Arte

Lëkundje zemrash dhe fuqia rrezatuese e librit

Shkruar nga Liberale
Lëkundje zemrash dhe fuqia rrezatuese e librit

*Nga Miho Gjini

Është fjala për tërmetin që ra e lëndoi mijëra zëmra në të gjitha anët e Globit, andej e këndej, me të njëjtën amplitudë shkatërruese. Për gjëmën njerëzore të natyrës që la poshtë dheut e gërmadhave 53 zemra qe rrihnin e që sot nuk rrahin më. Rrezatimi i dhimbjes preku nënat, baballarët motrat, vëllezërit e njomcakët, kudo që ata u ndodhën, që nga Kanadaja e deri në Australi, nga Skocia e deri në Kepin e “Shpresës së Mirë” të Afrikës. Po edhe këtu afër, në Greqi, ku “vala e nxehtë” hodhi afro një milionë shqiptarët e pashpresë nga gjëma e politikës shterpe të Diktaturës më të egër në Botë!. Midis këtij komuniteti të madh në numër u ndodhën edhe shumë shkrimtarë e artistë të gjinive të ndryshme të artit  e të letërsisë që provuan edhe ata “dridhjen e zemrës”, atë lëkundje tërmeti  që mori aq shumë jetë njerëzish të dashur, atje tek rrënjët tona, që nuk mund të shkulen kurrë, sikundër u shkëputën themelet e disa pallateve nga toka që lëkundej!

Dhe më 28-29 dhjetor, në një nga rrugët kryesore të Athinës, në afërsi të Qendrës “Omonia dhe të Akropolit të famshëm, me nismën e Lidhjes së Shkrimtarëve  e të Artistëve Shqiptarë në Greqi “Liter-Art” u bë një Panair Libri i shpejtë, i menjëhershëm, për ata që u lënduan nga tërmeti, duke humbur jeta njerëzish e shtëpitë e tyre, si një solidaritet njerëzor, me motivin: Gjithçka për të dëmtuarit nga tërmeti, krijimtaria jonë shpirtërore, libri, sado i vogël që të duket, -një simbol i shenjtëruar zëmrash për ndjeshmërinë tonë njerëzore. Dhe një vajzë emigrante nga Skrapari, poete edhe ajo, autore e katër librave me poezi, njëherësh edhe Sekretare e “Liter-Artit”, për t’ia dalë mbanë kësaj nisme fisnike, arriti të mbledhë mbi njëmijë tituj librash, nga të gjithë krijuesit që ndodhen këtu në Athinë, Shqiptarë e Grekë, miq e “armiq”, të ndarë për hiçmosgjë e për “mustaqet e Çelos”, çuditërisht i kishin librat e tyre në të njëjtat stenda! Pa marë vesh si e kush i solli, po  të gjithë librat tanë aty ishin, u panë dhe u shitën vetëm në dy ditë, nga kjo Brikena e Skraparit, derisa i mblodhi njëmijë e njëqind e shtatëdhjetë Euro, për t’i shpënë, së pari në Thumanë, tek “banorët e fundit” të çadrave, si një dhimbje e jona, si një gjest njerëzor, ndoshta tepër i vogël, po shprehës gjithsesi, ngaqë edhe këta njerëz që janë këtu të mbingarkuar me halle e u shkëputen 30 vite më parë nga “rrënjët e tyre”, kanë qenë e janë vëllezër e motra të atij “tërmeti” tjetër që lëvizi themelet e shtetit.

Panairi dy ditor u zhvillua në mjediset e Federatës Shqiptare të Emigrantëve, që e pranojnë e s’e pranojnë këtë organizëm, për vetë pandehmën absurde, përse ta bësh ti këte e mos ta bëjë unë, jo ti po unë, ashtu sikundër u bënë “koqe koqe” shoqatat e Lidhjet e tjera kulturore, patriotike, apo ato të artit e të letërsisë, tëpkë si 100 e ca vite më parë, në satirën e Çajupit për “Klubin e Selanikut”, ku u zunë shqiptarët, jo thjesht e vetëm për një abetare, po edhe  për emrin e klubit të tyre, se përse mos të quhej “Koka e Demit”, përse të merrej një vajzë e re që quhej Lulushe, me “emrat e mëdhenj të letrave” që do të shpalleshin pas vdekjes së tyre (!) e jo njëfarë Vruho, i pa “thekur nga mosha” e përse jo, ai Adham-uti i rrjedhur nga trutë e kokës, që i bëri “lëmsh të gjitha”, kur një shërbenjës si Zeneli do të tallej me të gjithë këta biçimsëz e s’do u linte kusure më! Kështu që edhe sot, do të kemi këtu shumë shoqata e klube që diçka të mirë e bëjnë, po asnjëherë bashkë! Se gjoja ai “është i ri apo e re që s’marrkan vesh” dhe ai apo ky na qenka një “plakush  i rrjedhur”, që i ka “ikur mosha e koha e vetë” e tani, sipas pretenduesit, duhet t’ja lërë vendin atij që “është më i ri” a më i sojm (!?),  ndërkohë që raporteve“ i ri e i vjetër” në këto tri dekada, jo vetëm që u ka ikur koha e kuptimi, porse mosha ka bërë të vetën. Askush prej tyre nuk është më ai i riu që ka qënë dikur, kur ankohej Adhamuti i kohës sonë, porse s’kemi ç ’themi dot më, përpos së vërtetës së madhe se veprën letrare apo atë të artit nuk  e bënë mosha, por talenti!

Mandej, për fatin e keq, duhej të binte ky tërmet, që kësaj here, nëpër stendat e librave të trazoheshin edhe emrat e shkrimtarëve e të poetëve të këtushëm, të cilët e shohin shtrembër njëri-tjetrin!..Sepse, tri vite më parë, në një Panair libri  që do të bëhej atëherë, vinin me libra ndër sqetull nga “Shoqata Hënëza”, bie fjala dhe, pasi pyesnin se kush e organizonte panairin e librit e merrnin vesh se qe “ Zonjëza Lulushe brenda!”, librat nuk i linin më aty! Edhe pse sot ka një “epidemi” të përgjithshme që të shkruajnë e botojnë libra shumica e shqiptarëve, të vetë titullohen artificialisht me emrin e shkrimtarit, bile edhe të bëjnë thirrje për të formuar shoqata e lidhje të tilla, të tipit fantazmë, përsëri do t’a kemi këtë dasi të habitshme!. A nuk duhet të mendojmë të gjithë , të rinj e të  vjetër për shqiptarizmin, me shenjtërimin e fesë sonë si shqiptarë. Mirëpo, në ditë të qeta, kur s’ka tërmete, atje tek vendi ynë i bekuar, të vjen keq që shkrimtarët e poetët tanë, (ata të vërtetët!), artistët e skenës, ekranit, pentagramit  e të artit pamor, janë bërë “përre-përre”, gjithsecili mënjanë, qyshkur organizma e përgjithshme e Shkrimtarëve dhe e Artistëve u konsiderua “e tepërt” e iu vu dryni; kur tani secili bën promovime librash pa i lexuar askush e rrahur mendime në shtyp a në “mexhilis” dhe befas dalin që të gjithë shkrimtarë e artistë “të mëdhenj”! Të vjenë edhe për të qeshur sidomos kur del ndonjë i lajthitur që shpërndan në “mexhilis” kurora me dafina e Certifikata si “Njeriu i Vitit”!? Procesi i krijimit bëhet vetëm, po kur vepra del sheshit, edhe gjykimet duhen bërë e të jepen sheshit, përmes debatesh e kritikash. Por sa nisë debati e kritika, nis përsëri zbythja, ndarja, veçimi e mallkimi. Askush nuk e do kritikën e kritikun, edhe pse “ulërijnë “ se, pa kritikë nuk ka asnjëherë zhvillim. Po ka vetëm gënjeshtra e barasnivelime! ”Ai bën e ai s’bën!”, “Ai është i ri fare e s’merr vesh e ai tjetri “plakush i rrjedhur”! Aman o Perëndi, çfarë bëhet kështu?!. Na ka hyrë “shejtani në bark!. ”Bile , ca më keq akoma, kur thuhet ose mendohet që: Ajo ç’ka krijohet e bëhet këtu brenda është art e letërsi?!  Sepse, në shumicën e rasteve, nuk thuhet asnjë fjalë për ato vlera që krijohen jashtë “trungut mëmë”, veç kur  vjen ndonjë këngëtare  e famshme e rritur , befas, jashtë shtetit e i’a bënë “BAM”, a ndonjë tjatër krijues, balerinë, instrumentist virtuoz, që vlerësohen diku larg, do të kujtohen se “Shqipëria është kudo nëpër botë”, tashmë dhe kur bie tërmeti e që të gjithë do të lëndohemi, si atje edhe këtu e të kujtohemi  sa e madhe ështe kjo Shqipëria jonë?!

Prandaj merr vlerë të madhe ky panair i vogël libri për të ndihmuar, sado pak, të dëmtuarit nga tërmeti. Dhe të ngrohet zemra  që kjo Brikena Qama, jo pak e anatemuar edhe kjo, i ka vënë bashkë shkrimtarët shqiptarë e ata grekë, ata të“Liter-Artit”që e ndërmorën këtë nismë të bukur dhe të shoqatave të tjera analoge që janë “nën kupolën” e Federatës, do njëri apo s’do tjetri!  Së bashku me romanet e Telemak Koçës e të Thanas Medit, në të dyja gjuhët, me poezitë e Stefan Martikos dhe të Liljana Furxhiut, me fabulat e komeditë e Skënder Demollit (Kryetarit aktual të “Liter-Artit”), me prozën e Novruz Abilekës e të Hamit Siqecës  dhe me studimet letrare të Thanas Boçit, me pikturat e Librand Dhramit e tarikotat e Edi Konicës, do të gjenit këtu edhe tituj librash të shkrimtarit të pavarur, gazetarit Robert Goro, të poetëve Armela Hysi e Dritan Mesuli,  të prozatorit Leon Leka, të shkrimtarit Foto Malo, të poetes Rovena Shuteriqi, apo nga krijues prej të dyja  shoqatave të tjera analoge, me Thanas Janin, Grigor Jovanin, Murat Alinë, Myslim Maskën, Ilir Mborjen, Luan Xhulin, Vasil Klironomin e Arqile Gjatën. Po, ja ku janë edhe librat e më të rinjve qe dje ishin 18 vjeçar e ndofta më të vegjël kur erdhën këtu e “trokitën” në derën e “Liter-Artit”, u anëtarësuan aty dhe sot janë bërë burra e gra me fëmijë,  që sot po martojnë fëmijët e tyre dhe, ja ku i kanë librat në këtë panair, me nga dy deri në pesë tituj, në poezi e në prozë , krahas prozatorëve e poetëve të vjetër në moshë, po të rinj në shpirt, si edhe një mori të rinjsh e të rejash të tjerë emigrantë, të cilët duhen afruar, inkurajuar  e  përkrahur pareshtur, sikundër ka vepruar kjo Lidhje gjatë 15 viteve të ekzistencës së saj, pikërisht me menaxheren e këtijë panairi, Brikena Qamën, me katër libra, me Algert Siqecën, me poezitë  e trgimet e tij, me Elona Gjergon, me disa romane, me Edi Konicën, me poezi e tregime, me Bledi Trebickën e me Amarda Ekmekçiun gjithashtu, me Mimoza Riston dhe  Mimoza Eliona Osmanin, me nga dy-tri libra me poezi, me Brunilda Mustafain me poezi dhe deri më e reja (e moshuar) Safete Skardatos, si edhe Doloreza Spiro, valltare, poete e prozatore.

Qoftë edhe një buzëqeshje të marrin këta krijues të largët prej të dëmtuarve nga tërmeti, është kënaqësi e rrallë, por edhe një frymëzim i fortë për të shkruar rishtazi edhe më mirë, edhe më bukur.

*Kryetar Nderi i “Liter-Art”. Mjeshtër i Madh

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH