Kryesore

Labirinti pa fill i krizës

               Publikuar në : 10:24 - 10/06/19 E Liberale

Vendimi i presidentit për të shfuqizuar 30 qershorin dhe refuzimi i kryeministrit  e ka futur krizën në një labirint të ri. A do të ketë tryezë dialogu apo ashpërsim të lojës pa rregulla, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese. A do të shkarkohet presidenti, a do të japë dorëheqjen kryeministri dhe a do të heqë dorë opozita nga kriteri për largimin e tij apo vendi do të kolapsojë në kaos institucional ? Rama, Basha apo Meta? Cili nga tre lojtarët do të dalë fitues

Suadela Balliu

Gjurmët  që çuan deri tek  deklaratën e së shtunës, presidenti Meta i kish lënë dy muaj më herët. Nga vetëflijimi si presidenti kilian Salvador Allende, tek rimarrja e fjalëve të kancelares Merkel se edhe e pandryshueshmja mund të ndryshojë. Ajo që dukej e gdhendur në gur, e fiksuar në Kushtetutë si data e zgjedhjeve u shfuqizua nga Meta në të njëjtën kohë me nisjen e protestës së opozitës në bulevard, të shtunën mbrëma.

Ndryshe nga sa kishte deklaruar, nisur edhe nga pamundësia e rolit të presidentit për të bërë më shumë, se ishte i gatshëm ta shtynte datën e zgjedhjeve lokale e të dekretonte një të re nëse palët do të binin dakord, Meta e mori vendimin edhe pa tryezën e dialogut politik.

Në një kthesë të papritur në skenarin të ndërlikuar të krizës politike, presidenti lëshoi deklaratën rrufe, se kishte vendosur të shfuqizonte dekretin e 5 nëntorit të vitit të kaluar, për zhvillimin e zgjedhjeve të pushtetit vendor.

Përkimi me orarin e zhvillimit të protestës së tetë kombëtare të opozitës, për të cilën kreu i saj kishte deklaruar një javë më herët se do të ishte sovrani ai që do të fliste, u pa si lëvizje për shtensionim të situatës.

Nga mesazhet që përcolli po atë ditë , zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Mattheë Palmer, duke iu drejtuar krerëve të PD dhe LSI se ata do të ishin përgjegjësit nëse do të kishte akte dhune në protestë, u la të kuptohej se tubimi i së shtunës nuk do të qe marshim paqësor, me drita celularësh e balona me thirrjen  “Rama ik!”

Kështu presidenti, siç edhe e kishte thënë në mars, se mes pushtetit dhe demokracisë zgjidhte këtë të fundit, vendosi të dalë mbi kushtetutën, duke u bazuar tek kriteret e Kopenhagës.

“Me vetëdije të plotë se kushtet aktuale nuk mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të vërteta, demokratike, përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kriter kryesor i Kopenhagës dhe në kushtet aktuale, për mungesë përgjegjësie të të dy palëve, po shkojmë drejt votimeve një partiake”, do të thoshte Meta në deklaratën e tij shpërndarë të shtunën, duke bërë kështu edhe zbritjen e tij në politikë, përtej institucionit.

Lajmi mbërriti menjëherë tek kreu i opozitës, që ndryshe nga ç’kishte premtuar foli përpara qytetarëve të mbledhur në tubim, duke komentuar vendimin e presidentit për shfuqizimin e 30 qershorit si datë zgjedhjesh.

“Është forca e drejtësisë së kauzës tonë, ajo që dikton këto vendime. Le ta themi këtu të gjithë, ta ndajmë me çdo shqiptar, vendosmërinë tonë, për ta çuar këtë betejë deri në fitore: Rama Ik!”, tha Basha, ndërsa zbuloi se ky nuk ishte fundi i betejës së opozitës. Ajo do të marrë fund, sipas kryedemokratit, me largimin e Ramës si kryeministër, formimin e qeverisë tranzitore dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Me vendimin e lajmëruar të presidentit, që merr formë zyrtare  vetëm mëngjesin e sotëm, Basha do të ftonte në dialog socialistët, pa Ramën kryeministër. “Të vendosim së bashku standardin europian të zgjedhjeve. Nuk është vonë për ta shpëtuar PS-në nga krimi”, u dëgjua të thoshte Basha.

E teta protestë kombëtare u mbajt nën atmosferën e publikimit të përgjimeve më të reja nga gazeta gjermane “Bild”, ndërsa bisedat telefonike mes kreut të bandës së Avdylajve, Astrit Avdylajn me kreun e bashkisë së Durrësit, por edhe më një sërë figurash të tjerë të PS-së, në krye të institucioneve të qeverisjes vendore thelluan më shumë pretendimin e opozitës së zgjedhjet parlamentare të 2017-s, janë blerë në bashkëpunim me krimin e organizuar.

Kjo pritej të ishte benzina e zjarrit të protestës së të shtunës, që në fakt u zhvillua në nota të qeta. Vetë Basha, i cili çdo herë i ka parë protestat si revoltë dhe zemëratë popullore, u bëri thirrje tubuesve të mos dëmtonin asnjë efektiv policie.

Nuk vonoi as përgjigja e kryeministrit,  që pasditen e së shtunës kishte zgjedhur Beratin, si ndalesë së turit për fushatën e zgjedhjeve të 30 qershorit. “Ne më 30 qershor do  të bëjmë zgjedhje, sepse zgjedhjet janë të popullit, as të partive as të presidentit”, deklaroi Rama, i cili nuk u duk i kapur në befasi. “E prisja edhe këtë.  Nuk është asgjë veçse mbyllja e një rrethi të një plani të bërë me kohë, për një arsye të vetme, për arsyen se nuk kërkohet shtyrja e zgjedhjeve, kërkohet marrja zvarrë e qeverisë e varrimi i reformës në drejtësi”, do të vijonte kreu i qeverisë.

Në ato tri lëvizje para opozitës, siç edhe do të thoshte vetë Rama, dje në ndalesën e radhës për zgjedhjet lokale që sipas tij e kanë nisur numërimin mbrapsht deri në ditën e votimit, paralajmëroi largimin e presidentit. “Meta nuk e meriton më zyrën ku rri. Ai që duhet të ishte gardiani i Kushtetutës. Nuk e meriton më të jetë figura më e unifikimit të kombit”, u shpreh kryeministri, ndërsa deklarata e tij ndezi skenarët e mundshëm, të cilët përplasen të gjithë në një pikë; mungesa e Gjykatës Kushtetuese.

Lehtësim apo thellim i krizës?

Largimi nga posti i presidentit nuk ka qenë i paparashikuar edhe nga vetë Meta, i cili nga shembulli i Allendes, jo më pak se disa ditë më parë e shtroi si opsion dorëheqjen e tij nëse kjo do t’i shërbente zgjidhjes së krizës, sipas tij jo vetëm politike, por institucionale dhe përfaqësimi.

Përveçse përçarëse dhe konfliktuese, kryeministri e sheh veprimin e paprecedentë të presidentit, të pavlefshëm nga ana ligjore. Përplasjet mes kryeministrit  Rama dhe presidentit Meta deri më tani kanë shkuar deri tek mos dekretimi nga ana e këtij të fundit, fillimisht  të ministrit të Brendshëm Lleshaj, të cilin e dekretoi më pas dhe të ministrit të Jashtëm Cakaj, duke e detyruar kështu kryeministrin të betohet edhe si ministër i Jashtëm, për t’ia deleguar më pas kompetencat ministrit në detyrë. Veprimi i presidentit Meta tejkalon edhe atë të pararendësit të tij, Nishani i cili i shtyu zgjedhjet parlamentare të 2017-s me një javë, por kjo vetëm me dakordësinë e palëve politikë që kishin arritur më herët marrëveshjen e 18 majit dhe brenda afateve kushtetuese.

Në një deklaratë që mund të kishte tingëlluar si fjalimi i fundit radiofonik që presidenti kilian Allende e mbajti nga telefoni në rezidencën La Moneda, pak para se të ekzekutohej nga gjeneralët e grushtit të shtetit, presidenti Meta i bindur se parimeve kushtetuese është më e rëndësishme se çdo afat ligjor, do të argumentonte se zgjedhjet pa opozitën minojnë “çdo mundësi për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, dëmtohet imazhi si vend anëtar i NATO-s dhe cenohet kryesimi i OSBE-në për vitin 2020”.

Meta do të ftonte  në fund aktorët vendas dhe ndërkombëtarë për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë. Ajo që u pa si hap i institucionit të presidentit për zgjidhjen e krizës – veprim i kërkuar më herët nga aleatët e vegjël të PD-së, por të përcjellë nga presidenti pikërisht për mungesë të mjeteve kushtetuese -, duket si një hap drejt një krize më serioze. Thënë ndryshe krizës së vërtetë. Deri të shtunën, me gjithë veprimet konkrete të opozitës me djegien e mandateve parlamentare, protestat e vazhdueshme, mos futjen në zgjedhjet lokale dhe angazhimin në koalicion opozitar për pamundësimin e tyre, gjithçka zhvillohej në kuadrin e paralajmërimeve.

Nga njëra ana kryeministri i angazhuar në respektimin e kushtetutës për t’i mbajtur zgjedhjet më 30 qershor, që bënte ftesa për dialog, por pa e konsideruar kushtin kryesor të opozitës për largimin e tij dhe nga ana tjetër, opozita që nuk ulet në dialog pa largimin e Ramës si kryeministër. Edhe pse të shtunën u bëri thirrje socialistëve për të larguar Ramën si kryeministër e për t’u ulur në një tryezë dialogu, Basha e di se nuk mund t’i shmanget përballjes me të, qoftë edhe si kryetar i Partisë Socialiste. “Ka shumë më tepër njerëz se ç’dalin në bulevard që duan që kjo qeveri të ikë një orë e më parë, por ama shumica e atyre njerëzve që kanë të gjithë të drejtat e tyre të mendojnë ndryshe se nuk janë budallenj dhe nuk mund t’i tërheqë kush prej hunde. Qeverinë nuk e rrëzon asgjë përveç votës së popullit por dëmton ekonominë e secilit”, do të shprehej Rama, i cili ka paralajmëruar se do të ketë të tjera lëvizje nga institucioni i presidentit. “Dhe mos u çudisni nëse ju them se nga fronti i shpëtimtarit të opozitës s’kemi parë gjë akoma. Nuk është çmenduria e fundit do ketë”, do të deklaronte para qytetarëve në Peshkopi ditën e djeshme kryeministri, por duke i siguruar ata se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor. “Do apo s’do Saliu, do apo s’do Iliri, do apo s’do Lulzimi, do apo s’do filxhani zgjedhjet do mbahen më 30 qershor. Kushtetuta e Republikës nuk është filxhan që rrotullohet, zgjedhjet nuk janë lloj i kafes turke që e kthen përmbys bashkë me filxhanin”.

Në emër të Kushtetuteës

Në betejën që prej së shtunës po luftohet qartazi nga tri fronte, si Rama,  Meta po ashtu edhe Basha luftojnë në emër të kushtetutës.

Kryeministri i vendosur ta mbrojë kushtetutën duke respektuar datën e zgjedhjeve, të cilat edhe pse do të zhvilloheshin në një klime të paprecedentë me një mungesë oferte më të gjerë nga spektri i djathtë politik, i cili aktualisht përfaqësohet vetëm në disa bashki nga Bindja Demokratike, i jepnin atij legjitimitetin për t’i kryer. Sipas Ramës nuk janë zgjedhje moniste, sepse nuk ishte maxhoranca që e la jashtë opozitën. Nga kriza  politike dhe zbrazja   e parlamentit, maxhoranca nisi të përllogaritë dhe të nxjerrë përfitimet; fillimisht me opozitën e re dalë nga listat e PD dhe LSI, që i dolën kundër vendimit të partive dhe morën mandatet parlamentare e më pas me mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 30 qershor që do ta çonin PS në fitoren e 31 bashkive.

Përpara lëvizjeve të kryeministrit Rama, opozita me në krye Lulzim Bashën nuk mund veçse të luftonte me mjete jashtë sistemit, si protestat apo angazhimi për pamundësimin e zgjedhjeve. Por edhe për këtë të fundit, ShBA dhe BE kishin mesazhe të qarta; kush prish zgjedhjet nuk shkel as në Amerikë e as në vendet europiane, përveç dënimeve të parashikuara në kodin penal.

“Falë vendosmërisë suaj presidenti i Republikës ka marrë vendimin për anulimin e 30 qershorit, datës së planifikuar nga regjimi kriminalo autokratik i bandës së Ramës për të ekzekutuar krimin e shëmtuar elektoral për të kapur përmes një procesi monist antikushtetues, anti-elektoral dhe kriminal pushtetin vendor”, do t’u thoshte Basha protestuesve të shtunën, në përsëritje të cilësimeve të tij për zgjedhjet si antikushtetuese.

Arbitri  i huaj që do t’i jepte fund krizës, po vononte e megjithë përpjekjet e fundit të zotit Basha  me vizitën e fundit në Berlin, nuk pati zëra të rinj veç atyre të deputetëve Wadephul dhe Schmidt nga CDU/ CSU.

Presidenti Meta, i cili deri më tani ka mbajtur qëndrime herë si ato me Allende-n, ku edhe ka kritikuar “ndonjë ndërkombëtar” për pazare a keqpërdorime e herë të tjera të ekuilibruara dhe mbi  palët, është kthyer tashmë në një lojtar brenda sistemit, duke ia ndërprerë vizionin kryeministrit në projektimin e fitores në 61 bashki.

Fatin e tyre politikanët e shkruajnë vetë. Dje Ilir Meta ka shkruar fatin e tij, si një president që e ka humbur të drejtën të qëndrojë në atë zyrë. Të gjitha ata që udhëheqin lëvizjen Rama ik, do ikin një nga një vetë”, deklaroi kryeministri Rama.

Sot, presidenti Meta në konferencën jashtëzakonshme të orës 8 të mëngjesit, parashtron argumentet sipas tij shterues kushtetues, ligjorë por edhe logjikë që e çuan në marrjen e këtij vendimi. Vendimi i presidentit i ka dhënë udhë debatit më të ri kushtetues dhe skenarëve sesi mund të luftohej mëtej nga të gjitha palët, nëse do të ketë shkarkim nga Parlamenti, nëse do të ketë formim të Gjykatës Kushtetuese – edhe pse për këtë tre anëtarë zgjidhen nga Presidenti i Republikës -, nëse do të ketë dorëheqje të paralajmëruar nga Meta apo pamundësim të zgjedhjeve, nëse Rama do të bëjë  mocion besimi, do të shpërndahet parlamenti dhe do të thirren zgjedhjet e parakohshme parlamentare apo do të ulet në tryezën e dialogut. Presidenti duket se ia ka ngushtuar më shumë shtigjet kryeministrit drejt dialogut, ndërsa opozita po të shtunën ka vijuar me pretendimin e saj se nuk ulet në dialog me Ramën kryeministër. Përtej këtyre, Rama duket i vendosur të vijojë fushatën, sikur të mos ketë ndodhur asgjë dhe të mundojë zgjedhjet e 30 qershorit.  Me gjithë pasqyrimin e gjerë nga mediat e huaja, reagimi ndërkombëtar ka ardhur vetëm nga një zë; ai i Ëadephul. Sipas nënkryetarit të

Nënkryetari i grupit parlamentar të Unionit Kristiandemokrat dhe Kristiansocial, palët duhet të kërkojnë rrugën e pajtimit, duke e pranuar vendimin e presidentit. “Çdo gjë tjetër do të ishte jo evropiane dhe do t’i forconte në mënyrë të panevojshme dyshimet mbi dobinë e një procesit të aderimit”, ka paralajmëruar sërish ai çeljen e negociatave për anëtarësim, vendimin e së cilës në Gjermani e merr Bundestagu. Kjo deklaratë e fundit e Ëadephul, i cili ka qenë i vëmendshëm në zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, vjen pasi u takua javën e shkuar në Berlin me Ballën, Bashën dhe Metën.

Lëvizja e re e presidentit çon me gjasë në dy opsione; bërjen realitet të tryezës së dialogut mes maxhoranës dhe opozitës, ose futjen e vendit në kaos më të thellë politik, ku mungesa e Kushtetueses lë vetëm hapësirë për interpretime, por pa vendime ligjore.

Ajo që rezervohet prej së hënës  i ngjan lojës së “shumës zero”,  ku fitorja apo humbja secilit pjesëmarrës në lojë ekuilibrohet saktësisht nga humbjet apo fitoret e pjesëmarrësve të tjerë. Nëse fitoret totale të pjesëmarrësve shtohen dhe humbjet totale hiqen, shuma e tyre do të jetë zero.  Vetia e lojës “shuma zero”, ku nëse njëri fiton tjetri humbet do të thotë se çdo situatë e saj është një optimale Pareto, ku është e pamundur të përmirësosh një individ pa përkeqësuar të paktën një individ tjetër. Ndaj zakonisht të gjitha lojërat me strategji të optimales së Paretos cilësohen si lojëra konflikti. Në fund nuk mund të ketë tre fitues dhe rezultati mund të çojë ndoshta në eliminimin e njërit prej lojtarëve. Në labirintin e ri, ku gjarpëron kriza politike, do të mund të fitojë vetëm ai që ka fillin e Ariadnës./ Gazeta Liberale

(Visited 7 times, 1 visits today)

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *