Rreth personazhit të Larës, tek “Doktorr Zhivago” Boris Pasternak
Klementin Mile
Termi “femër fatale” i referohet tipikisht një gruaje tërheqëse dhe joshëse, e cila, eventualisht, i shkakton vuajtje mashkullit që angazhohet me të. Por personazhi i Larisës, ose Larës, te romani “Doktor Zhivago” i Boris Pasternakut, është një femër fatale e llojit të vet. Fataliteti i Larës nuk buron vetëm ngaqë ajo është e bukur, por ngaqë bukurisë së saj i shtohet një dozë e jashtëzakonshme mirësie, e cila shkon në kufijtë e sakrifikimit të vetes për tjetrin. E dashuruar njëkohësisht prej dy burrave, ajo arrin të ruajë një raport njerëzor me të dy, përpiqet t’i ndihmojë në të gjitha mënyrat që mundet dhe, përfundimisht, e vazhdon jetën e saj duke kaluar lehtë dhe me kujdes që të mos lëndojë askënd.
Por ky i Larës është iluzion. Ajo përpiqet të mos lëndojë me bukurinë, por i bën të vuajë burrat e jetës së saj me mirësinë që tregon karshi tyre. Mirësia, kur vjen me qartësinë e kulluar të një gruaje të bukur, i detyron burrat ta shohin veten dhe të shtrojnë pyetje ekzistenciale që i kapërcejnë të gjitha situatat, regjimet dhe karakteret. Lara përballet me vetminë e burrave që e dashurojnë, madje edhe të atyre që e abuzojnë. Në vetminë e tyre, në absurdin me të cilin përballen në jetë, ajo sjell shpresë dhe kuptim. Lara e gjen veten nën rrotat e ideologjisë revolucionare, e cila po eksperimentohej dhunshëm në Rusinë e asaj kohe. Përballë disiplinës së rreptë ushtarake dhe idealeve të masave të indoktrinuara, ajo ishte momenti i prehjes dhe arratisjes në botën e romancës dhe poezisë. Askush më tepër se Lara, madje as Juri Zhivago, nuk shërben si pasqyrë për të dalluar krisjet dhe shëmtinë e botës së re sovjetike. /Gazeta Liberale