Arte

Libri historik, kërkohet bashkëpunim për një strategji kombëtare

Shkruar nga Liberale
Libri historik, kërkohet bashkëpunim për një strategji

Libri historik dhe promovimi i tij, bashkëpunimi për hartimin një strategjie kombëtare në fushën e identitetit dhe historisë apo dhe mbështetja financiare në fushën e albanologjisë, ishin disa nga problemet që u trajtuan në takimin me temë "Perspektiva Historike dhe QKLL". Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit zhvilloi të enjten një takim me praninë e studiuesve të historisë, ku në qendër ishte diskutimi për rëndësinë e librit historik. Takimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit me Akademinë e Studimeve Albanologjike, Departamenti i Historisë, në mjediset e Muzeut Kombëtar Tiranë, ku morën pjesë drejtoresha e QKLL Alda Bardhyli, Prof. Dr. Hamit Kaba, Prof. Dr. Mariglen Verli, Prof. Ass. Sonila Boçi, Prof. Ass. Ledia Dushku, Dr. Dorian Koçi. Gjatë këtij takimi diskutimet vijuan dhe mbi problemet aktuale të shpërndarjes dhe leximit të librit historik, si mund të ndikojë rritja e kulturës së leximit në përhapjen e vlerave identitare që mbartin të tilla botime sidomos në brezin e ri, mundësia e krijimit të një çmimi për librin më të mirë albanologjik për kulturën shqiptare, paraqitja në panairet ndërkombëtare ku merr pjesë Ministria e Kulturës, etj. Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli në fjalën e saj u shpreh se po përpiqen ti japin më shumë zë botimeve historike. Për drejtoreshën e QKLL, promovimi është një tjetër hallkë që mungon në këto botime. “Duke e parë librin shqip si një të tërë, ne po përpiqemi t'u japim zë edhe fushave që kanë qenë shumë pak në fokusin jo vetëm të institucioneve, por dhe të kritikës, botuesve, siç janë botimet historike. Në biseda të ndryshme që kemi pasur me profesorë, studiues, gjithnjë ka dalë në pah domosdoshmëria e rritjes së ndjeshmërisë ndaj kësaj kategorie botimesh, të mbështesim autorëshkruesit e historisë, të ndikojmë në promovimin e tyre, pasi dhe promovimi është një hallkë tjetër që mungon. Mendoj se është shumë e rëndësishme që të rrisim kulturën e leximit në përhapjen e vlerave identitare që mbartin botimet historike, sidomos te brezi i ri”, tha drejtoresha Alda Bardhyli në prani të historianëve.

Fond për albanologjinë

Gjatë këtij takimi në fjalën e saj drejtoresha Alda Bardhyli bëri me dije se QKLL do të ketë një fond të posaçëm, që do të jetë për albanalogjinë shqiptare, ku sipas saj vëmendje do të ketë dhe pjesëmarrja në aktivitetet ndërkombëtare. “QKLL-ja do të krijojë një fond të posaçëm mbështetjeje për albanologjinë, por dhe do t'i japë më shumë hapësirë, përmes kooperimeve ndërkombëtare, që libri historik e albanologjik shqiptar të jetë pjesë e panaireve, apo aktiviteteve ndërkombëtare të librit, ku merr pjesë Ministria e Kulturës”, shprehet Bardhyli. Në prani të studiuesve dhe historianëve drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit foli dhe për rëndësinë e një strategjia kombëtare, duke theksuar rëndësinë e një bashkëpunimi. “Bashkë me ju mendoj se është e rëndësishme nisja e bashkëpunimit për hartimin e një strategjie kombëtare në fushën e identitetit dhe historisë”, tha më tej Bardhyli. Në fjalën e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, u shpreh se, ky dialog në mënyrë të veçantë shërben për të rritur ndjeshmërinë ndaj librit në tërësi, por dhe atij të zhanrit historik në veçanti. Gjatë këtij “Takimi Dialog” të pranishmit ndanë opinione dhe dhanë mendime për të çuar më përpara me anë të ideve, dialogut dhe bashkëpunimit reciprok që i shërben ndikimit pozitiv, që rrit interesin ndaj librit dhe leximit.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH