Aktualitet

Leviatani në Capitol Hill

Shkruar nga Liberale

Klementin Mile

Për të kuptuar si ndodhi që në një vend me demokraci të stabilizuar, madje në demokracinë që synon të eksportohet ngado nëpër botë dhe të shërbejë si model qeverisjeje që duhet ndjekur, u bastis tempulli i demokracisë nga protestues të dhunshëm që iu përgjigjën thirrjes së një presidenti që nuk dëshironte të largohej paqësisht, termat e zakonshëm të shkencave politike nuk na ndihmojnë. Capitol Hill-i, për disa orë u kthye në një 21 janar shqiptar, ku ngjashmëria qëndron jo vetëm te dhuna e protestuesve, por edhe te kundërpërgjigja po aq e dhunshme e forcave të rendit: edhe në Amerikën që na jep leksione demokracie, që na tregon se si duhet të bëjmë reformën në drejtësi dhe se si t’i organizojmë zgjedhjet, u vranë 4 qytetarë protestues.

Kuptimi më i thellë i kësaj ngjarje është duhet të çlirohemi nga iluzionet me të cilat e mbështjellim veten teksa ngremë mite politike. Për shumë e shumë kohë i kemi mitizuar amerikanët si të aftë për të ndërtuar demokracinë, shtetin e së drejtës, zgjedhjet e lira e të ndershme, lirinë e medias dhe interesin publik. Edhe pse empirikisht, çka do të thotë historikisht, mund të na rezultojë se amerikanët ia kanë dalë të performojnë mirë, madje më mirë se shumë kombe të tjera, në këto fenomene të jetës politike, historia megjithatë nuk jep garanci për të ardhmen. Ngjarjet në Amerikë pas uraganit Katrina ishin po aq të dhunshme sa viti ’97 në Shqipëri, ndërkohë që Capitol Hill-i dhe 21 janari ngjajnë si dy pika uji.

Ne biem në këto mite sepse kemi harruar të filozofojmë. Në fakt, kemi harruar dhe madje jemi bërë të paaftë t’i shohim gjërat nga këndvështrimi i antropologjisë filozofike. Ndërsa shohim dhe admirojmë amerikanin, këtë entitet kulturor, nuk arrijmë të shohim njeriun, entitetin natyror që, edhe pse mund të jetë zbutur nga kultura dhe civilizimi, kurrsesi nuk është zhdukur si substrati që mundëson formimin jo vetëm të amerikanit, por edhe të kinezit, shqiptarit, egjiptianit, francezit e kështu me radhë.

Një libër i jashtëzakonshëm për të kuptuar njeriun, natyrën esenciale të tij, është “Leviatani” i filozofit të shquar anglez të shekullit XVII Thomas Hobbes. Projekti filozofik i Hobbesit ishte zbulimi i parimeve racionale në funksion të ndërtimit të një shoqërie civile të aftë për t’i rezistuar shkatërrimit nga brenda. Hobbes arriti në konkluzionin se çfarëdolloj qeverie do të ishte më e mirë se lufta civile, prandaj bindja politike dhe paqja janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme së bashku.

Për të arritur në këto konkluzione Hobbes na fton të konsiderojmë se si do të ishte jeta në një gjendje natyre, pra, në një gjendje pa qeveri. Dhe ai na thotë se kjo gjendje natyre do të ishte gjendje lufte e të gjithëve kundër të gjithëve. Aty nuk do të kishte vend për industri për shkak se frytet e saj do të ishin të paqarta dhe të pasigurta, nuk do të kishte vend për hapësira të mëdha ndërtimi dhe as për mjete lëvizëse që duan fuqi të madhe, as vend për art apo shkrim e këndim dhe as për të krijuar shoqëri. Dhe, thotë Hobbes, më e keqja është se do të ekzistonte një frikë e vazhdueshme dhe një ndjenjë rreziku nga vdekja e dhunshme. Në këto kushte jeta e njeriut do të ishte e vetmuar, e varfër, e ndyrë, shtazarake dhe e shkurtër.

Prej këtij përshkrimi të gjendjes së natyrës, ku njeriut i rrezikohet çdo gjë, deri edhe vetë jeta, është e qartë se të gjitha alternativat qeverisëse janë për t’u preferuar. Edhe nëse qeveria vret njerëz për të ruajtur rendin dhe për të mos lejuar kaosin, përballë rrezikut të rënies në gjendjen e natyrës, kjo është e justifikueshme. Por, çfarë ka te njeriu që e bën të pamundur jetesën në gjendjen e natyrës? Ose, për ta formuluar më mirë pyetjen, pse jeta jonë e përbashkët priret të shkojë drejt katastrofës kur na lënë të ndërveprojmë vetëm sipas gjykimeve tona individuale? Hobbes supozon se njerëzit janë mjaftueshmërisht të ngjashëm në tiparet e tyre mendore dhe fizike saqë për askënd nuk mund të thuhet se është i paprekshëm dhe as mund të presë të jetë në gjendje t’i dominojë të tjerët. Ndoshta, edhe pse njerëzit duan të veprojnë sipas interesit më të mirë afatgjatë të tyre, ata mund të jenë dritëshkurtër dhe prandaj përpiqen të realizojnë vetëm interesat e çastit në dëm të së ardhmes. Ky do të ishte një dështim i racionalitetit njerëzor. Por mund të jetë edhe ndryshe. Njerëzit në gjendjen e natyrës mund të jenë tërësisht racionalë, por janë kapur në kurth në një situatë si ajo e “dilemës së të burgosurit” në teorinë e lojës. Ose gjendja e natyrës mund edhe të ishte paqësore, jo gjendje lufte, po të mos ishin disa njerëz pasionet e të cilëve mbizotërojnë ndaj gjykimeve të kthjellëta.

Sidoqoftë, duke lexuar Hobbesin kuptojmë se ajo që ndodhi në Capitol Hill buron prej natyrës njerëzore. Përtej fasadës kulturore dhe artificave institucionale, e vërteta natyrore është e thjeshtë. Edhe pse njerëzit dallojnë në fuqinë relative të forcave që u ka dhënë natyra, ata janë fundamentalisht të barabartë në aftësinë për ta dëmtuar fizikisht ose vrarë tjetrin me anë të mjeteve të ndryshme. Frika mund të ndërhyjë, por nëse dy njerëz dëshirojnë të njëjtën gjë, pasoja e natyrshme e dëshirës së përbashkët të tyre është lufta. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH