Letërsi

Lamtumirë baba, romani i parë i Mustafa Nanos

Shkruar nga Liberale

Raporti mes letërsisë dhe religjionit është një marrëdhënie e hershme në historinë e letërsisë. Në pjesën më të madhe të rasteve kanë qenë shkrimtarët që kanë përqafuar fenë në jetën e tyre, ata që kanë tentuar të hulumtojnë në këtë fushë, dhe pse librat më të mirë mbi besimin shpesh janë shkruar nga shkrimtarë ateistë.

Që nga Volter, Nathaniel Hawthorne e deri tek J K Rowling, janë përpjekur të hyjnë në misterin shpesh të pushtetshëm të besimit, për të shpjeguar përmes këtij kërkimi fenomene të ndryshme shoqërore apo sociale.

Alda Bardhyli

Shënime rreth romanit «Lamtumirë baba» me autor Mustafa Nanon

Adli Shelba kishte pasur një ndjesi të menjëhershme se jeta e tij, qysh prej asaj dite, kur recitoi frazën e konvertimit, nuk do të ishte më ajo që kishte qenë. Tashmë besimi që kishte zgjedhur, ishte vetë qëllimi i jetës. Jeta e tij do të duhej të ishte tani e tutje një tendosje konstante, një betejë e pasosur, të cilën ai nuk i dinte nëse do të ishte në gjendje ta fitonte, madje ishte i sigurt se nuk mund ta fitonte…e me gjithë përpjekjet, nuk do të ngjitej dot në lartësinë që ia kërkonte Zoti…

Ai ishte vetëm 18 vjeç, kur teksa festoi ditëlindjen e fundit (pasi myslimanët nuk festojnë ditëlindje), iu dorëzua një kërkimi të brendshëm, që kishte kohë që kishte ndodhur tek ai, për të jetuar përgjithmonë si mysliman…Adli Shelba, është personazhi i parë që takon në romanin “Lamtumirë baba”, me autor Mustafa Nanon, botuar nga “UET PRESS”. Një rrëfimtar i sinqertë që rreket të shpjegojë me një gjuhë shpesh plot dyzime, jetën e një të riu që ka vendosur të jetojë me besimin. Në një kohë kur përplasjet fetare e kanë çuar njerëzimin drejt sfidave të reja, dhe kur analistët vazhdojnë të flasin për një rrezik të ri që vjen nga islamizimi, Mustafa Nano sjell me këtë libër jetën tjetër të një myslimani.

Jetën e padukshme të një të riu që ne e shohim në rrugë me pantallona treçerekëshe dhe mjekër, teksa bën çdo ditë rrugën për në xhami…Nuk ka asgjë të frikshme në këtë portret që shpesh e shohim me dyshim teksa na kalon pranë. Përkundrazi ai është një oaz shpesh i trazuar, teksa përgjigjet ti japë përgjigje pyetjes se “në është një mysliman i devotshëm”. Raporti mes letërsisë dhe religjionit është një marrëdhënie e hershme në historinë e letërsisë. Në pjesën më të madhe të rasteve kanë qenë shkrimtarët që kanë përqafuar fenë në jetën e tyre, ata që kanë tentuar të hulumtojnë në këtë fushë, dhe pse librat më të mirë mbi besimin shpesh janë shkruar nga shkrimtarë ateistë. Që nga Volter, Nathaniel Hawthorne e deri tek J K Rowling, janë përpjekur të hyjnë në misterin shpesh të pushtetshëm të besimit, për të shpjeguar përmes këtij kërkimi fenomene të ndryshme shoqërore apo sociale. Në shekullin e XXI ky kërkim letrar merr një tjetër dimension, për vetë rëndësinë që fetë kanë marrë në jetën tonë.

I ndarë në katër kapituj: “E premtja e Adli Shelbës”, “Rruga e gjatë për në CH”, ”Në varrimin e babait” dhe “Selam Aleikum baba”, strukturativisht romani ndjek një vijë që e ndihmon lexuesin në shtjellim e historisë. Për një lexues që nuk e di raportin e autorit me letërsinë në të shkuarën, nuk ndjehet fakti se ky është libri i tij i parë në këtë gjini. Nga një kapitull në tjetrin ti ndjen se letërsia duhet të ketë qenë një sfidë e hershme e autorit, për të mbërritur tek ky lëmim i fjalës dhe ky zbërthim karakteresh, që të kujton librat e tetëqindtës. Libri nis me lajmin e vdekjes së babait, si një lloj paralajmërimi që autori bën që në rreshtat e parë se më shumë se një udhëtim për të kuptuar raportin e një njeriu me besimin, në këtë rast me besimin islam, libri është dhe një lloj udhëtimi për të kuptuar vdekjen. Lidhja mes vdekjes dhe fesë është një nga shtyllat kryesore të këtij romani, i cili në fund vjen me një të vërtetë tronditëse, përmes së cilës, si një ateist Nano, sfidon jo vetëm dy personazhet kryesorë të këtij libri (babain dhe Adlin), por dhe vetë fenë, duke treguar se jeta e vërtetë, dhe e vetme e njeriut është ajo në tokë, e jo ajo e përtejme, të cilën fetë e predikojnë aq shumë.

Fabula e librit duket e thjeshtë: Dy vëllezër që përballen me lajmin e vdekjes së babait, dhe rruga që ndjekin të dy drejt ceremonisë mortore.  Babai është një njeri që jetën ia ka dhuruar islamit, po kështu dhe njëri nga djemtë, Adli kishte ndjekur rrugën e tij. Ndërsa vëllai tjetër Guri, kishte zgjedhur të jetonte jashtë Shqipërisë, me një raport dyshues me besimin.  Përjetimi që dy djemtë bëjnë në të njëjtën kohë përballë lajmit të vdekjes është gjithë historia e këtij libri, në dukje e thjeshtë, por që rreket të zbërthejë një nga dukuritë e konvertimit në fenë islame të një familjeje shqiptare pas viteve 90-të. Për çdo shkrimtar përballja me një temë të tillë do të ishte rraskapitëse,por Nano duket se këtë gjë e bën shumë lehtë, e kjo ndjehet në rreshtat e librit. Si një kronikan i hershëm, libri shpesh i ngjan dhe një albumi fotografik bardh e zi, ku kalojnë dhjetëra personazhe në ndihmë të historisë kryesore. Kemi të bëjmë me dy personazhe krejt të kundërt në historinë e letrave shqipe, që gjenden në faqet e një libri e aq më tepër që janë vëllezër. Por dy personazhe thellësisht shqiptar. Adli një mysliman tërësisht i dhënë pas jetës që tashmë i dikton besimi, dhe Guri që parapëlqen një jetë pa kushtëzime, që mund ti japë feja.

Çdo kapitull i librit mund të qëndronte si një libër më vete, e me gjithë atmosferën e zymtë e gati – gati të padepërtueshme që mund ta ndjesh në kapitullin e parë, në kapitullin e dytë duket që leximi tashmë bëhet më ndjellës, dhe ti kërkon ti çosh deri në fund pikëpyetjet që shkrimtari ngre nga një faqe në tjetrën. Me një surrealizëm gati gati befasues, Nano kërkon ta ndjekë personazhin kryesor (babain) dhe në jetën e përtejme për ta bindur lexuesin në tezat e tij. Përmes një udhëtimi imagjinar ai ndjek rrugën e shpirtit teksa ndahet nga trupi, një shpirt që kishte besuar në jetën e përtejme dhe në ndalesën para portës së madhe të Zotit, ku do të shpalosen një nga një të mirat e të këqijat që ke bërë në jetë, për të kaluar në xhenet. Një shpirt që ishte falur në xhami sipas të gjitha riteve, që kishte dashur një grua, e kishte bërë gjithë jetën e një besimtari të devotshëm, duke shkuar drejt vdekjes i sigurt se tashmë e kishte fituar rrugën e parajsës. E tashmë kur jeta e tij kishte mbaruar dhe kur takimi i shumëpritur me Allahun duhet të ndodhte, ai përballet me një zhgënjim, të cilin autori e ndihmon ta kalojë lehtë.

Mënyra sesi i trajton personazhet e tij është një veçori e këtij libri, duke treguar jo vetëm një lidhje të ngushtë mes shkrimtarit dhe personazhit (gjë që ndodh gjatë procesit të të shkruarit), por akt të madh njerëzor. Ku është Allahu? Çfarë është besimi që për vite me radhë kishte drejtuar jetën e tij? Këto janë pyetjet që Nano i ngre me guxim në fund të këtij romani, për ta çuar lexuesin drejt përgjigjeve që nuk thuhen, por ndjehen…por nga ana tjetër ngre një diskutim mbi perandoritë fetare, të vërtetën e tyre të madhe që sipas shkrimtarit është thjesht një iluzion… Sigurisht që ky libër është një roman, një fiksion dhe jo një libër historik apo publicistik i mbushur me fakte. Por letërsia ashtu si gjithë artet e tjera nuk është gjë tjetër veçse një interpretim ndryshe i realitetit, dhe një ftesë për lexuesin për ta lexuar ndryshe jetën, në një lexim ku marrim në mënyrën tone, përgjigje ndaj pyetjeve që na i bën shpesh realiteti…

Fundi është gjithnjë thelbi i librit, por në rastin e “Selam Aleikum baba”, fundi është më shumë se një përfundim libri. Nuk është thjesht zhgënjimi i një personazhi, për të cilin autori është përpjekur të mos harrojë asnjë detaj, në ndërtimin e jetës së tij, duke u futur dhe në fijet më të holla të mendjes, por zhgënjimi ndaj një sistemi i cili është ngritur herët në historinë e njerëzimit, dhe sot po bëhet dominues jo vetëm në jetën publike./Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH