Aktualitet

Libri “Fillimet”, botim i UET PRESS/ Zogaj rrëfen bisedat reale gjatë takimit me Ramiz Alinë dhe tregon çfarë ndodhi kur u shemb busti i diktatorit

Shkruar nga Liberale
Libri “Fillimet”, botim i UET PRESS/ Zogaj rrëfen bisedat reale

Preç Zogaj

Greva e studentëve

Me statujat dhe memorialet e tij, Enver Hoxha ngjante si një prani fantazmagorike në epokën e porsafilluar të demokracisë. Në PD dhe në “RD” sulmohej  me kujdes dhe me masë. Për arsye elektorale. Por studentët e dhjetorit kishin një pikëpamje tjetër. Ata donin t’i lanin hesapet pa humbur kohë me të. Duke filluar me heqjen e emrit të tij Universitetit. Ata mendonin se Enveri i pahequr si simbol  i diktaturës  ishte jo vetëm paradoksi, por edhe parodia e demokracisë. Madje edhe rreziku i saj.

Pasi shpallën  kerkësën e tyre,  studentët filluan një grevë që do të zgjaste disa ditë me radhë.  Në sheshin kryesor të qytetit “Studenti”, që më vonë do të merrte emrin “Demokracia”, u mbajtën fjalime dhe u thurën satira nga më të padëgjuarat deri atëherë për figurën e Hoxhës dhe regjimin e tij, u inskenuan skeçe dhe kuplete në një maratonë të pashembullt të përqeshjes dhe demaskimit të regjimit të tij. Asnjëherë,  as në njëzet vitet që pasuan besoj, Enver Hoxhës nuk i është bërë një gjyq publik kaq i epërm, i çiltër dhe i drejtë sa ai i ditëve të paharruara të grevës së studentëve të shkurtit 1991.

Qeveria i la studentët në qejfin e tyre në qytetin e tyre dhe nuk ndaloi askënd nga pjesa tjetër e vendit të ngjitej dhe të merrte pjesë si spektator apo si aktor në shfaqjen e madhe atje. Nga ana tjetër, e refuzoi sistematikisht kërkesën për heqjen e emrit të Enver Hoxhës universitetit duke e konsideruar të njëanshme, provokuese, luftënxitëse. “Për heqjen emrit të Enver Hoxhës duhet referendum”- ky ishte qëndrimi që përshtati qeveria, ndërkohë që konservatorët dhe radikalët në Partinë e Punës, duke shkuar me mendimin se prapa studentëve qëndronte Partia Demokratike, po kërkonin gjithnjë e me më ngulm nxjerrjen e saj jashtë ligjit.

Në fakt, PD i mbështeste pa rezerva kërkesat e studentëve. Por kishte gjithnjë një ngërç në komunikimin e saj me grevistët. Studentët më aktivë në krye të grevës ishin ata që ishin ftohur e larguar nga Komisioni Nismëtar, si Shinasiu, Blendi, etj. Ekzistonte një dualitet i pashpallur midis drejtuesve kryesorë të grevës dhe drejtuesve të Partisë Demokratike.

Në datë 17 shkurt kur fjalimet, talljet, maskat dhe hokat në sheshin e grevës e mbaruan kohën e tyre, studentët i drejtuan qeverisë një ultimatum. Kësaj radhe nuk mjaftoheshin vetëm me kërkesën për heqjen e emrit te Enverit Universitetit. Kërkonin fshirjen e emrit të tij nga faqja e Shqipërisë. Afati i ultimatumit ishte vënë ora 14.00 e drekës. Në të vërtetë ishte më shumë një pretekst për të kaluar në një formë me të avancuar të protestës. Qeveria që nuk e kishte vënë ujët në zjarr për të plotësuar kërkesën e tyre të parë, ca më pak do të preokupohej për të plotësuar një tjetër akoma më radikale. Siç pritej, ora ultimatumit kaloj pa asnjë reagim nga qeveria dhe atëherë studentët njoftuan vendimin e tyre të padëgjuar deri atëherë për të hyrë në grevë urije.

Gjatë njëzet e katër orëve që pasuan këtë njoftim, prindër dhe qytetarë, politikanë dhe sindikalistë, të rinj dhe të reja nga gjithë Tirana u panë të ngjiteshin orar e pa orar drejt qytetit “Studenti” ku “filipiket” dhjetë ditore ishin shkrehur dhe përgatitjet për grevën e urisë përkujtonin një atmosferë flije kolektive. Rreth shtatëqind e njëzet studentë regjistruan emrat për tu ngujuar në katin e dytë të kinoklubit “Studenti” që ishte zgjedhur si vendi ku do të zhvillohej greva. Hyrja e tyre e rregullt në këtë kullë të sakrificës filloi në orët e para të pasdrekës së datës 18 dhjetor me solemnitetin e një riti të panjohur deri atëherë: puthjen e flamurit kombëtar pa yllin e komunizmit nga secili prej grevistëve. I fundit e puthi flamurin në orën 16.30. Atëherë Blendi Gonxhe doli me një magafon në dorë në sheshin e shkallëve të jashtme dhe u kërkoj njerëzve të grumbulluar në shesh të tregoheshin të përmbajtur. “Ne kemi nevojë për ju, por ju nuk duhet të na prishni punë”- këto qenë fjalët e Gonxhes para se të tërhiqej në gojën e derës së hapur që u mbyll si të ishte dera e arkës së Noes mes psherëtimave dhe britmave që u ngritën nga sheshi.

Alia thërret opozitën për të negociuar një zgjidhje

Mbrëmjen e nëntëmbëdhjetë shkurtit kur greva e urisë kishte hyrë në njëzet e katër orëshin e saj të dytë, Sali Berisha njoftoi Komitetin Drejtues të PD-së për një takim urgjent të kërkuar nga Ramiz Alia. Kishte mendime për ta refuzuar kërkesën e tij për takim. Ç’punë kishim ne të fusnim hundët?

“Jo, ne punë kemi. Ne i kemi mbështetur kërkesat e studentëve dhe duhet t’i mbrojmë deri në fund”, i vuri kapak Berisha minidebatit që u shua para se të ndizej. U vendos të shkonim në Presidencë Berisha, Hajdari, Selami dhe unë.

Ne hymë njëri pas tjetrit në zyrën e tij të ndriçuar keq. Para se ta dalloja mirë ku ndodhej, dëgjova një thirrje të sertë:

“Unë do të vendos! Po po, unë do të vendos gjendjen e jashtëzakonshme”. Tingulli i hollë dhe i mprehtë i asaj thirrjeje e bëri edhe me sureale gjendjen në sytë e mi. Sakaq, ndërsa po mësohesha me ndriçimin e zbehtë të llampadarit, pashë Ramiz Alinë duke u kthyer me fytyrë nga ne, pasi kishte lëshuar atë thirrjen e tij përballë një vetrate të mbuluar me një perde tyli në anën e pasme, mu sikur kishte qenë duke folur me ndonjë hije. Fytyra e tij e lëmuar mu duk më e vogël se sa e mendoja. Po ashtu edhe trupi i tij pak mbi mesataren.

Ne të PD-së pamë njëri tjetrin me habi. Meritonim një pritje të fisme, aq me tepër që ishte Ramiz Alia ai që e kishte kërkuar takimin. Mos ishte akoma në inercinë e pushtetit të plotfuqishëm të Sekretarit të Parë që mund t’u kërkojë llogari të gjithëve dhe t’i kërcënojë të gjithë? Ah, po të ishte kështu zoti Alia ishte në një keqkuptim të madh. Ne nuk ishim vartësit e tij. As në pikëpamje të forcës…

-Nëse ju keni vendosur, kjo është puna juaj. Ne s’kemi pse rrimë!- tha Berisha. Alia e pa me habi. Berisha, megjithatë, e çoi në fund atë që kishte menduar të thoshte: -Ne jemi kategorikisht kundër .

-Kundër!?- përsëriti Alia me një ton mes ankimit dhe pyetjes. Ndryshoi papritur, na ftoi të uleshim në një rresht karrigesh përballë poltronës së tij dhe kur zumë vend, pyeti duke parë në drejtim të një kolltuku në të djathtën tonë:

-A keni ju ndikim si parti te studentët grevistë?

-Jo, – u përgjigj një zë i thellë, por i mbytur dhe vetëm atëherë unë vura re se personi i ulur në atë kolltuk të ulët ishte Sabri Godo, kryetari Partisë Republikane, një parti e krijuar disa ditë pas themelimit të PD-së. Kishte mbërritur përpara nesh në zyrën e Alisë, por nuk e kishim vënë re për shkak të ndriçimit të dobët. Unë sëpaku.

-Po ju, keni ndikim? – pyeti duke u kthyer nga ne Ramiz Alia.

-Po, kemi !- u përgjigj Azem Hajdari.

-Kemi! – konfirmoi me një zë të vendosur Eduard Selami, duke shtuar se drejtuesit e grevës ishin themelues të Partisë Demokratike. Ishim marrë vesh të deklaronim mbështetjen tonë politike për kërkesat e grevistëve, por ishim realisht dorëjashtë në organizimin e tyre. Eduardi ishte befasuar dhe po kërkonte t’i kthente reston Presidentit që na kishte pritur me këmbët e para.

Heshtja që pasoi u mbush përsëri me vibrime sherri. Presidenti u step një çast, por nuk e la zemërimin e tij të shuhej.

-Po, po, keni dorë, e di unë, e kam parë në gazetën e këtij!- tha me ton duke më ngatërruar emrin dhe duke ngulur në fytyrën time vështrimin e tij të lodhur dhe pothuajse pa jetë.  Vazhdoi një copë herë të zbrazte pakënaqësinë ndaj gazetës “RD”. Asnjëri prej nesh nuk mori mundimin të replikonte. Tjetri kishte dalë nga tema.

Si të ishte relaksuar e afruar me ne duke na bërë vërejtje dhe akuza, ndryshoi përsëri, u bë i sjellshëm, i komunikueshëm, i shtruar, i shdërvjelltë. Filloi atëherë mes tij dhe grupit tonë një diskutim i gjallë për shoshitjen dhe gjetjen e një zgjidhjeje “të drejtë, të arsyeshme dhe të ekuilibruar”, sipas Alisë, që edhe studentët të dilnin të kënaqur nga greva e tyre, edhe ndjeshmëritë e tjera të respektoheshin. Ngulmonte:

-Duhet të merremi vesh për një gjë. Cilado qoftë zgjidhja, ajo duhet të vihet në zbatim pas zgjedhjeve të 31 marsit.

Vështrimi i tij kërkues dukej sikur donte t’ja varte në qafë Berishës propozimin për afatin, që për të ngjante të ishte më i rëndësishëm se vetë zgjidhja që mund të jepej. Madje Alia sa nuk po e thoshte se do të bënte siç donin studentët, siç doni ju, por, por, por, pas zgjedhjeve, pas 31 marsit. Më vonë do të mësonim se ky kishte qenë mendimi që kishte dominuar mbledhjen e jashtëzakonshme të Komiteti Qendror PPSH-së të mbajtur atë ditë: qëndrimet për Enver Hoxhën të shtyheshin pas zgjedhjeve të 31 marsit.

“Hë. E bëni dot? Bëjeni”! thoshte vështrimi i tij tashmë i ndezur. Berisha mbante shënime kot në një letër. Gërvima nevrike e stilolapsit të tij sikur replikonte me Presidentin: “Jo, s’bëhet, vetëm kjo që s’bëhet”!

-A e dinë ata, a e dini ju se në Universitet janë më shumë ata që duan ta mbajnë Enver Hoxhën?- hidhej Alia i zënë ngushtë me refuzimin herë prej sfinksi, herë prej guhaku të Berishës. Në atë bisedë ne kishin avantazhin e poshtër të thoshnim vetëm “jo”,”jo” dhe madje edhe të ngriheshim e të iknim po të ndiheshim të fyer apo të frustruar, ndërsa Presidentit Alia i duhej të gjente patjetër një zgjidhje. Duke turfulluar së brendshmi me pozicionin e keq ku ndodhej, ai shtroi opsionin e referendumit universitar.

-Të votojnë studentët dhe pedagogët, të gjithë pa përjashtim: duan apo nuk duan që Universiteti i tyre të mbajë emrin Enver Hoxha.Madje të votojnë të gjithë kuadrot dhe specialistët që kanë mbaruar studimet e larta në këtë Universitet. Kanë edhe ata të drejtë të votojnë, apo jo?

Oh, kjo ishte vërtetë për të qeshur. Që nga dita e themelimit në vitin 1957 Universiteti ishte quajtur për shumë vite thjesht Universiteti Shtetëror i Tiranës. Emri “Enver Hoxha” i ishte vënë vonë…

-Ashtu, gabova unë domethënë. Mirë, e rregullojmë. Të votojnë vetëm kuadrot dhe specialistët që kanë në diplomë atë stemën “Universiteti Enver Hoxha”. Ja, kjo është një zgjidhje demokratike. A duam demokraci?

Berisha, Hajdari, Selami dhe unë nuk kishim vështirësi ta rrëzonim propozimin e tij cinik  me nota tallëse. A mos vallë ishin pyetur studentët dhe pedagogët kur ishte vendosur t’i vihej emri Enver Hoxha universitetit? Referendumi për heqje kishte kuptim vetëm nëse kishte patur referendum për vënie. Por e dinim të gjithë: me dekret ishte venë, ashtu edhe duhej hequr, me dekret. Presidenti duhej ta harronte referendumin.

Kjo që po thoshim ne ishte në thelb një shfaqje e lirë mendimesh, të cilën Alia mund ta merrte edhe si këshillë dashamirëse. Më tej, ne nuk kishim asnjë mandat të bisedonim për zgjidhjen. Ne e dinim, e kishim kuptuar nga gjithë gama e komunikimit me krerët e komisionit të grevës se ata  nuk na dëgjonin ne për zgjidhjen. Dinim edhe një gjë tjetër: opsionet që ata kishin shtruar plakeshin me shpejtësi sa më shumë zgjaste sakrifica e tyre. Ata nuk e pranonin sot atë që kishin kërkuar dje dhe nuk do ta pranonin nesër atë që kërkonin sot. Kjo ishte e famshmja praktikë e vjetërimit të opsioneve në sakrificë. Ramiz Alia nuk duhej të vonohej me zgjidhje të mesme.

Ai e la opsionin e referendumit dhe shtroi opsionin e ndarjes së Universitetit “Enver Hoxha” në katër universitete me vete, sipas degëve. Secili universitet i ri do të kishte emrin e vet, rrjedhimisht emri Enver Hoxha binte vetvetiu se nuk kishte kush ta mbante. Këtë opsion e kishte artikuluar atë ditë edhe Ministri i Arsimit, Skender Gjinushi, i cili kishte ardhur ndërkohë në zyrën e Alisë për ta zhvilluar më konkretisht para nesh. Ne e konsideronim të pranueshëm nëse realizohej brenda ditës së nesërme, por nuk ishim të sigurt a do ta pranonin studentët.

Siç e pamë qartë  kur vizituan studentët e grevës po atë natë, uria kishte avancuar me “plakjen e opsioneve”. Krerët e komisionit  na thanë se mund ta kishin pranuar më parë variantin e ndarjes që rrëzonte emrin. . Por tani ishte vonë. Nuk ishin të kënaqur me rënien e emrit të Enverit. Kërkonin e heqjen e tij me dekret, ashtu siç ishte venë. Kishin të drejtë.

Rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës

Të nesërmen në datë 20 shkurt Bashkimi i Sindikatave të Pavarura, një federatë e fuqishme antikomuniste, në krye të së cilës kishin spikatur Fiqiri Cibri nga miniera e Valiasit, ish i burgosuri politik, Eqerem Kavaja, inxhinieri gjeolog Gezim Shima, Albert Xholi, Gëzim Kalaja, Valer Xheka, e tjerë, kishin thirrur një miting solidariteti me grevistët e urisë. Mijëra qytetarë të Tiranës filluan të mblidheshin qysh në orët e para të mëngjesit përpara kinoklubit të qytetit “Studenti”. Në një tribunë të improvizuar në ballkonin e konviktit përkarshi  mori jetë një maratonë fjalimesh.  Sidikalistë dhe qytetarë të ndryshëm  ngjiteshin pa protokoll për të shprehur solidaritetin me  grevistët.

Një çast, kur u duk se nuk kishte mbetur gjë pa u thënë dhe mitingu po rrezikonte të binte në rutinë me fjalime të përsëritura dëgjohet nga tribuna-ballkon zëri i kulluar i një gruaje që thirri: “Gra, motra, nëna! Të fillojmë zbritjen në bulevard nga ky moment”. Ishte artistja e mirënjohur, Rajmonda Bulku.  Zhvendosja e epshme e tumës filloi përpara se aktorja e bukur të largohej nga tribuna, mu sikur të gjithë, gra dhe burra, të rinj e të reja, gjimnazistë dhe pensionistë kishin qenë duke pritur atë thirrje që i ftonte të ndryshonin pa humbur kohë vendin e betejës, t’i dilnin ballëpërballë një kundërshtari të vjetër që e dinin mirë kush ishte dhe ku ishte, t’i jepnin pa humbur kohë betejën e shkruar në të gjitha llojet e profecive.

Kolonat e njerëzve në rrugën që zbriste te Liceu Artistik u përballën me gardhin e forcave të policisë dhe gardës që ishin pozicionuar të pengonin me çdo mjet përparimin e tyre drejt Komitetit Qendror, Kryeministrisë apo Bllokut, duke përdorur ujin me presion të zjarrfikëseve, të shtënat në ajër, shkopinjtë e gomës, qentë e kufirit. Policët me skafandra ngjanin të huaj dhe të frikshëm. Ishin trupa të krijuara dhe të stërvitura enkas për t’u përballur me protestues antiregjim. Nuk kishin ekzistuar më parë. Nuk kishte qenë nevoja. Komunizmi në pushtet nuk ishte mbrojtur ndonjëherë me shkopinj gome, por me plumba luftarakë.

Në një çast, nga një grup qytetarësh që dukeshin më të organizuar se pjesa tjetër e turmës, u dëgjua thirrja e fortë e një mesoburri: “Hajde shkojmë te sheshi pë të rrëzuar monumentin dhe të djegim veprat”! Ai u shmang i pari djathtas dhe ia doli të krijonte një farë hapësire të lirë me zërin dhe lëvizjet e tij të fuqishme. Një tjetër pranë tij ngriti një flamur kombëtar pa yllin e kuq të komunizmit mbi kokat e shqiponjës, katër- pesë gra u vunë në radhë përbri njëra-tjetrës, hapën një banderolë të madhe prej basme ku ishte shkruar “Liri-Demokraci” dhe filluan lëvizjen paralel me trupat policore, prapa burrit që kishte thirrur “te sheshi”. Më vonë do të mësohej se ishin “të rrugës së Kavajës”, rreth tetëdhjetë ish të burgosur politikë dhe familjarët e tyre. Burri që kishte thirrur ashtu dhe që do të merrte një rol protagonisti në ngjarjen e asaj dite ishte inxhinieri Saimir Maloku, i dënuar për shumë vite nga regjimi, ndër të tjera edhe si shpikësi i “kanoçes” së famshme, kutisë artizanale që u kishte mundësuar shumë shqiptarëve të kapnin ilegalisht sinjalin e Radiotelevizionit italian gjatë viteve të izolimit. Personi që kishte ngritur flamurin pa yll ishte Artur Zadrima, ndërsa banderolën e kishte shkruar me bojë këpucësh Albert Risilia, një djali i ri nga qyteti i nxënësve.

* * *

Ndërsa turma po zhvendosej tashmë drejt sheshit “Skenderbej”, disa nga anëtarët e Komitetit Qendor të PPSH-së dhe drejtues të tjerë të lartë të asaj partie po nxitonin në drejtimin e kundërt për të marrë pjesë në një mbledhje tjetër urgjente të thirrur nga Ramiz Alia. Ishte një si garë me kohën dhe epokën mes palës që po nxitonte ta mbante dhe palës që po përparonte ta hidhte Enver Hoxhën.

Njeriu që kishte detyra ligjore për të përmbushur në atë orë të historisë ishte Hekuran Isai, Ministri i Brendshëm. Ky ishte në siklet. Ramiz Alia e kishte lenë të drejtonte operacionin në terren, në darën e direktivave kundërthënëse. Në një anë i duhej të zbatonte dekretin për mbrojtjen e monumenteve. Nga ana tjetër nuk duhej të derdhte gjak.  Ç’duhej të bënte me tërë ata njerëz, ku secili e kishte të lehtë hiqej sikur e kishte çuar apo zënë hera në turmë dhe të gjithë shtynin njëri tjetrin përpara drejt  monumentit. Nga familja e tij,  siç ka dëshmuar më vonë,  e telefononin herë pas here duke i kërkuar më të lutura të mos lejonte vrasje njerëzish. Mëdyshjet i rëndonin si gurë në qafë: po të vriteshin njerëz do të dënohej nga historia. Po të lëshohej Enveri pa çak e pa bam mund të dënohej si tradhëtar nga shokët e Byrosë Politike. Vetë dekreti për mbrojtjen e monumenteve kishte ekuivoke në lidhje me përdorimin e armëve të zjarrit.

* * *

Forcat speciale dhe disa njësi të gardës ishin pozicionuar në sheshin “Skënderbej” përpara se atje të mbërrinte pararoja e lumit të madh të njerëzve që ishin nisur nga qyteti “Studenti”. Grupi i rrugës së Kavajës ndaluan në pjesën jugperëndimore të sheshit në rrugën që ndante Bankën e Shtetit me monumentin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu. Një grup tjetër, ai i Saukut, që drejtohej nga Lulzim Braja, po shtynte përpara. Sakaq nga sheshi i Ushtarit të Panjohur, në pjesën veriore, u pa të mbërrinte lumi i madh i njerëzve që kishin ardhur nga rruga e Elbasanit. Pa drejtim, pa komandë, kjo turmë e stërmadhe bëri një ndalesë të shkurtër në shkallët e Pallatit të Kulturës si për të matur me sy shkallën e rrezikut në shesh. Pastaj zinxhiri i njerëzve rrëshqiti brinjazi në drejtim të hotel “Tirana”, si një varg rruazash që hapen e hapen e s’kanë të sosur. Erdhi një çast kur pararoja e këtij rreshtimi të vetvetishëm forcash zbriti në shesh duke vijuar lëvizjen në formën e krahmarrjes në drejtim të Muzeut Kombëtar. Ngjante kjo hapje si një manovër e rrethimit të kujdesshëm të sheshit dhe platformës ku ishte vendosur statuja e Enver Hoxhës. Tutje, rruga e Durrësit dhe ajo e Kavajës prapa statujës po mbusheshin me njerëz që nuk kishin qenë në qytetin “Studenti” por kishin ardhur e po vinin nga lagjet e pjesës perëndimore të qytetit. Praktikisht rrethimi i sheshit ishte përmbyllur. Turma përparonte  valë-valë me ndalesa dhe kthime, në vartësi të sulmeve që ndërmerrnin kundër saj forcat e policisë dhe gardës.

 

Pasi dështuan në sprapsjen dhe shpërndarjen e turmës, duke përdorur makinat ujëhedhëse me presion, shkopinjtë e gomës, qentë e kufirit, plumbat plastikë dhe disa diagaçë që dhanë një provë force me vërtitjen e tyre si brumbuj në shesh, forcat e policisë, të sulmuara edhe me gurë nga disa prej demonstruesve, u rigrupuan dhe u pozicionuan në rrethin e ngushtuar të platformës në mes të së cilës ngrihej monumenti i Enverit.

Ndjesia se do të luftohej e derdhej gjak përforcohej me zvogëlimin dramatik të distancës midis demonstrusëve të pararojës dhe trupave policore në zonën e monumentit. Ishte parathënë me kohë, kishte mbërritur çasti dhe s’kthehej më. E donte një betejë, e meritonte një betejë rrëzimi i Enverit.

* * *

Beteja kishte zbritur në sheshin më të madh të Shqipërisë. Një anëtar i grupit të rrugës së Kavajës, Hysen Berberi, do të gjakosej në kokë nga një goditje me gur;  flamurmbajtësi, Fatmir Merkoçi, do të plagosej me armë zjarri; një polic i thjeshtë do të plagosej me gur dhe do të dërgohej me urgjencë në spitalin ushtarak nga protestuesit Adrian Heta dhe Ingrit Sukaj, që kishin rrëmbyer një makinë IFA të braktisur në shesh. Por kasaphanë nuk do të kishte.

Komiteti Qendror ishte mbledhur. Situata ishte kaotike, mbre­të­ronte një rrëmujë e pazakonshme për zakonet spartane të atij forumi.

“Pesë anëtarë të byrosë politike ishin në këmbë, prapa tryezave të parregulluara të presidiumit”, do të kujtonte më vonë Marash Hajati, drejtor i Radiotelevizionit Shqiptar dhe anëtar i Komitetit Qendror. Mbledhja nisi me një fjalë të shkurtër të Ramiz Alisë.

“Demonstruesit në fillim donin të vinin këtu në Komitetin Qendror e në Këshillin e Ministrave”, tha ai dhe vazhdoi: “Ju e kuptoni përse donin të vinin. Për të marrë pushtetin si në vendet e tjera. Meqenëse panë rezistencën e forcave ushtarake janë drejtuar nga sheshi. Duan të heqin monumentin e Enver Hoxhës. Çfarë mendoni ju, si të veprojmë”? pyeti.

Heshtja rëndoi si plumb në sallën ku Enver Hoxha kishte lënë kujtimin e eliminimit të pamëshirshëm të shokëve dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë.

Haxhi Lleshi, ish Presidenti në pension, u ngrit me një hov më të madh se sa e lejonte mosha dhe jeli i pleqërisë. Priti pak sa mori njëfarë drejtqëndrimi dhe thirri:

 

“Të marrim armët! Emrin e Enverit do ta mbrojmë me gjak. Nuk do të lejojmë që të dëmtohet monumenti i tij”.

Thirrja e tij prej brigandi plak e ngriu edhe më tej atmosferën e mbledhjes. Disa nga anëtarët më të rinj të Komitetit Qendror shkëmbyen me njëri tjetrin vështrime mosmiratuese. Nuk ishte e drejtë të lëshoheshin thirrje për luftë nga dikush që nuk ishte në gjendje të luftonte vetë. Por replika i erdhi Haxhiut andej nga nuk e priste: nga moshatarët e tij Manush Myftiu dhe Rita Marko, që bënë thirrje për kujdes dhe evitim të gjakderdhjes. Thirrjes për mospërdorimin e armëve të zjarrit kundër demonstruesve iu bashkuan edhe Ministri i ri Ismail Ahmeti dhe skulptori Muntaz Dhrami. Haxhi Lleshi i akuzoi si tradhtarë.

Ndihmësi i Ramiz Alisë, Nexhmedin Dumani, solli për shefin e tij një copë letër që ia vuri mbi tavolinë. Ishte një njoftim nga Ministri i Brendshëm Hekuran Isai. Alia e lexoi vetë, para se tua lexonte fjalë për fjalë gjithë të tjerëve:

“E thyen mbrojtjen tonë, është rrethuar monumenti i shokut Enver dhe duan ta rrëzojnë. Presim përgjigje si të veprojmë”.

“Të mbrohet”! thirri i pari Alia duke lënë pusullën e porsalexuar në tryezë. Pasoi një heshtje varri, të cilën e theu e folura e mbytur e kryeministrit Adil Çarçani:

“Si erdhi Partia deri këtu”?

Ish presidenti Haxhi Lleshi u përpush në karrigen ku ishte ulur sikur po grindej me pleqërinë që i kishte marrë anën.

“Pse nuk qëllojnë me fishekë luftarakë”? thirri me hidhërim.

* * *

Ishte çasti kur në ringun e ngushtuar të sheshit “Skenderbej” afër shtatores së Hoxhës disa dyzina protestuesish, kryesisht të rinj, po sulmonin me gurë dhe copa mermeri policinë që përpiqej t’i prapësonte. Në një moment dikush thirri me zë të lartë: “Mos u trembni, policia ka fishekë manovre”. Kjo thirrje pati efektin e kushtrimit dhe çlirimit të turmës nga frika. Njeriu që e lëshoi humbi brenda vërshimit të fuqishëm të njerëzve përpara. Nuk u muar vesh kush qe dhe nuk doli kurrë të thoshte “isha unë”, siç dolën me radhë përgjatë viteve të mëvonshme të gjithë ata që kishin bërë diçka të pazakonshme për rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës. Policia dhe Garda hoqën dorë nga rezistenca e mëtejshme, u tërhoqën. Sheshi “Skënderbej” ra i gjithi nën sundimin e turmës që u tre-katërfishua sa çel e mbyll sytë; disa policë dhe gardistë që nuk arritën të tërhiqeshin në mënyrë të rregullt me shokët e tyre mbeten të bllokuar mes civilëve. Tre-katër prej tyre, ushtarë të vitit të parë ndoshta, qanin nga frika. Njerëzit që u kalonin pranë u hidhnin ndonjë fjalë të mirë, por askush nuk kishte kohë për të humbur me ta, sekush dëshironte t’i afrohej sa më afër monumentit ku demonstruesit e pararojës kishin mbërritur tashmë dhe po ndërtonin si në ethe planin për ta rrëzuar. Nga rruga e Durrësit mbërritën dy djem të rinj me një rrotull litari prej lini. Sakaq Adrian Heta ishte kthyer nga spitali ushtarak bashkë me makinën IFA, të cilën e kishte ndaluar nga ana e pasme e monumentit.

* * *

Nexhmedin Dumani solli një pusullë tjetër, të cilën Alia, të cilin ky e lexoi si të mos i drejtohej atij:

“Në piedestalin e shtatores ndjehen goditje. Monumenti po lidhet me kavo çeliku. Policia dhe ushtria mundohen me kot të afrohen, të shtënat me armë as që përfillen”.

“Ç’të shtëna janë ato? thirri Haxhi Lleshi. “Të shtëna manovre”, shtoi me përbuzje dhe u nder në karrige si të kishte zbuluar komplotin më të madh të jetës së tij të cilin nuk kishte fuqi dhe moshë ta ndalonte. Ai dhe gjithë të tjerët aty kishin arsye ta konsideronin të humbur davanë, sa kohë që protestuesit kishin kaluar përtej forcave të policisë dhe Ministri i Brendshëm i raportonte Kryetarit të Shtetit si një informator i rëndomtë për tingujt që vinin nga goditja e shtatores, si të bëhej fjalë për një objekt të fshehur në qendër të tokës. Të shkonte mendja se Alia dhe Isai, po të mos ishin bukosur edhe vetë nga atavizmat shumëvjeçare, po talleshin me pleqtë e Byrosë Politike.

* * *

Në shesh, rreth monumentit të Enverit, përpjekja e parë për ta rrëzuar dështoi. Litari prej lini nuk mbante. Nën trysninë e sekondave dhe minutave që binin si gjyle nga klepsidra e kohës, dikush solli një kavo nga makina IFA e ndaluar pak më tej. Një burrë i quajtur Astrit Hatellari u ngjit mbi supet e një qytetari dhe arriti ta lidhte kavon te parakrahu i dorës së majtë të shtatores. Filloi tërheqja. Një, dy, tre, katër, pesë… Shtatorja pesëmbëdhjetë metra e lartë u hepua pjerrtas nga e majta dhe ra në tokë si trung nën peshën e vet. Ishte ora 14.06. Një brohoritje e pagjasë u ngrit sakaq në gjithë gjatësinë dhe gjerësinë e sheshit “Skenderbej”, deri tutje në shkallët e Pallatit të Kultures dhe akoma më tutje në thellësi të rrugëve hyrëse në shesh, ku turma të reja njerëzish sikur kishin mbirë nga dheu bashkë me thirrjet e tyre të papërmbajtura që kishin tingëllimin e kujeve të vjetra.

* * *

Në Komitetin Qendror të Partisë Ramiz Alia u ngrit nga karriga me një sforcim të dukshëm për të mos u dukur i ligështuar dhe shkoi të fliste vetë në telefon me Ministrin e Brendshëm. Ngjarja e re duhej të ishte e tillë që nuk mund të njoftohej me copa letrash.

Ministri i Brendshëm raportoi nga zyra e tij:

-E rrëzuan shoku Ramiz!

Alia u gëlltit.

– U rrëzua? Ja, po njoftoj shokët e Komitetit Qendror,- tha dhe e mbylli telefonin.

Alia u dha të pranishmëve lajmin se monumenti i Enver Hoxhës ishte rrëzuar. Të gjithë sa ishin aty, instiktivisht, kthyen kokën në drejtim të Nexhmije Hoxhës a thua se prej atij çasti i rrëzuari nuk ishte gjë tjetër veçse ish burri i saj. E ulur diku në mes të kollonave të rënda, Nexhmije Hoxha u ngrit në këmbë, vuri çantën poshtë krahut dhe iku duke mbajtur lotët.

xxx

Prej atij çasti, për shumë kohë, rrëzimi epik i moumentit të Enver Hoxhës do të trajtohej zyrtarisht si një vepër e njerëzve pa emër. Do të duhej të kalonin shtatëmbëdhjetë vjet  që një pjesë e këtyre protagonistëve, Saimir Maloku, Haredin Fratari, Astrit Hatellari, Adrin Heta, Gjovalin Cokani, Albert Risilia, Lulzim Braja, EqeremKavaja, Gëzim Kalaja, Gani Lami, Jonuz Gjetani, Hygerta Borova, Linda Bezhani, Liljana Llapaj, Lindita Hamiti, Sanije Vojka dhe Vera Rada të nderoheshin me urdhëra dhe tituj nderi nga Presidenti i pestë i Republikës, Bamir Topi. Pas shumë vitesh do të dekoroheshin gjithashtu operatorët Agim Buxheli, Bujar Kore dhe Fatmir Çepani të cilët filmuan rrëzimin e e monumentit të Enver Hoxhës, si dhe fotoreporteri ATSH-së,  Gani Xhengo.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH