Kryesore

Lëvizja (jo) politike

               Publikuar në : 09:35 - 25/05/20 liberale

Me shembjen e godinës, anëtarët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit deklarojnë se kauza nuk ka përfunduar. Shtrirja e protestës në tre qytete brenda javës dhe kërkesat për ndryshimet kushtetuese dhe sistemin zgjedhor duken si hapa drejt terrenit politik, ndërsa Edmond Budina, njëri nga drejtuesit do të lajmëronte plane të shumta e të reja, por pa zbuluar detaje

Suadela Balliu

Shpërnda Parlamentin! Ishin thirrjet e aktorit Edmond Budina, drejtuar presidentit Meta ditën që fadromat përfundonin punën e nisur ndaj të gdhiri për shembjen e Teatrit Kombëtar, ndërsa qëndrestarët e tjerë, aktorë aktivistë, përfshi edhe vëllain e tij, regjisorin Robert Budina ishin prej orësh në komisariatet e policisë.

Ajo që u njoh si Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, e që me shembjen e godinës 80 vjeçare, u duk se përfundoi aty pas 27 muajsh qëndresë, do të merrte të tjera përmasa.

Anëtarët e saj, deklaruan se kauza nuk ishte mundur, përkundrazi. Do të bëhej edhe më e fortë, duke i shtuar kështu dimensionin e protestave qytetare- tri të tilla deri më tani-, e që gjetën edhe mbështetjen e opozitës, ndërsa kauza prej kohësh kishte gjetur përkrahjen e kreut të shtetit. Dy padi të dorëzuara në Gjykatën Kushtetuese, nga presidenti Meta, për çështjen e teatrit, përpos thirrjeve për reflektim që ai u bëri qeverisë qendrore dhe asaj vendore, pas publikimit të VKM-së që i kaloi në pronësi godinën e Teatrit Kombëtar, Bashkisë Tiranë. Nga zyra e tij, presidenti u dha kurajë qytetarëve që dolën në rrugë të dielën e 17 majit dhe ditët që pasuan, duke denoncuar dhunën  e ushtuar nga forcat e policisë dhe duke i cilësuar arrestimet dhe ndalimet politike.

Përpos kërkesës së Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar për ta rindërtuar atë ashtu siç ishte, aty ku ishte, duke i dhënë jetë  edhe një peticioni, që po mbledh firmat e shqiptarëve ku pas Tiranës grupimi u ndal në Durrës dhe Shkodër, një deklaratë hodhi dyshimet se gjithçka po evoluonte drejt një lëvizjeje politike apo partie të re.

Megjithëse në më shumë se dy vite, aktorët, regjisorët dhe aktivistët e shoqërisë civile të kësaj aleance kanë zhvilluar takime me forca politike, institucione vendase, por edhe me diplomatë të huaj – si ai me ambasadoren e mëparshme të BE-së, Vlahutin para se ajo të largohej –kanë kërkuar ndihmë nga organizata të huaja përmes letrash të hapura apo hetim ndërkombëtar siç bënë së fundi duke iu drejtuar ambasadores së ShBA-së, katër qëllimet e shpalosura nga Aleanca u duk se paralajmëronin hapin e ri politik.

Nga rrëzimi i qeverisë Rama, të cilën e kanë cilësuar diktatoriale- kërkesë të cilën e artikuloi fuqishëm vitin e kaluar Opozita e Bashkuar -, tek ndryshimi i sistemit zgjedhor para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, ide e hedhur jo vetëm nga opozita e re, por së fundi edhe nga kreu i PD-së Lulzim Basha, që sugjeron parlament me dy dhoma dhe nga ambasada e ShBA-së, që siç kanë zbuluar disa deputetë  të opozitës brenda parlamentit, kanë sjellë shembull modelin danez.

Ajo që kërkohet në deklaratën e Aleancës, është të rikthehet e drejta e qytetarëve për të zgjedhur deputetët e tyre. Ndërsa deputetja Hajdari dhe kolegë të saj kanë artikuluar lista të hapura, Basha deklaronte pas një prej protestave që erdhën me shembjen e Teatrit, se ishte për një sistem Maxhoritar të pastër.

Një tjetër kërkesë e tyre është edhe shfuqizimi i të gjitha amendamenteve të Kushtetutës të kryera pas vitit 1998. Muaj më parë ishte presidenti Meta, i cili lajmëroi një tubim më 8 dhjetor, me rastin e Ditës së Rinisë, ndërsa duke theksuar ndryshimet që kishin dëmtuar Kushtetutën e vitit 1998, miratuar me Referendum, kërkonte mbështetjen qytetare për një referendum të dytë. Më 2 mars, Kreu i shtetit do të realizonte tubimin, i cili u anulua më herët për shkak të tërmetit të 26 nëntorit, i pari i realizuar nga një president që kishte si fokus mbrojtjen e Kushtetutës, në mes të ngërçit mes tij dhe maxhorancës shkaktuar nga listat  e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese, që solli edhe kallëzimin penal ndaj kreut të KED, Ardian Dvoranit.

Duke u ndalur tek ndryshimet kushtetuese të 2008-s, mes PS dhe PD, që sollën ndryshim në sistemin zgjedhor dhe ato të 2016-s për Reformën në Drejtësi, ku sipas kreut të shtetit nxorën në pah probleme akute, Meta do të shprehej se ishte Koha për një referendum i ri, pasi ai i ’98 ishte tradhtuar.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kërkon hartimin e një  kushtetute të re, të mbështetur në parimet e demokracisë direkte, duke u shprehur se do të bashkëpunojë me çdo grupim qytetar dhe individ për rrëzimin e diktaturës dhe ringritjen e demokracisë në vend.

Ndonëse deri më tani, stacionet e tyre në qytete të ndryshme të vendit për të mbledhur firma për peticionit, kanë pasur qëllim mbështetjen qytetarë për kërkesat e ndërtimit të godinës siç ishte, në po atë vend  dhe nisjen e një hetimi ndërkombëtar për mënyrën sesi u shemb.

Një tjetër protestë, grupimi i e organizoi përpara godinës së SPAK, ndërsa regjisori Robert Budina e cilësoi shembjen e teatrit si  tentativë për vrasje të  artistëve, intelektualëve, aktivistëve, e qytetarëve e mbështetësve të aktivistëve.

“Nëse drejtësia do të kishte funksionuar nuk do të kishte pasur përplasje. Jemi detyruar të thërrasim popullin në betejë për fitoren e demokracisë. Prokurorë, bëhuni ju të parët që t’i riktheni besimin”,  do të shprehej Budina, ndërsa një tjetër anëtar i Aleancës, aktivisti Ervin Goci, do ta cilësonte çështjen politike. “Protesta do të jetë politike që kryeministri të japë dorëheqjen”, do të thoshte ai.

Në një intervistë televizive, aktori Edmond Budina do të lajmëronte plane të shumta e të reja të Aleancës, por pa zbuluar detaje. Pjesëmarrjen e politikanëve në kauzën e tyre, ku Basha dhe Kryemadhi fillimisht iu bashkuan atyre në ruajtje të godinës dhe më pas në protesta, duke deklaruar hapur mbështetjen për çdo organizim, aktori e ka cilësuar si një e drejtë qytetare e tyre.

“Opozita na ka mbështetur dhe në opozitë janë edhe parti të majta, që mbahen për të majta dhe ne i kemi pranuar”, do të shprehej Edmond Budina, duke shtuar se politizimin e çështjes së Teatrit e ka bërë vetë kryeministri Rama.

Aktori ka folur për sjelljen e një mundësie të re, duke mos e përjashtuar edhe atë të një partie politike.

“Nëse do krijohet parti, atë nuk e vendosim ne por vetë populli. Ne duam të sjellim një mundësi të re, që partitë të mos jenë sekte të mbyllura ku vetëm shefi, kryetari vendos për fatet e popullit, ku shitet e blihet trualli vendit. Jemi këtu për të sjellë një mendësi të re”, ka thënë ai.

Nga 2018, ku para parlamentit u bënin thirrje deputetëve të mos votonin projektligjin për ndërtimin e teatrit të ri, duke e denoncuar si korruptive e më pas presidentit për të mos e dekretuar atë- ndërsa ky i fundit e ktheu dy herë në Kuvend- dhe nënshkrimit të një kontrate simbolike më 2019-n me kryedemokratin Basha, duke u angazhuar për mbrojtjen e godinës së Teatrit dhe rritjen e buxhetit për artin e kulturës me ardhjen në pushtet, duket se Aleanca nuk është mjaftuar me premtimin e këtij të fundit për rindërtimin siç ishte, aty ku ishte kur PD të vijë në qeverisje, por po i hedh vetë hapat drejt politikës.

Edmond Budina, do ta quante Kuvendin të paligjshëm, , një cilësim i bërë më herët nga opozita, por edhe nga presidenti Meta, i cili në deklaratat e tij theksonte se vetë ishte zgjedhur nga një i ligjshëm me 140 deputetë.  Në një intervistë të ditëve të fundit, Meta do të thoshte se mund të mos ishte shumë e thjeshtë nga ana kushtetuese, por jo e pamundur për ta shpërndarë parlamentin.

“Nuk jemi dorëzuar dhe ne do të mblidhemi prapë dhe do të propozojmë mosbindje civile, të ngrihemi të gjithë. Do shkojmë në protestë para parlamentit dhe para presidentit. Ne do të kërkojmë të shpërndahet parlamenti i injorantëve, mafiozëve dhe parlamenti i derrave, që ngrenë kartonët më keq se derrat”, përsëriste Edmond Budina.

Pikat në deklaratën e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, nëse kjo do të kthehet në një lëvizje apo parti politike, duken një hibrid mes çështjeve të ngritura nga presidenti Meta  në mbrojtje të Kushtetutës dhe kërkesave të opozitës, e cila dogji mandatet e deputetëve vitin e kaluar, duke dalë në protesta në rrugë, sipas tyre si akt i fundmë për të luftuar kapjen e shtetit nga korrupsioni dhe krimi.

Kryeministri Rama pak ditë më parë, do të thoshte se së shpejti lëvizja qytetare do të shndërrohej në parti politike.

“Është e lidhur me Teatrin, me identitetin, me atdheun. Siç bëri Grilo, do të ndodhë edhe këtu. Nuk kam informacion por sipas meje do të ndodhë. Ra Teatri, iku. Pse shkojnë atje? Hedhin firma. Nëse kjo është një gjëmë e madhe është që të shkojnë në tryezë dhe të na shporri populli. Po them kaq: zgjedhjet janë të lidhura. Sot ambasada amerikane bëri një tweet. Do ta shikoni që procesi zgjedhor do të lidhet me dy faktorët; frika për zgjedhje dhe Reforma në Drejtësi,” deklaronte Rama, ndërsa po atë ditë ambasadorja Yuri Kim shkroi shqetësimin e ShBA-së për zëra rreth një marrëveshjeje të fshehtë mes palëve për të vrarë Reformën në Drejtësia. Zëra që u mohuan nga të gjithë aktorët politikë, fill pas tweet-it të saj.

Presidenti Ilir Meta i mohoi zërat se ka një plan për të mbështetur një lëvizje qytetare,  e cila do të kthehet më pas në parti politike prej tij.

“Ju e dini shumë mirë që presidenti Meta është këtu si president i Shqipërisë deri më 24 korrik 2022 dhe nuk ka nevojë as të mbështesë ndonjë parti as të krijojë ndonjë parti dhe asgjë tjetër. Fronti për demokracinë nuk përjashton asnjë”, do të thoshte Meta, duke e pagëzuar kështu përpjekjen e tij e nisur në Mbrojtje të Kushtetutës dhe e zgjeruar së fundi në një platformë prej 14 pikash,  për të qasur në dialog forcat politike në dobi të integrimit europian të vendit.

“Fronti për demokracinë fillon me përfundimin e reformës zgjedhore sa më shpejt, me zgjedhje të lira dhe të ndershme për çdo shqiptar dhe të gjithë janë të mirëpritur. Po që ka nevojë për një front për demokraci patjetër,  sepse diktatura ka trokitur. Të gjithë duhet të zgjohen dhe të mbrojnë të drejtat e tyre”, do të shprehej presidenti Meta.

Presidenti Meta,  e ka shprehur shumë me herët mendimin e tij në lidhje me çështje si Reforma në Drejtësi, të cilën e ka etiketuar edhe si “Ramaformë”, duke akuzuar për kapje të saj dhe për dhunimin e Kushtetutës nga ana e maxhorancës, e cila prej vitit të kaluar qeveris e vetme jo vetëm në nivel qendror, por edhe në të gjitha bashkitë, por edhe në Parlament ku opozita jo vetëm nuk është e plotë, por edhe mbushur me deputetë, që nuk ishin të ulur aty pas zgjedhjeve të 2017-s.  Kërkesat e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, të cilat tingëllojnë politike, vijnë në një kohë, ku zhvillimet politike sillen kryesisht rreth çështjeve në fjalë, ndërsa vetë Basha ka folur për ndryshim të sistemit zgjedhor. Nëse ky grupim, që e nisi udhëtimin e tij civil me kauzën për parandalimin e shembjes së një godine, me trashëgimi historike e kulturore, do të kthehet në politik, nuk do të ishte as i pari e as i fundit, për sa kohë që qeniet sociale janë po aq politike dhe sa kohë problematike e tyre nuk adresohet si dhe sa duhet nga asnjë forcë aktuale.

Katër qëllimet e Aleancës

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar në një deklaratë të bërë sot për mediat ka paralajmëruar mundësinë e hyrjes në politikë. Në reagim listohen 4 qëllime kryesore ku në krye qëndron qëllimi për rrëzimin e qeverisë “Rama”. Është e paqartë nëse me këtë deklaratë, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kërkon të formojë parti politike apo do t’i bashkohet ndonjë prej forcave ekzistuese.

Deklarata për mediat:

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit (AMT) rikonfirmon vendosmërinë e saj për të vazhduar luftën e nisur në mars 2018, në mbrojtje të trashëgimisë, lirisë dhe demokracisë. Shembja e Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental ishte një goditje e rëndë, por jo fatale. Ne humbëm një betejë, por jo luftën.

Me shembjen e Teatrit Kombëtar në shkelje të çdo ligji e procedure, duke mos respektuar gjykatat dhe paditë e Presidentet, Edi Rama shpalli zyrtarisht diktaturën në Shqipëri. Qysh prej amendamenteve kushtetuese të vitit 2008, demokracia në Shqipëri ka bërë hapa prapa. Me amendamentet e vitit 2016, Shqipëria u bë një regjim hibrid, i njohur si i tillë edhe nga organizatat ndërkombëtare. Vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese e as Gjykatë të Lartë, dhe tani po rrezikohet të mbetet edhe pa gjykata apeli. “Reforma në drejtësi”, pavarësisht qëllimeve e motiveve me të cilat nisi, është sot një dështim total! Ajo jo vetëm nuk ka fuqizuar qytetarët, por ka hequr çdo kontroll ndaj abuzimeve të Kryeministrit. Prej dy vjetësh AMT denoncon shkeljet ligjore në lidhje me çështjen e Teatrit dhe nga Prokuroria nuk ka asnjë veprim konkret për hetimin e tyre.

Në këto kushte, AMT u bën thirrje të gjitha grupimeve të shoqërisë civile, të bashkohen për krijimin e një koalicioni qytetar kundër diktaturës. Asnjë kauzë qytetare nuk mund të fitohet më pa rrëzuar diktaturën, pa rikthyer standardet kushtetuese dhe normalitetin e institucioneve. Ftojmë të gjitha grupimet dhe individët, të lenë mënjanë divergjencat e pakënaqësitë ndaj njëri-tjetrit dhe të shtyjnë çdo debat ideologjik për një kohë tjetër, kur të jenë krijuar kushtet për konkurrencë të ndershme idesh.

Për sa më lart, ne angazhohemi në veprime konkrete, demokratike, që synojnë:

  1. Rrëzimin e Qeverisë diktatoriale të Edi Ramës;
  2. Ndryshimin e sistemit zgjedhor para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, duke rikthyer te qytetarët të drejtën për zgjedhjen e deputetëve të tyre;
  3. Shfuqizimin e të gjitha amendamenteve të Kushtetutës të kryera pas vitit 1998;
  4. Hartimin e një kushtetute të re, të mbështetur në parimet e demokracisë direkte.

AMT do të bashkëpunojë me çdo grupim qytetar dhe individ për rrëzimin e diktaturës dhe ringritjen e demokracisë në vend.

Robert Budina nga Shkodra: Teatri ishte dëshmori i parë i rënies së demokracisë

Regjisori Robert Budina ka folur nga Shkodra aty ku Aleanca po mbledh firmat për peticionin e rindërtimit të Teatrit Kombëtar.

Budina thotë se Teatri ishte dëshmori i parë i rënies së demokracisë prandaj dhe ka një sensibilizim të madh jo vetëm në Shqipëri por gjithë Europën.

Ai ka vlerësuar Shkodrën për ruajtjen me fanatizëm të objekteve të vjetra si Teatri ”Migjeni”.

“Ne kemi përdorur gjuhën e kulturës, mençurisë dhe jo armës. Ka një sensibilizim në  gjithë Evropën jo vetëm në  Shqipëri. I lumtur që  kam ardhur  në  qytetin e demokracisë,  ku kanë dhëne jetën martirë  dhe jo vetëm. Teatri Kombëtar  ishte dëshmori i pare i rënies se demokracisë. Ta rikthejmë teatrin siç ishte. Kemi hapur një çështje juridike pasi shembi teatrin duke qenë artistë brenda. Detyra jonë më  e vështirë.

Ne teatër thuhen te vërtetat, Shkodra ka ruajtur me fanatizëm objektet e vjetra. Teatri “Migjeni”, teatri klasik.”- tha Budina. /Gazeta Liberale

Tags: , , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back