Aktualitet

La Tiranën për Greqinë, opozita kosovare kritikon Albin Kurtin: Nuk ishte ftesë për dasmë familjare

Shkruar nga Liberale
La Tiranën për Greqinë, opozita kosovare kritikon Albin Kurtin:

Opozita kosovare ka reaguar në lidhje me mospraninë e Kurtit sot në Tiranë ku po mbahet takimi mes liderëve të Ballkanit, i thirrur nga kryeministri Edi Rama.

Në qëndrimin e saj nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku e konsideron fëmijërore refuzimin e Kurtit për të mos pranuar ftesën e Ramës. Po ashtu nuk ka lënë pa e ironizuar këtë fakt duke i kujtuar Kurtit se kjo nuk  ishte një ftesë dasme, por një takim me liderët e rajonit.

“Fëmijërore dhe politikisht e papërgjegjshme sjellja e Kryeministrit Kurti. Si qenka më me rëndësi një konferencë në ishujt e bukur të Greqisë sesa takimi me liderët e rajonit dhe Komisionin Evropian në Tiranë?! Kryeministër, Edi Rama nuk të ka ftuar në dasmë familjare, por në takim me liderët e rajonit, në kuadër të procesit të Berlinit. Në takime të tilla mospjesëmarrja juaj nuk është më refuzim personal i juaji karshi Ramës. Nuk ka asgjë personale këtu”, shkruan Vlora Çitaku, nënkryetare e PDK-së.

Arsyeja me të cilën ka zgjedhur ta justifikojë Z.Kurti mospraninë e tij në këtë takim, sipas Qeverisë së Kosovës, nga dje po merr pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, që mbahet në Greqi e ku po marrin pjesë politikanë progresistë e akademikë të shquar.

Ndërsa, Këshilltari për Media në zyrën e zv.kryeministrit të Kosovës, Klisman Kadiu deklaroi se pjesëmarrja e Bislimit në takimin joformal nuk ka qenë e planifikuar.

Pjesëmarrjen në takim e kanë konfirmuar kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, si dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH