Op-Ed

Lindja e mesme dhe zbrazëtia politike

               Publikuar në : 09:00 - 15/05/21 liberale

Franco Venturini

Do të kryenim një gabim të stërmadh nëse do të mendonim se jemi të pranishëm ndërmjet izraelianëve dhe palestinezëve vetëm në një Amarkord tragjik të luftërave të tjera, të gjakut tjetër, të ngacmimeve të tjera. Është e vërtetë që kundërshtia zgjat prej shtatëdhjetë vitesh, e prodhon shpërthime të herëpasherëshme, sikur Historia të kishte nevojë të shfrynte kohë pas kohe. Por këtë herë rreziku i një lufte të vërtetë në Lindjen e Mesme është më i madh. Kësaj radhe lëshimi i raketave, bombardimet, vrasja e civilëve përmbajnë lajmërime të tmerrshme që bien në një zbrazësirë politike ndërkombëtare (cila është strategjia e Biden-it?) e njëkohësisht u prijnë kundërshtive gjithënjë e më t’ashpra në frontet e brëndëshme të katër aktorëve të parë: Izraelit, Autoritetit palestinez, Hamasit dhe Iranit.

Netaniahu është një kryeministër pa shumicë mbas së satës përgjigje zgjedhore të marsit. Pa dyshim siguria është një përparësi që i përbashkon gjithmonë izraelianët, e në fakt kontaktet për krijimin e një qeverie të re e të ndryshme janë pezulluar. Por askujt nuk i shpëton fakti se Netaniahu është dobësuar e që vendosmëria ushtarake ndoshta mund t’a ndihmojë të nëpërkëmbet. Gjithmonë nëse nuk shtrihen më shumë dhunërat ndërmjet hebrenjve izraelianë e arabëve izraelianë, siç ka ndodhur dje nga Tiberiada deri në Haifa, sepse atëherë do t’ishte një bashkëjetesë nga e cila Izraeli ka nevojë të vihet rrezikshmërisht në diskutim.

Mahmut Abazi është kryetari pak i ligjshëm i palestinezëve të West Bank-ut. Rënia e tij politike zgjatet tashmë prej disa vitesh dhe u vërtetua së fundi në shtyrjen e votimeve, tepër të rrezikëshme për drejtimin e tij të çalë. Çrregullimet e Jeruzalemit Lindor për të janë një lloj shprese e fundit: të gjithë duhet të kuptojnë që palestinezët nuk kanë braktisur çështjen e tyre, nuk janë kthyer në të parëndësishëm, e ky duhet të jetë lajmërimi i fuqishëm që duhet t’i arrijë presidentit të Shteteve të Bashkuara që deri tani ka qënë i zënë për të parë gjetiu.

Hamasi, organizata skajore palestineze që drejton me grusht të hekurt Rripin e Gazës, ka lëshuar e para raketat e saj mbi objektivat civile izraeliane, kur dukej se ndeshja ishte shumë e ashpër por e kufizuar në Sheshin e Xhamive të Jeruzalemit. Mundet që kuptimi fetar veç atij politik i atyre aksidenteve t’a ketë shtyrë Hamasin dhe Xhihadin për të mos u dukur të mbetur mënjanë apo mospërfillës. Por ka edhe një ndërpretim të ndryshëm, që po bëhet gjithënjë e më shumë i besueshëm, e që ka të bëjë me pragun zgjedhor n’Iran, ndërsa në Vienë zhvillohen bisedime për të ringjallur marrëveshjen kundër-bërthamore të 2015.

Ky bashkë-bisedim nuk mund të shkojë larg (do të duhej të mbyllej në mënyrë pohenike brënda fundit të majit) nëse ndërkohë Hamasi, fuqimisht i lidhur me konservatorët iranianë, do të vazhdojë të bombardojë qytetet izraeliane apo sapo të ketë mbaruar. Do të mjaftonte një keqësim i mëtejshëm i gjëndjes për të ndaluar Shtëpinë e Bardhë të rivendoste paktin me Teheranin. Dhe konservatorët, me në krye Rojet e Revolucionit, do t’a kishin të shtruar rrugën e zgjedhjeve të 18 qershorit.
Irani pikërisht, është zotuar me Izraelin në një luftë të zvarritur, mik e furnizues i Hamasit, ku ndërmjet kandidatëve për president rimbin Ahmadinexhadi, drejtuesi epror i të cilit, Khamenei, deklaroi mbas fakteve të Jeruzalemit, se Izraeli nuk është një Shtet por vetëm një “garnizon terroristësh” që duhet “luftuar”.
Loja, siç duket, po zgjerohet si kthetrat e një oktapodi, e rrezikon të ndezë gjithë Lindjen e Mesme e Gjirin Persik me një zjarr të pakontrollueshëm. Aq më tepër se pika e riferimit të të gjithëve, Amerika e Biden-it po kalon një tranzicion strategjik që në rajon është veçanërisht i ndjeshëm. Donald Trump-i kishte njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit e kishte shpërngulur aty ambasadën e tij, kishte varrosur teorinë e bisedimeve për dy Shtete, kishte mbrojtur Marrëveshjet e Abrahamit (të Izraelit me Emiratet Arabe, Marokun, Bahreinin dhe Sudanin) që në heshtje arkivonin çështjen palestineze, i kishte prerë Ramallahut fondet e ndihmës duke rënduar në disa raste kriza të vërteta njerëzore. Joe Biden ata fonde shpejt i rivendosi, nuk do t’a rishpjerë ambasadën në Tel Aviv, don të mbajë një lidhje shumë të fuqishme aleance me Izraelin, por politika e tij në lidhje me Lindjen e Mesme, përtej disa deklaratave të përgjithëshme, është ende e gjitha për t’u përcaktuar. Sepse në vështrimin e tij ndërkombëtar janë përparësore Kina e Rusia, është e tillë edhe një marrëveshje, qoftë edhe e pjesëshme me Iranin, e tashti kuptohet se deri në ç’pikë presidenti i SHBA është befasuar nga ngjarjet e këtyre ditëve. Trumbat e luftës jehojnë tashmë në Studion Ovale.

Venërisht prej saj duhet të arrijnë sinjale të qarta, ndërsa nuk ka formula të reja për të mbërritur tek paqja, ndërsa në rajon rriten grupet e dhunës dhe skajore, ndërsa është në lojë n’Izrael edhe paqja e brëndëshme e kompaktësia shoqërore. Biden-i, siç i ka ndodhur të gjithë para-ardhësvet të tij, i duhet të marrë përsipër rreziqet e tij e të hartojë një strategji që nuk mund të jetë një sukses i siguruar.
Por nëse kjo nuk do të ndodhte, e nuk do të ndodhte menjëherë, rreziku do t’ishte akoma më i madh: ai që të lejohej që një tragjedi e pafundëme të thellohej e të zgjerohej, dy hapa larg shtëpisë sonë dhe zonës së shqetësuar të Mesdheut.

“Corriere della Sera”
Përktheu Eugjen Merlika

Tags: , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back