Aktualitet

Leksion njerëzor

Shkruar nga Liberale
Leksion njerëzor

Nga Eugjen Merlika

Më 5 tetor, në Tiranë, në Kinostudion “Shqipëria e re”, në sallën Marubi, u hap Festivali Ndërkombëtar i filmit për të drejtat e njeriut. Organizatorët e festivalit, në ditën e parë, zgjodhën filmin “Divorc shqiptar” si të parin e këtij aktiviteti të rëndësishëm kulturor. Filmi është i gjinisë dokumentare dhe ka për regjisore e skenariste bullgaren Adela Peeva.

Filmi ka meritën se i kapërcen shumë kufijtë e një dokumentari që fotografon një realitet të caktuar të një Vendi apo të një periudhe. Ai paraqet, nëpërmjet episodeve të jetës së tre çifteve të përziera, një tablo të plotë të Shqipërisë komuniste. Shqipëria e Enver Hoxhës, Vendi i besnikërisë së pandërprerë ndaj ideologjisë komuniste, në versionin e saj më të keq, atij të tiranit gjeorgjan Josif Stalinit, shpaloset në pamjet e një filmi prej pak më shumë se një ore, në gjithë hapësirën e saj shtetërore e shoqërore. Nëpërmjet fatit të të tre çifteve, ecurisë dramatike e tragjike të jetës së tyre, dëshmive të personazheve, vërtetësisë rrëqethëse të pohimeve të tyre, spektatorit i shfaqet, në të gjitha përmasat e tij shkatërruese, spektakli famëkeq i një diktature që nuk njeh shëmbëlltyrë të saj në të gjithë Lindjen komuniste evropiane...

Arkitektura e filmit mbështetet në këto tre çifte, tri familje të viteve 60, të formuara nga studentë shqiptarë të diplomuar në Vendet e ish kampit socialist dhe vajza të këtyre Vendeve të dashuruara me ta e të vendosura për të jetuar së bashku në dheun e tyre. Regjisorja, zonja Peeva, na njeh me të përbashkëtën e dukurive  që nuk i fotografon thjeshtë, por mundohet të hyjë në brendësi të tyre, të mekanizmit që përcakton ecjen, të kuptojë logjikën e tij, nëse do të ketë një të tillë. Por, krahas forcës përgjithësuese të ndodhive, së përbashkëtës së tyre, autorja e filmit na paraqet edhe të veçantën e dukurive, ndryshimet ndërmjet tri familjeve, që përbëjnë boshtin kryesor të dramës së filmit.

Nga tri familjet që, deri para prishjes me B.S., jetonin mirë e bukur në qytetet e tyre, duke punuar e lindur fëmijë, në fund të atij lundrimi të gjatë në një det të stërtrazuar nga valë cunami të trilleve e ligësisë shpirtërore e intelektuale të një kaste kriminelësh, me në krye një kampion të species,  vetëm njëra mbijeton. Dy të tjerat shpërbëhen, tjetërsohen, ligështohen, zhduken. Ky është përfundimi i njerëzve bisha, oficerë sigurimi, apo sekretarë partie, hetues e prokurorë, që qenë dora  e zezë e sistemit kriminal, në të cilin besonin e për të cilin ishin krenarë të kryenin edhe krimet më të përbindshme. Përzgjedhja e tri familjeve, me tre përfundime të ndryshme, të treja të vëna në darën e diktaturës që i njeh vetes të drejtën për të përcaktuar fatin e qytetarëve të saj deri në imtësitë më vetjake, është sa e zgjuar aq dhe e saktë në vërtetësinë e saj.

Njerëzit arrestohen jo kur bëjnë krime, por kur vjen koha e arrestimeve, kohë që e përcakton tirani dhe kasta e tij. Për ta fabrikohen akuza, përmbajtja e të cilave nuk përputhet as me fantazinë më të ndezur të një njeriu të zakonshëm. Për të pohuar këto akuza t’arrestuarit mbahen në kushte terrori, duke provuar mbi ta gjithë arsenalin e përvojës më të keqe kriminale të GPU së staliniane e metodave, akoma më të stërholluara, të Sigurimit shqiptar. Dhe nëse t’arrestuarit qëndrojnë, nuk pranojnë akuzat, ata përsëri dënohen, sepse ky është interesi i partisë e i regjimit. Përpara këtij realiteti, që ka qënë normaliteti i Shqipërisë socialiste, realitet në të cilin janë vrarë e gjymtuar dhjetra mijra qytetarë të pafajshëm, fati i tri familjeve është një paraqitje përgjithësuese e tyre. Pasojat e arrestimeve të prindërve bien mbi fëmijët, viktimat më të brishta të ligësisë së një sistemi kriminal. Realiteti shqiptar u mbush me fëmijë që u rritën pa prindër, që u detyruan t’urrejnë prindërit, t’i përbuzin ata, t’i shihnin me të njëjtin sy të Sigurimit të Shtetit, t’i mohonin. Por në shumë raste të tilla ishin gjyshërit ata që u kujdesën për fëmijët, në rastn tonë ata të Minellës e të Vasilit u rritën nga prindërit e tyre, në traditën më të mirë të mendësisë njerëzore të familjeve shqiptare. Diçka i qëndroi cunamit, nuk u shemb.

Episode të ndryshme, qëndrime të ndryshme, jetë të ndryshme. Minella dhe Elena i qëndrojnë stuhisë të bashkuar, e sfidojnë diktaturën duke dalë fitues moralisht edhe pse të rrënuar fizikisht. Vasil Orgocka e sheh të shkatërruar familjen e tij, mbasi gruan e dashur, polaken Barbara, shteti shqiptar e ktheu në një kavje që humbi të gjitha aftësitë njerëzore, si pasojë e marrjes forcërisht të substancave kimike. Tragjedia është tepër rrëqethëse e bindëse, do të mjaftonte e vetme të vinte para gjyqit një sistem të tërë për shkelje të të drejtave të njeriut. Vetmia sfilitëse e  dy personave, dikur të dashuruar e sot të tjetërsuar nga dhuna brutale e shtetit, është një aktakuzë që filmi shpalos me forcë para spektatorit.

Po aq e fuqishme mbetet, në llojin e saj, edhe drama e Voilës, vajzës ruse që  erdhi në Shqipëri për të sendërtuar dashurinë e saj në bashkimin me djalin e zgjedhur. Një ditë arrestohet e, mbas pak kohe, i komunikohet se burri kërkon ndarjen.. Në shpirtgjerësinë e saj e justifikon veprimin e të shoqit, duke menduar se ky i shërben shpëtimit të fëmijëve nga pasojat e arrestimit të saj. Më vonë merr vesh se i dashuri i saj është martuar me një tjetër grua dhe iluzioni i fillimit kthehet në një zhgënjim të madh, që merr përmasa shkatërruese kur djali i saj, atëherë mjek në një fshat të largët të Peshkopisë, nuk pranon as t’a takojë mbas vitesh të gjata burgu. Çfarë drame e llahtarshme, çfarë rrënimi shpirtëror e moral!

Filmi trajton vetëm një pamje të tragjedisë së shqiptarëve, atë të grave të huaja e familjeve të tyre. Ishte një pjesë e vogël e atij realiteti, tërësinë e të cilit e përbënte dhuna mbi “armiqtë e klasës”, me të gjithë gamën e pasojave të saj shkatërruese mbi një pjesë të mirë të popullsisë. Por filmi shkon më tej: nëpërmjet bisedave me njerëz si Ylli Hila, Pandi Konomi, Dolores Velaj, përfaqësues të organeve të dhunës së regjimit, ai tregon se tragjedia e shqiptarëve nuk kishte vetëm një arkitekt, nuk ishte pjellë  vetëm e mendjes djallëzore e paranojake të Enver Hoxhës, siç duan t’a paraqesin edhe sot mjaft dëshmitarë t’asaj përvoje. Ajo tragjedi, që ende sot gjen idhtarë që fshihen poshtërsisht mbas valëve të internetit, në shumicën e rasteve, në nivel publiku të thjeshtë, e në deklarata, libra apo intervista të eksponentëve politikë si maja e piramidës, Ramiz Alia, etj kishte shumë autorë në të gjitha nivelet. Ajo ishte shprehje e një maisjeje të rrezikshme të organizmit të popullit shqiptar. Mbështetja në arsyetime të tilla si “ashtu ishte koha”, “kemi kryer detyrën”, “ kemi zbatuar ligjin”, e të tjera justifikime si këto tregojnë se një pjesë e shqiptarëve pak ose aspak janë të vetëdijshëm për të keqen që kanë prodhuar në jetën e tyre, me pasoja rrënuese mbi jetë njerëzish të pafajshëm. Shembja e sistemit, dështimi i plotë i tij, vënia   para gjyqit të historisë, për ta nuk kanë kurrfarë kuptimi. Ata vazhdojnë të jetojnë në botën e tyre të Enverit e të krimit të pandëshkuar, përparojnë në karriera apo gëzojnë pensione të favorshme, pavarësisht se pushteti demokratik ka ngjyrë rozë apo blu.. Filmi e nxjerr në pah këtë dukuri e, tërthor, pohon një kërkesë morale të shoqërisë, atë të vetëpastrimit, të të kërkuarit falje, të paditjes e dënimit të krimit e pasojave të tij.

Është një kërkesë që, prej njëzet vitesh, bie në vesh të shurdhër, mbasi mendësia komuniste vazhdon të mbijetojë në një shoqëri të re, në kohë të reja, por që nuk arrijnë të shkëputen plotësisht nga e vjetra. Është një problem që e bartim mbi vete, pa patur kurajën e forcën t’a përballojmë me urtësi, me ndërgjegjësim, me kah kritik e vetëgjykues, por edhe me idenë e e tolerancës që na detyron qytetërimi, madje edhe të faljes që na mësojnë doktrinat fetare. Është një lëmsh që na vërtitet nëpër këmbë, që nuk na le të shkojmë para, të shohim t’ardhmen me qetësinë e atij që nuk fsheh kufoma në raftet.

Filmi vë përballë njeri tjetrit Vasil Orgockën e shokët e tij, të dënuar padrejtësisht nga diktatura, dhe xhelatët e tyre që nuk ndjejnë as brejtjen më të vogël për jetët e gjymtuara që duhet t’u rëndojnë në ndërgjegje. Mes tyre duket se nuk ka asnjë pikë takimi, vazhdon lufta, urrejtja, thellohet gremina. Këtë të vërtetë tronditëse na e jep qartë filmi.. Fakti që ai ka tre vjet që qarkullon nëpër  Evropë, duke marrë çmime ndërkombëtare të nderuara ndërsa askush nuk ka guximin t’a shfaqë në Shqipëri, është tepër domethënës. Ai na zbulon përmasat e vërteta të ngërçit tonë si shoqëri e si popull, paaftësinë për të parë në sy të vërtetën e për t’a pohuar haptas atë. Fakti që këtë film e prodhon një regjisore bullgare duhet t’i bëjë të reflektojnë shumë punonjësit tanë të artit, jo vetëm kinematografik, mbi domosdoshmërinë e ndihmesës së tyre, si formues të opinionit publik në zgjidhjen e nyjës gordiane të pas komunizmit shqiptar, asaj të dënimit të sinqertë, pa mëdyshje, pa dredha të krimit komunist.

E falënderojmë nga zemra zonjën Peeva, jo vetëm për vërtetësinë e paraqitjes së një pjese të dhimbshme të historisë sonë e nivelin e lartë profesional të veprës së saj, por edhe për leksionin e madh njerëzor që na dha.

Tetor 2010                                                                                     

Marrë nga vëllimi: “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike”OMSCA-1 Tiranë 2011

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH