Universitet

LIDER QË NGA AUDITORI: Qeveria studentore në UET në vitin e 15-të

Shkruar nga Liberale

Nga Luiza Pinderi

Lider nuk lind, bëhesh! Dhe nëse bëhesh i suksesshëm, kjo është jo vetëm falë intuitës dhe cilësive të mira të karakterit, por edhe falë përvetësimit, formimit, eksperiencave. Shpesh angazhimi i atyre që drejtojnë nis herët, në institucionet arsimore, ku fillon shkëputja prej pjesës tjetër dhe marrja e përgjegjësisë për të gjetur dhe dhënë zgjidhje për problematika të përbashkëta. Çdo bashkësi individësh, sado numerike që të jetë, ka nevojë për një ndërmjetës, që mban kontakte me instanca të tjera më të larta. Organizime të tilla janë prezente edhe në jetën studentore, por që marrin përmasa të mëdha dhe angazhime vërtet të rëndësishme.

Universiteti Europian i Tiranës, i ka dhënë një hapësirë vërtet të dedikuar studentit, i cili merr në dorë mekanizmat për të drejtuar jetën studentore. Ashtu si në një shtet, edhe një universitet, është një shtet në miniaturë, por që organizimin, seriozitetin, demokracinë, i ka shumë herë më të përparuara se shteti, për vetë faktin se në thelb është frymëzimi dhe ideali rinor.

UET ka Qeverinë e vet Studentore, një lloj detyrimi ndaj studentëve të tij, që të jenë të përfaqësuar, zëri i tyre të dëgjohet, kërkesat apo projektet e tyre të adresohen dhe të marrin zgjidhje efektive dhe shpejtë. E veçanta e Qeverive Studentore në UET, është se ka nxjerrë njerëz të suksesshëm dhe lider në fushën e tyre. Për ta ilustruar këtë, po risjellim emrat e disa prej presidentëve të Qeverive Studentore ndër vite, që tashmë gjenden shumë mirë të pozicionuar në karrierat e tyre.

E nisim me Odeta Cacaj, një emër mjaft i rëndësishëm, me një rrugëtim të gjatë që ende është në vazhdimësi e sipër. Pas kthimit nga Italia, ajo ndoqi studimet në UET, për degën Psikologji dhe falë aktivizimit, përfshirjes, u bë presidente e Qeverisë.

“Ka qenë eksperiencë shumë e larmishme dhe interesante. Kam qenë pjesëmarrëse në shumë aktivitete, organizime konferencash, prezantime kërkimore, mbledhje departamentesh, festa, programe televizive, udhëtime, rekrutime, promovim librash, panaire të ndryshme, ceremoni “Honoris Causa” etj. Nuk ka qenë e lehtë, pasi duhet të përfaqësosh trupin studentor e të diskutosh problematikat apo sugjerimet e shumta që mund të kenë studentet e fakulteteve, dhe ndonjëherë nuk është e lehtë të biesh dakord”, tha Cacaj gjatë zgjedhjes së Qeverisë Studentore 2020.

Ky post i hershëm ka qenë një ogur i mirë, pasi solli të tjera pozicione mjaft të rëndësishme brenda universitetit. Cacaj ka mbajtur postin e Dekanes së Studentëve dhe njëkohësisht asistent-pedagoge në UET. Një tjetër emër që shenjon rrugëtimin e Qeverisë Studentore, është Ervin Salianji, i cili i përket gjeneratës së parë të studentëve që janë diplomuar në UET. Ai e ka përsëritur në intervista të tjera, se erdhi në këtë universitet i tërhequr nga filozofia e UET dhe stafi pedagogjik, shkrimet e të cilëve i ndiqte në median e shkruar. Me hyrjen brenda këtyre dyerve dhe falë mundësive që jepen, angazhimi i tillë mori një tjeter dimension dhe u zgjodh president i Qeverisë Studentore.

“Zgjedhja si president, ka qenë momenti kur kam rritur aktivizimin tim duke ftuar politikanë, njerëz publikë, juristë, gazetarë etj., për bashkëbisedim me studentët. Më pas kam themeluar dhe drejtuar grupin e ekselencës, një grup me studentët më të mirë të universitetit, të cilët grupoheshin me njëri-tjetrin dhe krijuam klube debati, leximi etj. Në përfundim të studimeve, po me votë jam zgjedhur nga studentët që kanë përfunduar studimet si President i ALUMNI-t”, ka rrëfyer ai.

Salianji më pas u angazhua në politikë dhe në zgjedhjet elektorale të 2017, u zgjodh deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për të përfaqësuar qytetarët e Korçës. Të tjerë emra kanë mbajtur këtë post të rëndësishëm, si: Desara Çili, Vilma Beqa, Emanuela Maraj dhe së fundi Emanuela Prençi, duke dhënë prej kohës, energjisë, botëkuoptimit të tyre dhe duke marrë prej aktiviteteve, personazheve, organizmive akademike e sociale. Një listë e gjatë emrash mund të bashkëngjitet këtu, me ata që kanë qenë anëtarë të Qeverisë Studentore në UET, dhe kanë qenë udhëtarë të këtij rrugëtimi të veçantë, të papërsëritshëm, që ndodh vetëm në UET.

Një qeveri për studentin

Qeveria Studentore UET është organizim i pavarur i studentëve, i cili ngrihet në nivel institucioni dhe nuk zhvillon veprimtari politike dhe ekonomike. Në kuadër të ristrukturimit dhe zgjerimit të Universiteti Europian i Tiranës dhe shtimit të programeve të studimit, nga tre fakultete në pesë të tilla, ndryshime kanë ndodhur edhe në Qeverinë Studentore, ku është rritur numri i senatorëve. Nga 25 senatorë që kanë qenë, janë bërë 50, për të pasur një përfaqësim sa më të madh të studentëve nga çdo kurs studimi, pasi janë senatorët që përcjellin politikat dhe azhoronojnë pjesën tjetër me atë që do të ndodhë në vazhdimësi.

Qeveria ka tre drejtues, presidenti, zëvendës presidenti e sekretari, dhe zgjidhen për një mandat 3-vjeçar. Drejtuesit, së bashku me Dekanen e Studentëve, përfaqësojnë interesin e studentëve, adresojnë më tej çështje dhe kërkesa, apo organizojnë aktivitete. Prandaj, një rol të rëndësishëm në këtë mes, luan edhe Dekani i Studentëve, post që aktualisht mbahet nga pedagogia Elsida Sinaj, ndërsa më herët ka qenë në drejtimin e Odeta Cacaj, apo Anisa Subashi.

“Dekani është ura lidhëse me qeverinë dhe me gjithë studentët, cdo gjë që kanë nevojë, kur nuk arrijnë ta zgjidhin me senatorë, atëherë e orienton studentin te zyra e duhura. Karakteristike e Dekanëve të Studentëve në UET, ka qenë fakti se ata kanë ardhur me formim nga Psikologjia, në mënyrë, që jo vetëm t’iu japin zgjidhje problemeve akademike, por edhe atyre emocionale të studentëve”, thotë Dekania e Studentëve UET, Elsida Sinaj.  

Sfida pandemie të kaluara me sukses, UET vlerëson Qeverinë Studentore

Pandemia e Covid-19 sfidoi çfarëdolloj veprimtarie dhe mënyre jetese. Në një situatë të re, të pa gjendur më parë, gjithësecilit iu desh të bënte një përpjekje, nuk e ekzagjerojmë nëse themi titanike, për të mos ndërprerë rrjedhën dhe për të gjetur zgjidhje që ‘thyenin’ izolimin mendor e shpirtëror brenda nesh dhe pastaj atë më të tjerët. Një sfidë e tillë erdhi edhe për universitetet, që diktuan rregulla të reja, për të mos ndërprerë jetën studentore, mësimdhënien dhe veprimtarinë e tyre. Edhe në UET, pavarësisht largimit prej auditorëve, afërsia me studentët dhe me problemtaikat e tyre qëndroi e njëjtë.

Qeveria Studentore ishte ajo që dha kontribut mjaft të çmuar për të ruajtur vijimësinë e komunikimit mes stafit pedagogjik, administratës dhe studentëve, në mënyrë që ky zinxhir i ‘artë’ 15 vjeçar i këtij universiteti të mos ndërpritej, duke vazhduar mësimin, por edhe organizimin e veprimtarive creative, që mbanin të angazhuar studentët. Për të gjitha këto, me daljen prej pandemisë, UET mblodhi Qeverinë Studentore në një aktivitet, për t’i falenderuar për punën e bërë gjatë kësaj periudhe 3-mujore, por edhe për të dëgjuar prej tyre përjeteimet, sfidat, vështirësitë që hasën dhe gjithçka që transmetoi pandemia. UET shpërndau gjithashtu certifikata mirënjohje, një praktikë që ndodh për herë të parë, për vetë faktin se situate ishte e tillë, por edhe si një tregues se puna dhe kontributi i gjith

ësecilit nuk humbet, nuk zhvlerësohet, por nderohet dhe është në vëmendje. “Që kur jemi izoluar, ne kemi mbajtur kontakte ditë natë me qeverianë. Ajo krijoi grupe virtuale me klasat, duke përcjëllë edhe mesazhet tona. Ishin shumë dnamik, ishin gati për të na ndihmuar dhe na ndihmuan që edhe të tjerët të jepnin kontributin e tyre. I shpërndamë certifikatë mirënjohje, që nuk ka ndodhur në vitet e kaluara, pasi edhe situata ishte ndryshe nga vitete e kaluara”, tregon Dekania e Studentëve, Elsida Sinaj. Një sfidë më vete kjo periudhë ka qenë edhe për presidenten e qeverisë Studentore, Emanuela Prençi, e cila e mori këtë detyrë në muajin shkurt dhe iu desh që ta zhvillonte në kushte të vështira. Ajo ka treguar më tepër për këtë detyrë dhe menazhimin gjatë këtyrë muajëve.

Pse e ndërmorët një sfidë të tillë për të drejtuar Qeverinë Studentore? Çfarë angazhimesh dhe përgjegjësish ka një president?

Të qenit një student është një sfidë më vete, të gjithë tashmë kemi filluar të njihemi me këtë provë dhe fazat e saj. Kur fillon ta ndjesh vetën të tillë, kupton se ke nevojë të orientohesh më tej, të përshtatesh, të biesh dakort me të tjerët, të përfaqësohesh, por pse jo kur e ndjen vetën të gatshëm dhe njeh aftësitë e tua, ti mund te jesh një përfaqësues. Të qenit i tillë, ndoshta shpesh shkon përtej sfidës që një student ka me veten, kthehet në një sfidë me të tjerët dhe kundrejt tyre, gjithmonë në kuptimin e mirë.

Nuk preferoj t’i quaj lider apo udhëheqës, pasi lidershipi dhe udhëheqja janë tipare që deri diku përafrohen me virtytet në gjykimin tim, por anëtarët e Qeverisë Studentore UET janë bashkëpunues shumë të mirë dhe që përshtaten mjaft shpejt e arrijnë të përmbushin përgjegjësite që një senator ka kundrejt grupit që përfaqëson. Sa iu përket përgjegjësive, presidenti duhet të organizojë pjesëmarrjen e studenteve dhe të koordinojë përfaqesimin e tyre në strukturat mësimore apo të shërbimeve që studentët kanë nevojë, të inkurajojë pjesëmarrjen e studentëve në organet drejtuese te tij, organizimin e lirë dhe shprehjen e mendimit të tyre, shpreh mendime dhe propozime kundrejt UET, duke përfshirë këtu rregulloret, programet e studimit, nevojat e studentëve, aktivitete të ndryshme sportive, kulturore, artistike etj. P

residenti i QS, gjithashtu duhet të kujdeset për shpërndarjen e informacionit tek studentet përmes senatoreve, si lajmërime apo konferenca të ndryshme. Pra, duhet të jetë një urë lidhëse e qëndrueshme midis studentëve dhe organeve të larta të universitetit.

Sa e vështirë ka qenë për ju të jeni presidente në kohë pandemie? Çfarë problematikash keni hasur?

Jam munduar qe t’i gjendem afër çdo studenti që ka nevojë për përgjigje dhe sigurisht në ambientet e shkolles ka qenë më e lehtë për studentët dhe për mua, por përmes rrjeteve sociale, email, takimeve të përjavshme me studentët dhe Qeverinë Studentore jemi munduar të bëjmë më të mirën. Duke gjykuar dhe kuptuar, se të gjithë kaluam një situatë të vështirë, duhet të kuptonim dhe vlerësonim mendimin e çdokujt, edhe pse shpesh ndoshta studentët kanë kontradita midis tyre në vlerësimin e situatave, apo vendimeve, kemi gjetur një të mesme të pranueshme.

Si kanë reaguar studentët dhe sa bashkëpunues kanë qenë?

Më vjen mirë të them se pavarësisht momenteve të vogla të padakortësisë, gjithçka shkoi mirë dhe po e mbyllim me sukses dhe në kohë, siç ishte menduar semestrin akademik, e sigurisht kjo falë frymës së bashkëpunimit midis studentëve, ne si Qeveri Studentore dhe Senatit Akademik.

Çfarë aktivitetesh keni organizuar gjatë kësaj periudhe?

Dhe pse në situatën e njohur, UET nuk resht së angazhuari studentët, e kjo përmes Klubeve Studentore dhe Qeverisë Studentore. Ne nga ana jonë e filluam me nismën virtuale “Pranverë në UET”, duke u frymëzuar nga stina që na u desh ta vëzhgonim nga larg në kushtet e karantinës. Përmes saj ne jemi munduar të mbushim ditën e çdonjërit prej nesh me aktivitete të tilla, si: leximin e një libri, zgjedhjen e një filmi, gatimet e preferuara, hand craft nga duart e studentëve apo lojërat në kushte shtëpie. Për të vazhduar më tej me vlerësimin dhe vëmendjen ndaj diteve të shënuara në kalendarin festiv social, ku nuk munguan mesazhet virtuale kundrejt barazisë me fëmijet e prekur nga Sindroma Down, nismës #qëndronështëpi, dashurisë familjare e luftës kundrejt dhunës se femrave e pabarazisë gjinore.

Çfarë do të thotë për ju vlerësimi me certifikatë mirënjohjeje?

UET kishte përgatitur vërtet një surprizë shumë të këndshme për të gjithë ne, që na bën të punojmë shumë, ashtu siç kemi bërë deri sot. Jemi vërtet falenderues ndaj UET, e në veçanti ndaj Zv. Rektores Prof. Dr.Ermira Qosja dhe Dekanes së Studentëve Dr. Elsida Sinaj, që janë në kontakt të përditshëm, jo vetëm me ne si Qeveri Studentore, por me çdo student që ka nevojë./Gazeta Liberale

Poll
SHQIPENGLISH