Aktualitet

Lavrov: Rusia nuk është e pastër dhe nuk ka turp ta tregojë veten

Shkruar nga Liberale
Lavrov: Rusia nuk është e pastër dhe nuk ka turp ta tregojë

Që kur ushtria ruse sulmoi Ukrainën gati katër muaj më parë, mijëra civilë janë vrarë dhe qytete të tëra janë kthyer në gërmadha, ndërsa miliona ukrainas janë larguar nga shtëpitë e tyre.

Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov tha se gjërat nuk ishin ashtu siç dukeshin. "Ne nuk e pushtuam Ukrainën," pohoi ai.

"Ne shpallëm një operacion të posaçëm ushtarak sepse nuk kishim absolutisht asnjë mënyrë tjetër për t'i shpjeguar Perëndimit se zvarritja e Ukrainës në NATO ishte një akt kriminal."

Që kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt, Lavrov ka dhënë vetëm disa intervista për mediat perëndimore.

Ai përsëriti linjën zyrtare të Kremlinit se kishte nazistë në Ukrainë. Zyrtarët rusë shpesh pretendojnë se ushtria e tyre po "denazifizon" vendin. Lavrov shkaktoi bujë kohët e fundit kur u përpoq të justifikonte sharjen ndaj presidentit të Ukrainës, i cili është hebre, duke bërë pretendimin qesharak se Adolf Hitleri kishte "gjak hebre".

Në një intervistë televizive, gazetari i BBC, e pyeti për një raport zyrtar të Kombeve të Bashkuara për fshatin ukrainas Yahidne, në rajonin Chernihiv, i cili thotë se "360 banorë, përfshirë 74 fëmijë dhe pesë persona me aftësi të kufizuara, u detyruan nga forcat e armatosura ruse të qëndrojnë për 28 ditë në bodrumin e një shkolle… Nuk kishte tualete, ujë… vdiqën 10 të moshuar”. "A është kjo luftë kundër nazistëve?", e pyeti gazetari.

"Është një keqardhje e madhe. Por diplomatët ndërkombëtarë, duke përfshirë Komisionerin e Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së dhe përfaqësues të tjerë të OKB-së, po vihen nën presion nga Perëndimi. Dhe shumë shpesh ata janë duke u përdorur për të përforcuar lajmet e rreme të përhapura nga Perëndimi", tha Lavrov.

"Rusia nuk është e pastër. Rusia është ajo që është. Dhe ne nuk kemi turp të tregojmë se kush jemi", shtoi ai.

Lavrov, 72 vjeç, ka përfaqësuar Rusinë në skenën ndërkombëtare gjatë 18 viteve të fundit, por perëndimi ka vendosur sanksione ndaj tij dhe vajzës.

SHBA e ka akuzuar atë për ndjekjen e një narrative të pavërtetë të Ukrainës si agresore dhe për përgjegjësinë e drejtpërdrejtë për pushtimin e Rusisë si anëtare e Këshillit të Sigurimit të saj./Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH