Letërsi

Leteratura hapet me: Zhuliana Jorganxhi, zëri i shpirtit tim

Shkruar nga Liberale
Leteratura hapet me: Zhuliana Jorganxhi, zëri i shpirtit tim

Suplementi “Leteratura” i dedikohet letërsisë shqipe, ku nëpërmjet rubrikave të ndryshme vijnë shkrimtarë, rrëfime, kritika, dhe çdo e re rreth autorëve shqiptarë.

Sot do të gjeni në kopertinë: "Zhuliana Jorganxhi, zëri i shpirtit tim". 

Në hapje të suplementit do të gjeni rubrikën "Libër i ri", ku do të lexoni një shkrim nga Natasha Lako me titull: "Këngë, ti zemërbardha e Zhuliana Jorganxhiut". 

"“Zëri i shpirtit tim”, është botimi më i ri i UETPRESS, përmbledhje e të gjithë korpusit letrar të poeteshës Zhuliana Jorganxhi, e cila sic thotë shkrimtarja Flutura Açka “është pikëtakimi im i parë, më i beftë, më i gjatë dhe më solid me poezinë shqipe. E kush nuk i ka përsëritur me këngëtim vargjet e saj? Kësisoj, ka të ngjarë që ajo të jetë poetesha shqiptare më e lexuar, sepse është poeteshë e kënduar. Në këtë fat të saj të patjetërsueshëm, ajo të kujton aedët e lashtë, poezitë e të cilëve, ishin njëherësh edhe këngëtime, duke marrë një dimension që pak poetë e kanë dhe rrallë poetë kanë fatin që ta shpallin poezinë e tyre.”

Ky botim luksoz i UETPRESS vjen si mirënjohje për kontributin e spikatur të tekst shkrueses së qindra këngëve të muzikës së lehtë shqiptare, të cilat mbeten refren brezash. Ceremonia e promovimit të këtij libri në mjediset e UET e dëshmoi këtë mes emocionesh të papërsëritshme; studentë të Departamentit të Arteve të Aplikuara në UET dhanë një koncert me disa nga këngët  që mbajnë tekstin e saj, ndërsa brenda një salle u përcollën vargje dhe  kënduan bashkë disa breza  - mjeshtërit e muzikës shqiptare Agim Krajka, Alida Hisku, Flamur Shehu, Bashkim Alibali, Liljana Kondakçi, profesorët  e nderuar të Arteve në UET, Nikolin Gurakuqi, Shqipe Zani, Ramazan Peku, Johan Botka dhe këngëtarja e mirënjohur lirike Edit Mihali, e cila kujdesi këtë koncert.

Lexuesi shqiptar ka tashmë në duar një libër kujtese të këngës së tij.", shkruan Lako.

Ndërsa në rubrikën "In memoriam" do të lexoni një shkrim nga Petrit Palushi me titull: "Ndjeshmëria në poezinë e Ramadan Musliut". 

"Ramadan Musliut, vdekja tinëzare ia msheli shtegun e matejshëm të jetës, por mbeti i çeltë shtegu i kujtimeve për të dhe komunikimi me letërsinë e tij të bukur.

Te Ramadan Musliu merrte kuptimin e duhun fjala NJERI; ishte ma tepër se i kulturuar, aristrokat në fjalën e vet. Poet dhe kritik letrar elitar dhe do shtoja se mbas Arshi Pipës, Ramadan Musliu mbetet kritiku letrar ma i dallueshëm në letrat shqipe.

Po japim përmbledhtas një vështrim për librat e tij poetikë: “Parodia e trupit”(1981), “Shqisa e gjashtë”(1983), “Pasqyra e të rrëfyerit”(1987), botime të “Rilindjes” në Prishtinë", shkruan Palushi.

Ndërsa në rubrikën "Vitrina e librit" do gjeni: "“Teatri i Gjergj Fishtës”, monografi e autorëve Tonin Çobani dhe Ndue Ballabani".

"Gjergj Fishta ka lënë të shkruara rreth 40 vepra teatrore, si: komedi sipas Molierit ( “Gjokë Tarçuku”, “Dredhitë e Patukut”), tragjedi (si “Juda Makabe”), drama (si “Shën Françesku i Asizit”) dhe melodrama (si “Shqiptari i qytetnuem” dhe “Shqiptarja e qytetnueme”), poemë liriko-dramatike (“Jerina”), poemë satiriko-dramatike (“Gomari i Babatasit”), skeçe (si “Nën hajat të Parrizit”), përkthime libretesh të muzikuara etj. Këto tekste teatrore (ose shumica syresh) janë venë në skenë së pari nga autori i tyre, d.m.th., nga vetë Fishta, që bënte punën e regjisorit, të skenografit, të realizuesit të dekoreve e gjithçka tjetër duhet për realizimin e një shfaqjeje teatrore."

Këto dhe shumë të tjera do t’i gjeni në suplementin “Leteratura” të Gazetës Liberale. /Gazeta Liberale

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH