrohet edhe n’Afrikë, sot në 4,29 të lindur për grua kundrejt një maje prej 6,71 rreth vitit 1970 e n’Azi, në 2020, në 2,12, paksa mbi treguesin e zëvendësimit, ndërsa më 1950 ishte  në 6,05.

Përfundimi është se popullsia botërore rritet sot me 1,1 % në vit, pothuajse sa gjysma e asaj së majës, të regjistruar më 1968 me 2,1 %. Kjo do të thotë se, në shekullin në vazhdim, rritja e popullsisë nuk do të përsërisë bumin e Nëntëqindit, kur ajo është katërfishuar, madje as do të dyfishohet: më 2100 banorët e Tokës do të jenë pak më shumë se dhjetë miliardë. Ekspertët e Our World në Data përmendin tri arsye të mëdha për të shpjeguar ndryshimin në veprim: pjesëmarrja m’e madhe e grave në arsimim e në punë, rënia e vdekshmërisë foshnjore dhe çmimi në ngritje i rritjes së fëmijëve (në sajë edhe të pakësimit të punës fëminore). Në ndryshim nga mijëvjeçarët e shkuar – kur, deri më 1700, popullsia rritej rreth 0,04 % në vit për shkak të vdekshmërisë së lartë të fëmijëve – tani jemi futur në një fazë kalimtare, në të cilën bumi demografik i dy shekujve të shkuar ngadalësohet, por për arsyen e kundërt, sepse kushtet e jetës të përmirësuara skajshmërisht mbajnë të ulët pjellshmërinë.

“Corriere della Sera”, 8 dhjetor 2021     

Përktheu Eugjen Merlika /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH