Kryesore

Largimi i Cipras si fundi i populizmit të majtë europian

               Publikuar në : 10:02 - 10/07/19 Ervis Iljazaj

Ervis Iljazaj

Fill pas krizës financiare të vitit 2008, që mbërtheu pothuajse të gjithë botën dhe kryesisht vendet europiane, sistemi kapitalist u vu në dyshim të thellë nga një pjesë e madhe e këtyre shoqërive. Kjo krizë u pa nga shumë si fundi i liberalizmit ekonomik, i cili i kishte sjellë Europës paqe dhe zhvillim ekonomik për 70 vite me radhë, si asnjëherë tjetër në historinë e saj. Pikërisht për këtë arsye, lindën shumë lëvizje intelektuale dhe politike që kërkuan të rikonceptonin ekonominë, shoqërinë dhe përfaqësimin politik si kundërvënie e liberalizmit.

Në disa vende europiane lindën lëvizjet e para populiste të majta, që për disa vite me radhë arritën kulmin e tyre. Këto lëvizje u formuan më së tepërmi në Europën e Jugut, ku varfëria ishte më e madhe dhe kriza financiare u ndie edhe më shumë.

I gjithë suksesi i tyre, duke filluar që nga Lëvizja Pesë Yje në Itali, Podemos në Spanjë dhe Ciriza në Greqi, u bazua te kritika e ashpër ndaj kapitalizmit, ndaj pabarazisë ekonomike dhe instalimit të drejtësisë sociale, duke propozuar një ekonomi shtetërore dhe shpërndarje të pasurisë. Po ashtu, një armë tjetër e fortë ishte kritika ndaj demokracisë përfaqësuese dhe propozimi i demokracisë direkte, ku populli do të merrte në duar fatin e tij.

Deri disa vite më parë, të gjitha këto alternativa u demonstruan të suksesshme, pasi në Greqi, Itali dhe disa vende të tjera lëvizjet populiste të majta arritën të merrnin pushtetin, pasi emocionet popullore që ngjallën ishin elektorale dhe sollën konsensus.

Mirëpo, në të gjitha këto vende parti të tilla në qeverisje dështuan me sukses. Sepse të gjitha idetë e tyre për shtetëzim të ekonomisë, të demokracisë direkte apo të fuqisë së popullit ishin thjesht një utopi.

Humbja e zgjedhjeve në Greqi nga Partia Ciriza disa ditë më parë, ishte ndoshta fundi i lëvizjeve populiste të majta europiane. Dështimi i këtyre lëvizjeve filloi që në zgjedhjet për Parlamentin Europian, kur regjistruan një humbje spektakolare në Itali, Greqi dhe të gjitha vendet ku garuan.

Sigurisht që kapitalizmi dhe tregu i lirë mund të ketë krijuar pabarazi, por jo varfëri. Defekteve të kapitalizmit, populistët e majtë i ofruan si alternativë pothuajse komunizmin, ose për të qenë të saktë me termat, shtetëzimin e ekonomisë. Si politika ofruan më shumë ndihma sociale, ndërhyrje më të madhe në shtetin në ekonomi. Politikë e cila ka treguar historikisht që nuk prodhon zhvillim, por thjesht një pushtet më të madh për vetë politikanët sesa për njerëzit. Një alternativë e tillë, që ofron shtetëzimin e ekonomisë, është më e dëmshme sesa defektet e kapitalizmit dhe kjo nuk ka asnjë dyshim. Qytetarët europianë, sidomos ata të Europës së Jugut, e kuptuan shumë shpejt se lëvizje të tilla, jo vetëm që nuk kanë asnjë perspektivë për të rritur mirëqenien, por janë të dëmshme për ekonominë e atyre vendeve, prandaj edhe i dënuan me votë në zgjedhjet e Parlamentit Europian.

“Populli në politikë”, që ishte një premtim i lëvizjeve populiste europiane, rezultoi një utopi. Nuk mund të ishte ndryshe, pasi demokracia direkte, për nga natyra komplekse dhe e përmasave të shoqërive moderne është një model demokracie totalisht i pamundur. E vetmja demokraci e mundur dhe që i ka dhënë paqe dhe zhvillim Europës për 70 vite me radhë, si asnjëherë në historinë e saj, është liberal-demokracia, e cila bazohet te përfaqësimi politik. Demokracia përfaqësuese në dekadën e fundit është në krizë, por krizës së saj nuk mund t’i ofrosh si alternativë pamundësinë e demokracisë direkte. Debati duhet të fokusohet se si të përmirësojmë instrumentet e demokracisë përfaqësuese dhe jo t’i ofrojmë një model tjetër, që historikisht ka rezultuar i dështuar. Madje në disa raste ka qenë premisë për regjime totalitare./Gazeta Liberale

 

(Visited 88 times, 1 visits today)

Etiketa: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *