Dossier

Letërsia dhe rishikimi i historisë

               Publikuar në : 09:51 - 18/01/20 Eugjen Merlika

Eugjen Merlika

(Mbresa nga leximi i librit “Vdekja e Enver Hoxhës” i P. Kullës)

Kohët e fundit në librat e botuara sërishmi u shtua një titull që pushton përfytyresën e vë në provë kujtesën për ngjarje të zhvilluara një të katërt shekulli më parë. “Vdekja e Enver Hoxhës” është titulli i librit, kurse autori i saj, z. Pëllumb Kulla është një firmë e njohur nga lexuesi shqiptar. I afirmuar që herët në botën e humorit, jashtë kafazit të “realizmit socialist”, vazhdoi krijimtarinë e tij që, në gjininë e saj, mbetet pa dyshim në nivelet më të larta të letrave të sotme shqipe. Vepra e re është një hap i madh para n’atë krijimtari, mbasi ka meritën që, nëpërmjet fjalës artistike, të japë ndihmesën e vet në zbulimin e një realiteti tepër të zymtë të së shkuarës sonë, për të cilin ende heshtet, madje ekziston edhe një farë malli.

Nëntitulli i veprës është “Shumë romane në një” dhe shënon drejtimin e parë që i jepet lexuesit në shtjellimin e një gjinie letrare disi të veçantë. Por në parathënien, tepër të shkurtër e po aq koncize, autori zbulon pjerrjen e qëllimin e shkrimit të veprës, që i largohet disi traditës së tij humoristike, duke e vënë në plan të dytë atë, për t’i dhënë më shumë hapësirë përmasave dramatike e tragjike të epokës. Vepra hedh dritë mbi Shqipërinë komuniste të dhjetëvjeçarit të fundit të qenies së saj, madje fokuson qendrën e saj të gravitetit, majën e piramidës ku vendosej deri në imtësi fati i frymorëve nënshtetas, në një çast kulmor siç është ai i ndarjes së Enver Hoxhës nga kjo jetë.

Autori saktëson: “ Ky libër tregon për Shqipërinë, por nuk është histori. Është një sprovë mbi një nga temat e saj qendrore, morale.” Është ky shqetësimi i shkrimtarit, ballafaqimi i popullit të tij me një epokë historike të gjatë e të vështirë siç qe ajo e jetuar në vitet 1944-1991, traumat kryesisht morale të kësaj dukurie. Lënda e trajtuar është shpërthyese, mund të japë shkas për diskutime pa fund mbi dobinë e paraqitjes, rrok një gamë të madhe problemesh,  personazhesh e mjedisesh, duke vënë në pikëpyetje karakterin e një populli të tërë. Vepra trajton ngjarje të njohura në planin shoqëror e historik dhe autori që në fillim e siguron lexuesin mbi vërtetësinë e tyre. “Për vërtetësinë e ngjarjeve unë ve dorën në zjarr dhe ndryshe nga të tjerët, unë e ve edhe sikur ai të jetë i ndezur!”.

Vërtetësia e ngjarjeve të përshkruara, burimet e sakta të riprodhimit të tyre ndihmojnë lexuesin e ri, por edhe atë më pak të ri, të krijojë idenë e plotë mbi Shqipërinë e Enver Hoxhës, larg demagogjisë, retorikave dhe fasadave të një regjimi që, si objektiv të parë, kishte mbulimin e të vërtetave nëpërmjet një organizimi të përsosur që mund të krahasohej vetëm me atë të Rusisë staliniane. Ky realitet tragjikomik, i përshkruar me mjeshtëri nga autori, merr shkas nga vdekja e Enver Hoxhës, njeriut që hyri në historinë e popullit të tij si sundimtari më jetëgjatë e, ndoshta, më mizori, plot katër dhjetëvjeçarë. Vepra pasqyron ditët e fundit të qëndrimit të trupit të tij pa jetë në “kullën e fildishtë” ku e kishte futur përfytyresa legjendarizuese e një populli të traumatizuar nga terrori deri n’atë pikë sa nuk ishte në gjendje të pranonte për udhëheqësin e tij as idenë e dukurisë më të zakonshme të ekzistencës njerëzore, atë të vdekjes.

Vepra, gjithmonë duke pasur si bosht qendror figurën e diktatorit dhe prapaskenën e organizimit mastodontik të funeralit të tij, shtjellohet në tre plane kryesore, që do t ‘ishin secili një roman me vete, por që përbëjnë një radiografi të plotë të shoqërisë shqiptare t ‘asaj kohe. I pari është ai i rrethit të ngushtë të udhëheqësit, duke filluar nga bashkëshortja e deri tek kuadrot kryesore të partisë e të Shtetit, nga qendra deri në skajet më të largëta të Vendit, të përshkruara në përmasat e tyre të vërteta të mungesës së vlerave, të dinjitetit, të meritave, një klasë drejtuese e aftë vetëm për t’u jargavitur në lajka e hipokrizi karshi të parit të vet. I dyti është ai i militantëve të partisë, ish partizanëve, komunistëve, heronjve të punës, sigurimsave, të gjithë asaj hordhie jo të vogël shqiptarësh që e patën për nder e krenari të ishin baza besnike dhe e sigurtë e një diktature, e cila kishte si strategji kryesore të saj “luftën e klasave”, atë dukuri të pafund në kohë e mizori, një nga treguesit kryesorë të së veçantës së “socializmit shqiptar”. I treti është ai i viktimave të dhunës “proletare”, i asaj pjese të popullsisë që pagoi me vuajtje të pashembullta përkatësinë e të parëve të tyre në pjesën kundër komuniste të shoqërisë.

Episode komike, dramatike e tragjike përbëjnë lëndën e tre mini romaneve. Mjediset e përshkruara me mjeshtëri e vërtetësi janë terreni ku lëvizin personazhet, secili me botën e vet shpirtërore, secili me të veçantën e tij. Ata i ngjajnë një tufe insektesh që vërtiten rreth një llambe që i mban pranë me dritën e saj, por që në takimin me të përzhiten e bien në tokë. Llamba është arkivoli me trupin e Enver Hoxhës, ndërsa insektet janë njerëzit që, për mirë apo për keq, e kanë lidhur fatin e tyre me emrin e tij.

Në këtë galeri të gjerë personazhesh bien në sy, veç grimiorit që është treguesi në vetë të parë i ngjarjeve, Teloja, i plotfuqishmi i sigurisë së “shtëpisë mbretërore” të kuqe, njeriu në hije para të cilit rrinë gatitu të gjitha kukullat e udhëheqjes së Vendit, Moisi Dhëmblani, një farë poeti oborri i qytetit të lindjes së diktatorit, nënkryetari i presidiumit të Kuvendit popullor në një episod sa komik aq kuptimplotë për të kuptuar mekanizmin infernal të regjimit, sozia e Komandantit që përfundon në arkivol për të ruajtur paraqitjen e jashtme të tij në sytë e turmave, çifti Rico me kompleksin e tij të besnikërisë e adhurimit për Enverin por dhe me dëshirën për të festuar në një dasmë familjare, Kujtim Gjyzari, i “burgosuri i përjetshëm” i regjimit. Këta e të tjerë lidhen me figurën e Enver Hoxhës si udhëheqës, qoftë për së gjalli, qoftë dhe kur ai gjendet pa frymë në arkivol.

Episodet, të cilat përshkruajnë këto lidhje, janë secili një hallkë e atij zinxhiri të gjatë që qe diktatura e personifikuar nga Enver Hoxha, një sistem në të cilin dhuna, pabesia e mashtrimi nuk njohën caqe, duke krijuar një shoqëri në të cilën frika ishte motivi zotërues i jetës. Kjo ndjenjë, që arrinte të kushtëzonte skajshmërisht çdo qelizë të shoqërisë, gjen shprehjen e saj më domethënëse në të gjitha veprimtaritë që përbëjnë skenën e shfaqjes së fundit të duetit Enver-Shqipëri, që përbën lëndën kryesore të veprës e shqetësimin më të madh të shkrimtarit. Depersonalizimi i bashkatdhetarëve, indoktrinimi skajor i tyre, tjetërsimi i karakterit që humbet vetitë tradicionale të racës, këto janë për autorin dëmet më të mëdha që komunizmi i solli Shqipërisë. Kriza morale në të cilën u zhyt shoqëria, simptomat e së cilës janë të gjalla ende, që i ktheu shumë qytetarë të këtij Vendi në automatë imoraliteti, duke pasur për faltore ndërtesat e degëve të brendshme e për rrëfyes oficerët e Sigurimit, ishte ndoshta plaga më e thellë që infektoi trupin e Shqipërisë. Ai infeksion, për dobinë e zbulimit të të cilit vazhdojmë të diskutojmë ende sot, qe si një stuhi rrënuese që rrafshoi vlera e karaktere, pothuajse në të gjitha shtresat e shoqërisë. Asaj stuhie gjysmë shekullore i qëndruan individët më të shëndoshë, jo si prejardhje, as si shtresë shoqërore, por si karakter vetjak. Kam përshtypjen se autori është mjaft pesimist e i pezmatuar n’atë drejtim. Në mjediset që paraqet gjen pak motive shpresëdhënëse, ata i shëmbëllejnë një bataku pa kufi, ku notohet nën rrezikun e zhytjes në çdo çast.

Në gjithë këtë katrahurë, që është Shqipëria e ditëve të funeralit, shkrimtari shpëton vetëm një personazh, Kujtim Gjyzarin. Ai është kanakari i autorit, i zgjedhuri i tij, simboli i qëndresës ndaj së keqes, i luftës së pabarabartë me të. Historia e personazhit përbën lëndën e një romani më vete. Jeta e tij është një pasqyrë e mizorisë së një regjimi, që synoi të ç’thur moralisht qytetarin, e që nuk nguroi të përdorë dhunën më skajore tek ata që i bënë qëndresë kësaj prirjeje. Kujtimi arrestohet në moshën 17 vjeçare, sepse do të paguajë haraçin e një familjeje në të cilën babai ishte në burg e tre vëllezërit u arratisën për t’i shpëtuar atij fundi. Ishte një i ri idealist i mëkuar me veprat e rilindësve dhe autorëve kombëtarist të dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit të shkuar. Ishte një i ri i çiltër e i sinqertë i edukuar me bindjen se e vërteta duhet pohuar në çfarëdo rrethane. Të vërtetën për dënimin e padrejtë të tij nuk e mohon kurrë, madje as para Enver Hoxhës, që shkoi të “vizitojë” burgun. Ky pohim i kushtoi shumë mundime, vite burgu e tortura, por ai nuk u dha edhe kur pësoi zhgënjimin e madh, rrahjen nga bashkëvuajtësit pragmatikë në kërkim të një luge sheqer.

Lotët e tij në birucë, kur merr vesh nga altoparlanti vdekjen e diktatorit, janë një gjetje shumë e bukur e autorit që krijon një tablo të pashlyeshme nga mëndja e lexuesit. Ato lot shprehin gëzim e shpresë, por edhe dëshpërim sepse me emrin  që vajtonte atë ditë zyrtarisht Shqipëria, ishin lidhur shumë tragjedi e jetë të dhunuara si ajo e vetë Kujtimit, e prindërve të tij e sa e sa viktimave anekënd atdheut. Ata lot nuk i bashkohen atyre të turmave servile e hipokrite anembanë Shqipërisë, ata lot janë bilanci i hidhur që vetëdija e kësaj të fundit i bën vetes. Ata lot shënojnë një fund e një fillim që duhet të burojë prej tyre. Aty duhet të marrë forcën e vet Shqipëria e ardhme për të filluar ngritjen e saj, në të cilën do të kenë një rol të rëndësishëm njerëzit si Kujtimi. Ky është mesazhi i shpresës që, tërthorazi përcjell shkrimtari, ky është besimi i tij. Fatkeqësisht kjo nuk qe bindja e atyre që morën përsipër misionin e vështirë të ndërtimit të demokracisë shqiptare pas komuniste.

Për kushtet e veçanta të kombit tonë letërsia është binjakëzuar me historinë dhe ngjarjet e saj më të rëndësishme. Nëse për gjysmë shekulli kemi pasur një letërsi që ka ndihmuar politikën për të krijuar realitetin “virtual” në mendjet e shqiptarëve, duhet të kemi kurajën e forcën të krijojmë një tjetër letërsi që të vihet në shërbim të së vërtetës, mbasi ende “ kushtrimi i të parëve” vazhdon t’a mbulojë e tjetërsojë atë. Përgëzimet më të mira z. Pëllumb Kulla, që me veprën e tij  të arrirë jep një ndihmesë themelore n’atë drejtim, duke i bërë një shërbim të çmuar kulturës shqiptare dhe popullit të tij./Shkurt 2009

 

 

 

Tags: , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back