Leteratura

Lëvizjet për gjuhë: Shqipja përballë presioneve të kohës

               Publikuar në : 10:37 - 24/02/20 liberale

Prof. Diana KASTRATI

Drejtore e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët

Nëse duam të nisemi nga titulli që mbart ky tubim i sotëm, fjala orientuese është ajo e lëvizjeve. Nëse me lëvizje nënkuptohet marrje dhe dhënie midis gjuhëve, mendoj se nuk kemi të bëjmë aspak me një problem, përkundrazi, me një benefit që tashmë njihet historikisht e botërisht. Madje, mjerë ajo gjuhë që mbetet e ngujuar vetëm në trup të vetin.

Nuk është e para herë në historinë tonë kombëtare që ndodhemi në situatën ku na duhet ta mbrojmë me dhëmbë gjuhën. Por në ato kohëra të shkuara rreziku ishte tejet iminent e i qartë: bëhej fjalë ose për zhdukje, ose për asimilim, përthithje nga një tjetër gjuhë. Patëm fatin që ca koka të mençura e të kultivuara shqiptare, ditën ta fusin shqipen në rrjedhën e vet natyrale duke na bërë nderin më të madh të të gjitha kohërave. Pa dashur të ndalem tek fakti i mirënjohur historik i vendosjes së beftë të shqipes përballë gjuhëve që më së fundi po lëvroheshin me vrull në terrenin tonë, lind nevoja të saktësojmë se çështja e një kërcënimi eventual të dëmtimit të shqipes përkon me pas ’90 e shekullit të kaluar, me hapjen e madhe historike tonën në nivel ideologjik, ekonomik e sigurisht kulturor. Takimi i kulturave pa diskutim që sjell pasurim, por problemi qëndron në përdorimin e gjuhës amtare në raport me gjuhët e ashtuquajtura “superiore” ose “gjuhët e mëdha”. Personalisht, e gjej këtë togfjalësh të padrejtë: nuk ka gjuhë të vogla e gjuhë të mëdha. Ka gjuhë që për arësye statistikore numrash (pra popullatash që e flasin) janë më të mëdha se të tjerat, dhe nga ana tjetër ekzistojnë arësyet e forcës politike dhe ekonomike që në shekuj kanë bërë të mundur që një gjuhë të marrë epërsinë mbi të tjerat. Kjo ndodhi me frëngjishten deri në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, duke ia kaluar stafetën anglishtes. Pak më lart përdora frazën “mjerë ajo gjuhë që mbetet e ngurtësuar në trup të vetin”, por takimi i shqipes me gjuhët e “forta” si rrjedhojë me kulturat e tjera, prodhoi fillimisht problemin thjesht psikologjik të inferioritetit. Dëshiroj të nënvizoj se në atë moment historik, shqipja paraqitej si një gjuhë mjaft e pasur, e konsoliduar dhe e qëruar. Por, ajo që mungoi ishte rezistenca që duhej t’i bëhej përdorimit të pa kriter të gjuhëve të tjera në brendësi të shqipes. Jam e mendimit se me shpërdorimin që iu bë gjuhës shqipe në nivel të foluri e të shkruari pati pasoja të rrezikshme jo vetëm në nivel strukturor të saj, pra në sintaksë, në rendin e fjalëve dhe në denatyralizimin e saj në leksik, në frazeologji, por dëshiroj të kujtoj se vetëm kategoria e njerëzve që janë pak të informuar mund të mendojnë me naivitet se një gjuhë shërben vetëm për të komunikuar. Një gjuhë përbën edhe mënyrën e të menduarit, të të parit të botës, mënyrën e ndërtimit të një kulture të të jetuari. Kjo është pika themelore e diskutimit. Gjuha e strukturon mendimin e një individi.

Meqenëse humbjet në rrafshin gjuhësor nuk “kullojnë gjak me sy të lirë”, me naivitet mund të mendohet se nuk kemi dëm as imminent, as të ardhshëm. Dëshiroj të sjell në vëmendje për shembull se çfarë ndodh me të rinjtë aktualisht. Nga përvoja ime e drejtpërdrejtë me studentët, më ka rastisur shpesh që për të shpjeguar një koncept në sociolinguistikën italiane, në rastin kur ky koncept mbërrinte i vështirë tek ata, më duhej t’i ktheja sytë nga një term anglisht i cili i shpinte në fakt ata në të kuptuarin e mbase të vetmit realitet kulturor i cili iu ishte i njohur. Përdorimi masiv i gjuhës bazike të internetit apo i kinematografisë komerçale amerikane i ofruar në overdozë, ua ka reduktuar gamën e kuptimit të botës, reduktim i cili në fakt e ka bazën në përdorimin e një gjuhe tejet të reduktuar e të thjeshtëzuar të çuar gati në skelet. Le të ndërmendim përdorimin e shëmtuar të fjalës “kjo gjëja këtu” është e mirë ose e keqe. Kalku gjuhësor i gjuhës angleze  amerikane, shpie në zhdukjen e arësyetimit me nuancat semantike, apo leksikore te fjalës. Reduktimi në fjalën “gjë” e cila mund të jetë e mirë ose e keqe, në fakt pengon automatikisht të menduarit paksa më kompleks, paksa më elastik. Thjeshtëzimi i fjalës, i gjuhës, është një dëm cerebral e po kaq gjuhësor, e anasjelltas. Në këtë rast kemi të bëjmë me një dëmtim gati të pariparueshëm. E këtu nuk po flasim vetëm për anglishten. Por edhe për gjuhën italiane. Më rastis shpesh t’iu kërkoj studentëve kthimin në shqip të një shprehjeje frazeologjike, por fatkeqësisht vështrimi i tyre ndalet tek shprehjet frazeologjike të cilat nuk janë të fondit autokton të frazeologjisë fort të pasur shqipe. Një nga shembujt më domethënës është ai i “qershia mbi tortë”. Kjo shprehje, kalk i pastër nga italishtja, nuk i përket fondit tonë, për një arësye fort të thjeshtë: në kulinarinë shqiptare torta nuk ka qenë pjesë e saj, është futur relativisht vonë. Aq më pak njihet burimi prej nga ka dalë qershia mbi tokë!  Kjo frazë, e përkthyer mot à mot, është futur në përdorimin masiv të folësve pa e patur fort idenë se cili është kuptimi i saj. Përdorimi i pavend e masiv me synimin e të fituarit një prestigj paksa më modern, apo në rastin e migracioneve të brendshme në Shqipëri, të një pranimi urban,  i shprehjeve të tjera frazeologjike si “në fund të ditës”, “nuk bën sens” “nuk i bën drejtësi” “është bërë trend”, “performancë dhe performoj” “padiskutimisht”, “life style” “dakordësoj”në vend të frazeologjisë shqipe, madje duke ndërhyrë egërsisht e pavend në fjalëformimin e shqipes siç është rasti i “padiskutimisht”, apo i “dakordësoj”, fatkeqësisht është bërë… trend!!! Por historia, mjeshtre e jetës, na ka mësuar se gjuhët e vendeve sunduese  në nivel ekonomik apo politik, shpesh shpien drejt zhdukjes gjuhët e vendeve të sunduara jo thjesht ushtarakisht si dikur, por atë që është mbase edhe më e rrezikshme se të gjitha, kulturalisht. Greqishtja gëlltiti frixhion. Latinishtja vrau gjuhën iberike e galishten. Në kohët e sotme, 25 gjuhë zhduken çdo vit. Të gjitha këto gjuhë që zhduken përfaqësojnë një humbje të pallogaritshme për njerëzimin, sepse bashkë me to zhduken edhe kulturat që e mbartnin. Ekosistemi gjuhësor ka kohë që është vënë në rrezik. Këtu duhet parë kërcënimi real i gjuhëve të folura nga komunitete folësish në numër të reduktuar. Le të kuptohemi qartë: nuk është puna të luftojmë të mësuarit e gjuhëve të huaja, të anglishtes apo një gjuhe tjetër sunduese; as të jemi disfatistë. Mos o Zot! Sa më shumë gjuhë të njohësh, po aq herë je njeri! Por, në diversitetin e pafund gjuhësor e kulturor në të cilin ndodhemi, ne na duhet të luftojmë për fuqizimin e saktësisë e të pasurimit të shqipes. Ky është i vetmi imperativ.

Në gjykimin tim, por besoj është thënë edhe nga të tjerë para meje, prej kohësh,  rrugët të cilat shpien në parandalimin e këtij rrezikimi të shqipes, do të ishin:

  • Më së pari, serioziteti dhe skrupoloziteti i të mësuarit të shqipes që në sistemin parashkollor, me një numër të rritur orësh në krahasim me situatën e sotme;
  • Së dyti, futja në sistem e të lexuarit, e të shkuarit që fëmijë në biblioteka, familiarizimi me libraritë si një vend argëtimi, jo sforcimi e vuajtjeje;
  • Së treti, futja me ligj e penalizimit ligjor të institucioneve dhe mediave që dhunojnë e shtrembërojnë përdorimin e shqipes;
  • Së katërti, zgjerimi i hapësirës së përdorimit të dialekteve apo të folmeve lokale e krahinore, në letërsinë artistike, krijimi i antologjive për krijuesit artistikë të prozës apo poezisë të cilët lëvrojnë dy dialektet kryesore të shqipes apo të folmet krahinore. Gjuha standarte është trungu, por dialektet janë rrënjët e degët prej nga furnizohet me gjak e me nerv ai trung, është pasurimi me ç’ka më të bukur stilistikisht mban gjuha jonë. Aty mund të prekim thelbin e vërtetësisë tonë kulturore.
  • Përkthimi. Është letërsia dhe përkthimet që plazmojnë gjuhën, që e pasurojnë atë, që i japin identitet, frymëmarrje, dritë. Por, kujdes: vetëm përkthimet cilësore, që, e përkthyer me fjalë të thjeshta do të ishte: sitë e hollë në të cilën duhet të kalojnë përkthyesit; futja në funksion të plotë e redaktorëve gjuhësorë pranë shtëpive botuese. Pasuria e Europës qëndron pikërisht tek diversiteti. Siç thoshte Umberto Eco “gjuha e Europës, është përkthimi”, sepse është pikërisht përkthimi që vë në dukje dallimet midis kulturave, i ekzalton ato, i lejon të kuptojnë pasurinë e njëra tjetrës. /Gazeta Liberale

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back