Aktualitet

Lamtumirë Naim Buci, botuesi dhe mecenati i librit dhe filozofisë! 

Shkruar nga Liberale
Lamtumirë Naim Buci, botuesi dhe mecenati i librit dhe

Covid i merr jetën sipërmarrësit dhe botuesit të 'Dita 2000', mbështes i botimeve dhe i kolanës së Filozofisë Politike.

Largimi i njeriut të librit lë dhimbjen dhe boshllëkun më të madh, për arsyen e thjeshtë sepse mungesa nuk është vetëm individuale, por është kolektive, është një boshllëk që më shumë se të gjithë e ndjen shoqëria, e ndjen arti dhe kultura.

I tillë është edhe boshllëku i krijuar me largimin nga jeta të Naim Bucit, themelues dhe drejtues i shtëpisë botuese “Dita 2000”. Një njeri me natyrë pozitive, që kontributin e tij më të madh e dha pikërisht në fushën e dijes, duke e promovuar nëpërmjet mbështetjes dhe shpërndarjes së librit, ‘mediumit të përjetshëm’ për formimin e njeriut.

Një njeri me ide liberale, natyrisht që edhe vizionin e kishte të tillë, duke qenë jo vetëm biznesmen në lëmin e shtypshkrimeve, por edhe një kontributor dhe sponoizues i shumë botimeve.

“Dita 2000”, ka qenë “shtëpia” e shumë shkrimtarëve të njohur shqiptarë dhe të huaj, duke i dhënë një vlerë të veçante sidomos lëmisë së përkthimeve. Kjo shtëpi botuese me mjaft reputacion, prej fillimit të aktivitetit në vitin 2000, ka qenë gjithashtu e angazhuar në botimin e librave shkollorë, por edhe në projektimin dhe prodhimin e materialeve reklamuese dhe promovuese.

Një hapësirë domethënëse “Dita 2000” i ka dhënë edhe filozofisë. Në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës, ajo ka botuar kolanën e Filozofisë Politike me 100 libra, të cilët kanë ardhur për lexuesin shqiptar nën kujdesin dhe përkthimin e Arben Imamit.

Një projekt i jashtëzakonshëm, njëkohësisht edhe risi për ambientin filozofik dhe kulturor në Shqipëri. UET, ashtu si një agora në poliset greke, mori iniciativën në promovimin e këtyre botimeve, duke shfaqur një tjetër dimension, sa të vështirë aq edhe të domosdoshëm për zhvillimin e shoqërisë, duke i kthyer ambientet e veta në mjedise ku gëlon diskutimi i çështjeve filozofike e politike.

Të gjithë ata që patën fatin dhe mundësinë të bashkëpunojnë me Naim Buzin, vlerësojnë kontributin e tij në fushën e botimeve, por mbi të gjitha theksojnë natyrën e tij njerëzore, duke e quajtur të veçantë dhe të pazëvendësueshëm.

Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Tonin Gjuraj, shpreh mirënjohjen për bashkëpunimin ndër vite, duke e quajtur një mik të vërtetë dhe të sinqertë të UET-së.

“Bashkëpunimi me z. Naim Buci, pronar i Shtëpisë Botuese "Dita 2000", ka qenë i ngushtë dhe i vazhdueshëm me UET, por spikat viti 2007 - 2008, me kolanën e Filozofisë Politike të përkthyer dhe përgatitur nga Z. Arben Imami. Z. Buci la pas një trashëgimi të pasur librash e botimesh serioze, të shtrirë në të gjithë vendin, shkollat, bibliotekat dhe bashkitë e vendit. Ai ishte dhe mbeti një dashamirës i librit, i palodhur, por mbi te gjitha, me energji pozitive dhe bashkëpunëtor i shkëlqyer. Ai ishte një mik i vërtetë dhe i sinqertë i UET-it, për bashkëpunimin e të cilit i jemi shumë mirënjohës”, nënvizon Gjuraj.

Ish-ministri i mbrojtjes dhe pedagogu Arben Imami, tregon rrugëtimin e vet me botuesin, që nisi me disa botime modeste, për t’u kthyer pastaj në kolanë me 100 libra. Imami shprehet se Buzi ishte një djalë më vizion, që e dallonte të mirën dhe të bukurën, ndërsa mungesën e tij si mik e quan të pashlyer.

“Me Naimin kemi ndarë një rrugëtim të gjatë si miq dhe bashkëpunëtorë. Filluam së bashku një projekt modest për botimin në shqip të një serie veprash të mendimit politik, i cili falë edhe përkushtimit të Naimit u shndërrua në një kolanë të Filozofisë Politike, e pashoqe në serinë e botimeve shqip. Naimi nuk ishte thjesht një biznesmen botues, por një djalë me vizion dhe intuitë për të dalluar të bukurën, të mirën të nevojshmen, prandaj dhe u bë pjesë e pandashme e rrugëtimit tonë të përbashkët në sjelljen e elitës së mendimit politik në gjuhën shqipe. Si mik, mungesa e tij do jetë e pashlyer, si bashkëpunëtor do mbetet i pazëvendësueshme”, shprehet Imami.

Për Dr. Mentor Beqa, bashkëpunëtor i kolanës së Filozofisë Politike, kontributi i botuesit Naim Buzi do të mbetet i paçmuar. Beqa e cilëson si një magnet që tërhiqte drejt vetes gazetarë e shkrimtarë, që ishte i gatshëm të rrezikonte në emër të dashurisë për njeriun.

“Naimi ishte magnet për të gjithë ne - profesorë, gazetarë, shkrimtarë - çdokush që kishte të bënte me letrën e shtypur. Kontributi i Naimit në botimet shqiptare do mbetet i paçmuar. Botimi i kolanës së filozofisë politike (mbi 50 tekste) ku unë pata kënaqësinë të jem bashkëpunëtor i tij, mbetet një xhevahir i hapësirës së mendimit shqip. Në një kohë kur industria e botimeve gjendet në trysninë e marketizimit, Naimi ishte i gatshëm të rrezikonte. Për ata që e njohën, e dinë se përse e bënte. Ai e donte Njeriun - i njohur a i panjohur - Naimi ishte i gatshëm të bënte gjithçka.

Kjo vetëdije mbi vlerën e njeriun e bënte Naimin kaq të veçantë dhe të pazëvendësueshëm për të gjithë ne që ndamë jo pak kohë me të, për të gjithë ata që janë të përfshirë në një mënyrë a një tjetër me botën e letrave shqipe’, shprehet Beqa. /Gazeta Liberale

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH