Leteratura

Letërsia, kthesa e përhershme te jeta

               Publikuar në : 11:16 - 06/05/19 V Liberale

Majlinda Nana

Çmimi letrar “Kadare” është një kontribut i vyer për autorin shqiptar dhe letërsinë shqipe në përgjithësi. Çmimi është vlerësim, vlerësimi është përzgjedhje dhe kjo përzgjedhje, kur bëhet me ndershmëri dhe parime, ndërton standarde të reja mbi vlerësimin. Në gara dinjitoze, çmimi, aq sa është motivues, stimulues e falënderues, është po ashtu emocionues për fituesin.

Nëse për lexuesin letërsia është formë arratisjeje nga koha e vet, për shkrimtarin letërsia është angazhim i gjithëkohshëm, pasi në realitete të kërcënuara nga ndryshimet dhe të panjohurat, letërsia e një vendi synon të bëjë kthesa të mendimit dhe të filozofisë së njerëzve për jetën.

Koha e shkrimtarit është koha e vëzhgimit të hollë të zhvillimeve të epokës së tij, zhvillime që lënë gjurmë dhe e nxisin së brendshmi për të ndërtuar veprën e tij, atë vepër që vihet në shërbim të rritjes së instinktit të shpresës dhe ndjeshmërisë së vazhdimit. Si i tillë, shkrimtari shfaqet i tërhequr, i heshtur dhe i izoluar dhe, detyrimisht, jeton me vetminë e vet, në përmbushje të artit të tij dhe misionit që i ka besuar vetes.
Letërsia bëhet, kështu, burgu dhe parajsa e një shkrimtari dhe çmime të tilla serioze, në rastin konkret çmimi “Kadare”, që vjen si projekt i konsoliduar, jo si sprovë (duke pasur parasysh që ky çmim është në vitin e pestë të tij), nuk është thjesht kurorëzim për më të mirin, por hulumtim në thellësi të tekstit letrar, hetim për të zbuluar talentin e fshehur, ngurruesin, atë të heshturin …

Bota shpirtërore e shkrimtarit është e trazuar dhe shpeshherë e çuditshme. Ai shkruan dhe shpreson që lexuesi ta lexojë veprën e tij dhe, kur e gjen lexuesin e vet, i nisin pikëpyetjet e mëdha, nëse është i denjë për ta udhëhequr njeriun drejt “reformimit të botës”, siç shprehej Kamy. Është ndjesi e vetëkorrigjimit që e shoqëron në çdo kohë. Sepse udha e shkrimtarit është e tillë, një udhë e mbushur plot dilema në vetvete, plot dyshime, plot ankthe, plot çaste dekurajimi për veprën e vet. Nuk jam duke thënë që një çmim i sheston apo lëmon këto relieve ndrydhëse te shkrimtari, por ama e nxjerr atë në pah, e përveçon dhe është një terapi e mirë stimulimi për letërsinë e mirë.

Ç’është e vërteta, në botën shqiptare pak u besohet çmimeve, sepse në përvojat vlerësuese (në të shumtën e rasteve), sapo nis gara, dihet fituesi. Kjo, shpesh për arsye se bordet vlerësuese e kanë më të lehtë të çmojnë një emër të certifikuar më herët, sesa të rreken të zbulojnë një të ri, që, me të gjitha gjasat, do t’i lodhte.
Në këtë kontekst, çmimi “Kadare” e ka tejkaluar këtë sfidë, (kjo duket te gara aktuale, ku rreth 50% e finalistëve janë të rinj). Mua më vjen mirë të konstatoj që ky çmim ka marrë tiparet e një institucioni vlerësimi dhe kjo nuk është pak për një letërsi në një vend të vogël si ky yni. /Gazeta Liberale

(Visited 6 times, 1 visits today)

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *