Letërsi

Për veprën “Libri i Fishtës”, nga prozatori e studiuesi Ernest Marku

Shkruar nga Liberale

Prof. Dr. Tefë Topalli

Tregimtari dhe novelisti i ri, Ernest Marku, i sprovuar kohët e fundit edhe në llojin narrativ të romanit, më parë edhe jashtë lëmit letrar në atë gjuhësor me një fjalor të disa autorëve gegë, me titull “Fjalë të turitme të gegnishtes letrare”; na vjen në këtë festë botimesh si mund t’i quajmë me krenari hulumtimet blatuar Poetit të Madh, me një botim që mban emrin pretendues të jetë “Libri i Fishtës”. Është, më së pari, ky vëllim një publikim që radhitet në e korpusin e Fishtologjisë, për të zënë një vend të caktuar aty dhe, njëherësh, tregon se trashëgimi letrar i autorit të “Lahutës së Malcis”, nuk mbyllet së studiuari, por do të vijojë të bëhet objekt vështrimi e kërkimi, si për vargjet lirike, për satirën therëse të gjithëkohshme, për epikën e paarritshme; ashtu edhe në prozë, në ese e publicistikë, në retorikë dhe estetikë, në kritikë letrare e stilistikë.

Duke mbetur tek titulli, ende pa hyrë të shfletojmë treguesit e strukturës së brendshme, duhet thënë se autori merr përsipër një barrë të rëndë reflektimi, nëse ndalemi e analizojmë sintagmën emërtuese, e cila kumton gjithçka dhe gjuhësisht ka domethënie aq të gjerë, theksuar tek emri i shquar “Libri”, i cili bart në vetvete kuptimet, si: i vetmi libër, i fundmi libër, i shterrueshmi libër, i mjaftueshmi libër etj., pa nevojë të ketë libra të tjerë për këtë emër të madh të letrave shqipe. Gjithë këto kuintesenca të paarritshme, mund të shmangen nëpërmjet formës gramatikore: me shndërrimin e emrit në trajtë të pashquar, një operacion i thjeshtë që na çon tek trajta e titullit “Një libër për Fishtën”, çka përsëri e rreshton me botimet historike, që nga ai i Atë Benedikt Demës, Atë Viktor Volajt, Atë Daniel Gjeçajt dhe ato të fishtologut më të ri, dr.Tonin Çobanit. Sa hyn brenda këtij studimi të veçantë, duhet pohuar se lexuesi nuk mund të jetë dakord me një pohim të autorit e bash në atë segment ku ai deklarohet se nuk qenkësh një studiues profesionist, ndërkohë që kemi në dorë një libër shkencor të vërtetë, të bazuar e të mbështetur në literaturë e bibliografi të mjaftueshme për objektin e caktuar dhe argumentet e shtruara, sipas konceptimit të tij: të pasqyrojë në libër – librat dhe veprimtarinë letrare, diplomatike e shkencore, siç janë Kongresi i Manastirit dhe Konferenca e Paqes, në Paris, pa lënë mënjanë veprimtarinë pedagogjike, e ato fetare si frat në botimet religjioze.

Se sa e mundimshme ka qenë kjo vepër me prurjet e mëdha të saja, na mjafton vetëm e fjala e autorit te “Në vend të parathënies” në 3 faqe, që nis me pasionin e jetës së një studiuesi për të akumuluar rreth Poetit dhe guximit që merr përgjatë tri vjetëve punë të palodhur; një prolog që bën ky mik i Fishtës, ku si padashur mbyllet kjo hyrje lakonike me një sentencë të profesionit të tij – aq domethënëse e aq të qëlluar, gati ajnshtajniane, se Gjergji me penë është si një foton drite që godet elektronet e masës, duke iu atyre dhënë energjinë e tij.

Do t’i ketë dalluar lexuesi i vëmendshëm i këtij libri përfundimet me tregues cilësorë e aq të gjetur që vë autori ynë në mbyllje të studimit të tij të thukët (350-351), ku në të gjitha këndvështrimet, jepet raporti i Gjergj Fishtës me Atdheun, si shërbëtor dhe madhnues i tij. Dëshmi të tjera që e bëjnë shkencore këtë vepër dalin në faqet 352– 371, ku gjejmë thënie karakterizues që spikatin për Fishtën, fizionomia nga Atë D.Gjeçaj, Shtojca e përshtatur gjuhësisht nga ligjërata panegjerike oratorike, në Paris “Shqiptarët dhe të drejtat e tyre”, në përpjekje për të ruajtur stilin e Fishtës, bibliografia e sjellë, me të dhënat arkivore dhe revistat, ku  ka drejtuar dhe bashkëpunuar Poeti; po kështu, në këtë paraqitje marrin vlerë njohëse edhe Indeksi i emrave të përdorur dhe Albumi i pasur me foto nga jeta e Fishtës, jo si individ i mbyllur në vetvete, por si një veprimtar e në lidhje me personalitete intelektuale e letrare të kohës.

Është vendi të shtrojmë pyetjen: kujt i drejtohet ky libër? Para përgjigjes, na vjen për mbarë pohimi se këtij studimi të autorit Marku, duhet ose më drejt, mund të afrohen vetëm ata që kanë lexuar opusin letrar të Anzave të Parnasit, ose pjesë të gjera të tij, nga këngët e para të epikës te “L-M”, deri tek “Taralloqja e Ballkanit”. Mund të sjellim në këtë tubim edhe mendimin e përkundërt, që nga njohja me “Librin e Fishtës”, lexuesi i apasionuar edhe mund të shkojë tek vepra e Poetit. Pa i ikur pyetjes në nisje të këtij paragrafi, themi me bindje se “Libri i Fishtës”vjen për të gjithë grupet e lexuesve, por mund të vëmë në rend të parë nxënës gjimnazistë – brenda programit zyrtar të shkollës së mesme; së dyti: studentë të universitetit të degëve të filologjisë (ku autorit E.Marku nuk iu krijua mundësia të hynte kurrë), por sidomos edhe si burim vjeljeje bibliografike për studentë të nivelit të dytë të programit Master; në mënyrë të veçantë doktorantëve që do ta kishin drejtim literature edhe për citime për çështje të veçanta nga vepra e autorit; e treta, pa tjetër që ky libër, do të jetë edhe për bibliofilë dhe pasionantë të korpusit fishtian.

E lamë për në fund strukturën e këtij botimi që është i pari në llojin e tij, përndryshe, origjinal në punët krijuese, i cili është deklaruar spartan i fjalës në stilin e vet dhe, me shije e sqimë artistike në përzgjedhje që i ka bërë lëndës së sjellë, duke nisur nga ngrehina e poemës së madhe epike: këngë pas kënge, fragment pas fragmenti, larg skemave të përsëritura – secila me një hyrje lakonike për t’u pasur zili – të gjitha me një cilësim të drejtpërdrejtë ose figurativ dhe pa asnjë afrim me botimin akademik të Epikës së Fishtës, para shumë viteve.

Jo vetëm për një autor të ri, qoftë edhe i promovuar në lëmë të letërsisë, siç është E.Marku, por për secilin prej nesh, duhet që në radhë të vlerave të botimeve të tilla, të shprehen edhe mendime për mënyrën që secili mund ta sillte me ndonjë suplement ose edhe reduktim. Bie fjala, kreu i pasur “Kanë thënë për Fishtën”, mund apo duhet të kishte edhe citimet për të gjithë personalitetet, vendës e të huaj, që kanë vlerësuar Poetin, njëherësh edhe veprat e tyre, me tituj e me faqet përkatëse, sepse një brez tjetër studiuesish e kërkon të plotë këtë shënim. Përveç kësaj, në citimet e shumta, të zgjedhura cilësisht prej veprave të Fishtës, do të ishte mirë që lexuesi i çdo moshe në kohën që kalojmë, të kishin edhe materialin gjuhësor-leksikor: me shpjegimet semantike të fjalëve e shprehjeve, frazeologjizmave sidomos, që Poeti i ka përdorur në kohën e tij, kohë që njiheshin në popull, por sot shumë orientalizma, dialektalizma e fjalë të vjetëruara, duhen shpjeguar, aq më mirë që botimi i Shtëpisë Botuese “Gj.Fishta”, e ka kryer këtë punë me një redaksi, para disa vitesh.

Kam dëshirë të kërkoj se duhet të më quani ndër më të entuziazmuarit e prodhimit letrar të Ernest Markut, siç dhe jam shprehur në përmbledhjen “Zadrima letrare”, për prozën e tij aq të arrirë e të analizuar me respekt. /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH