Aktualitet

Leksione nga opozita polake

Shkruar nga Liberale
Leksione nga opozita polake

Pas shumë vitesh keqqeverisjeje nën partinë Ligj dhe Drejtësi të Polonisë, një kandidat që përfaqëson opozitën kryesore pothuajse ia doli të marrë kontrollin e presidencës së vendit. Në fakt, anti-populistët gjithkund gjetkë duhet të shohin fushatën thuajse të suksesshme të Rafal Trzaskowski si një model i mirë për fushatat e tyre.

Jacek Rostowski

Megjithëse kryebashkiaku i Varshavës Rafal Trzaskowski nuk doli dot i pari në zgjedhjet presidenciale të Polonisë, rezultati i tij përbën një pikë kthese në politikën europiane. Dallga nacionalisto-populiste duket se ka shënuar kulmin tashmë.

Nëse kopjojmë batutën e famshme të Uinston Çërçillit pas Betejës së Dytë të El-Alameinit më 1942, mund të themi se ky mund të mos jetë fillimi i fundit të nacionalizmit autoritarist bashkëkohor, por së paku është fundi i fillimit.

Që të jemi të qartë, Partia Ligj dhe Drejtësi (PiS) e Polonisë do të vijojë konfliktin e saj me Bashkimin Europian dhe përpjekjet për të minuar pavarësinë e gjyqësorit dhe shtetin e së drejtës në shtëpi. Dhe kryetari i PiS Jaroslaë Kaczynski padyshim do të përpiqet të rrëmbejë atë që ka mbetur nga media e pavarur e Polonisë – shënjestra tjetër e tij në axhendën autoritariste.

Për më shumë, kursyer nga pasja e një përplasjeje në llogore politike me një president të ri armiqësor, qeveria e PiS do të jetë në gjendje të vijojë të pengojë projektin Europian nga brenda.

Pavarësisht kësaj, anti-populistët mund të ngushëllohen me faktin që presidenti i Polonisë Andrzej Duda ia doli vetëm me rezultat të ngushtë të fitojë rizgjedhjen, pavarësisht se kishte forcën e plotë të medias shtetërore të financuar nga taksapaguesit në anën e vet. Në fakt, rezultati surprizë i fortë i opozitës polake ofron disa leksione për të gjithë ata që vijojnë të besojnë te demokracia kushtetuese dhe shteti i së drejtës pavarësisht se ku jetojnë.

E para, kur sfidohet një qeveri populiste, është me rëndësi kritike të ndërtohet koalicioni më i gjerë i mundshëm. Populistët autoritarë në vende si Turqia dhe Hungaria vijojnë të fitojnë zgjedhjet për shkak se kundërshtarët e tyre në vijimësi kanë të mbërthyer në konflikte të brendshme.

Anti-populistët duhet të lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre të vjetra mbi çështje kulturore (të drejtat LGBTQ dhe të tilla) dhe politikat ekonomike (të tilla si proteksionizmi dhe rishpërndarja e të ardhurave) n ë mënyrë që të mund të përqendrohen në detyrën kyçe: heqjen e populistëve nga pushteti. Dështimi për t’u bashkuar është ajo që shkatërroi kauzën “Remain” në Britaninë e Madhe vitin e kaluar.

Antipopulistët duhet gjithashtu të mësojnë të konsolidojnë bazën e tyre sa më shpejt dhe në mënyrë efikase sa e bëjnë edhe populistët. Polarizimi, taktika më e fortë e përdorur nga politika populiste, për fat të keq është bërë pjesë e pandashme e politikës moderne. Të kuptosh këtë është veçanërisht e rëndësishme pasi populistët marrin pushtetin ose kthehen në pushtet.

Në këtë pikë forcat antipopuliste do të përballen me shumë vite fushatash shpifëse nga qeveria dhe janë në rrezik që të demobilizohen nga disfatat elektorale.

Gjatë viteve të fundit është parë se kur “ata” bien poshtë, ti nuk ke çfarë të bësh se sa të biesh edhe më poshtë. Reklama mbresëlënëse virale “Mourning in America” e publikuar nga Projekti Lincoln (Republikanët anti-Trump) në Shtetet e bashkuara është një shembull i mirë i goditjes me efikasitet i populistëve. (Natyrisht, kundërreagimi ndaj mesazheve populiste është më i lehtë kur populistët janë në pushtet dhe kanë dëshmuar se janë të korruptuar, të paaftë dhe që punojnë për veten po aq sa edhe elitat që ata pretendojnë se kanë zëvendësuar.)

Fakti është që për ata që kërkojnë të rrëzojnë populistët nga pushteti, “mesazhi pozitiv” është një mjet kot. Po kështu janë edhe pëprjekjet për të krijuar një parti të re në lëvizjen antipopuliste. Opozita demokratike në Poloni humbi shumë vite në përpjekje për të krijuar tre parti të reja, secila prej tyre supozohej se përfaqësonte një alternativë të re, të padiskretituar dhe “pozitive” ndaj PiS.

Dhe megjithatë në fund, ishte Platforma Civile (PO) – partia e Donald Tuskut, ish kryeministër i Polonisë dhe i Këshillit Europian – ajo që pothuajse e mposhti PiS në garën për president.

Dhe pavarësisht kësaj, mesazhi pozitiv gjatë pjesës së fundit të një fushate elektorale kur pushteti është ende në fushë të lojës, mund të jetë i vlefshëm për zgjerimin e mbështetjes për anti-populistët dhe për të mbërritur te votuesit e rinj të pavarur.

Shpesh, dhe ky ishte edhe rasti i Polonisë, një përqasje e tillë do të thotë të vendosësh një gjeneratë të re politikanësh në ballë dhe në qendër. Kjo është veçanërisht e nevojshme kur opozita kryesore antipopuliste është një parti e vjetër siç është rasti i PO.

Në fund, është e rëndësishme të kihet parasysh se për shkak se populistët në mënyrë të natyrshme lulëzojnë në opozitë, ata zakonisht kanë vështirësi në qeverisjen me efikasitet. Nuk është rastësi që presidenti i SHBA-së Donald Trump, kryeministri i Britanisë Borin Johnson dhe presidenti i Rusisë Vladimir Putin janë që të gjithë persona që dështuan përballë krizës COVID-19.

Kur politikanët përqendrohen në dominimin e ciklit të lajmeve dhe në dominimin e ekraneve, ka pak kohë të mbetur për të hartuar zgjidhje efikase për problemet reale të vendit.

Fakti është që për sa kohë që institucionet e demokracisë të bazuar në rregulla mund të mbrohen (në veçanti media e pavarur dhe e lirë), qeveritë populiste do të jenë kalimtare.

Për më shumë, në Poloni, qeveria e PiS do të përballet me një problem të madh strukturor gjatë viteve të ardhshme. Ndërsa Duda fitoi me marzh të gjerë mes votuesve mbi 50 vjeç, Trzaskowski fitoi mes votuesve të rinj me një diferencë prej 22 pikësh përqindjeje.

E vetmja mbrojtje e PiS përballë marshimit të kohës është që të zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt autoritarizmit e më pas, për te diktatura. Kjo do ta vendosë atë në konflikt të drejtpërdrejtë me demokracitë në Europën Perëndimore, BE-në dhe potencialisht SHBA-në pas zgjedhjeve presidenciale të këtij vendi në nëntor, në rast se kundërshtarët e Tump përvetësojnë leksionet e nxjerra nga fushata pothuajse e suksesshme e Trzaskowskit.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH