Kryesore

Kuvendi, kthesë apo vazhdimësi

               Publikuar në : 10:07 - 17/07/21 Suadela Balliu

Kuvendi Kombëtar i PD-së përtej zgjedhjes së Këshillit të ri Kombëtar apo diskutimeve për ndryshime statutore do të duhet të caktojë qartë rrugët e betejës ndaj të ashtuquajturës masakër zgjedhore e 25 Prillit. Basha ka folur për betejë me çdo mjet dhe mënyrë, pa përjashtuar Parlamentin, por po ashtu ka deklaruar se demokratët nuk mund të presin zgjedhjet e 2025-s. Por përtej retorikës si karikim për strukturat, atij i duhet të zbulojë strategjinë e tij dhe të përballet me zërat kritikë brenda partisë

Suadela Balliu

Ashtu siç ishte lajmëruar edhe më herët, sot paradite Partia Demokratike mban Kuvendin Kombëtar, ku temë kryesore do të jenë zgjedhjet e 25 Prillit apo siç e kanë etiketuar demokratët, masakra zgjedhore.

Ky kuvend do të zhvillohet në një frymë jo pak polarizuese, pasi humbja e zgjedhjeve parlamentare për të tretën herë për partinë dhe për të dytën herë nën lidershipin e Bashës, nxori në pah kritikët që kërkuan dorëheqjen e tij si edhe një garë konkurruese me tre rivalë për kreun e partisë.

I rikonfirmuar në detyrë për të tretën herë, Basha do t’u përgjigjej atyre që e shihnin dështimin si personal të tij, se demokratët e kishin dhënë tashmë verdiktin përmes votimeve të brendshme për të vijuar betejën rreth të cilës kreu i PD flet prej shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve.

Por, megjithë këtë siguri që e projekton fajin jashtë lidershipit të tij, ku Basha ka deklaruar shpesh shitblerje industriale votash dhe bashkëpunim të kryeministrit Edi Rama me botën e krimit për të fituar këtë mandat të tretë, Kryesia e PD ra dakord për zhvillimin e një analize të thellë post humbjeje.

Kjo analizë shihet edhe si një reformim brenda Partisë Demokratike, ndërsa kritikët sërish artikuluan se kryedemokrati do të duhet të ndajë mendjen nëse faji është brenda partisë apo jashtë saj, siç edhe pretendon ai për vjedhjen masive të votave.

Për Bashën ky reformim vetëm sa përmirëson partinë, ndërsa kritikët e shohin si të padrejtë transferimin e përgjegjësisë tek strukturat më të vogla, siç mund të jenë kryetarët e degëve, të cilët do të presin ndryshime.

Mbledhja e Kryesisë, dy ditë më parë, tregoi se gjetjet e analizës për Zgjedhjet e 25 Prillit nuk ishin larg nga deklaratat e Bashës. U dol në konkluzion mbi shitblerjen e votave nga PS, në bashkëpunim me krimin, përfshirja në lista e personave të lidhur me krimin e organizuar, keqpërdorimi i administratës publike, ndikimi negativ në rezultat si shkak i patronazhistëve. PD pranoi se kishte arritur projeksionin e saj maksimal në vetëm tre qarqe. Pak kohë më parë, PD dorëzoi dhjetë dosje voluminoze në KQZ, sipas saj me materiale e prova mbi parregullsi të procesit të votimit dhe kërkoi shpalljen e pavlefshme të rezultatit në të paktën nëntë qarqe. Si KAS, ashtu edhe Kolegji Zgjedhor rrëzoi pretendimet e LSI dhe PD, duke lënë në fuqi të njëjtin rezultat zgjedhor, që sheh PS fituese të 74 mandateve.

Ky kuvend gjithashtu zhvillohet në sfondin e caktimit publik nga DASh të Sali Berishës si “non grata” për përfshirje në korrupsion dhe minim të demokracisë.

Ndërsa ambasadorja amerikane, Yuri Kim e theksoi shpesh gjatë fushatës se individë të shpallur “non grata” nga ShBA nuk duhet të ishin në Parlament, duke iu referuar Tom Doshit, ajo nuk bëri komente konkrete ndaj ish-kryeministrit, ish-presidentit dhe ish-kreut të PD-së.

Pas Berishës, edhe Basha kërkoi transparencë të fortë të vendimit të Sekretarit amerikan të Shtetit, ai theksoi se PD mbetet partnere e ShBA dhe e angazhuar në luftën kundër korrupsionit.

Megjithëse kreu Basha nuk është shprehur plotësisht nëse PD do të hyjë në Parlament në shtator, ai ka thënë se nuk e përjashton si hapësirë për vijimin e betejës, “me çdo kusht e me çdo formë”.

Berisha, jo vetëm që nuk duket të tërhiqet nga mandati i deputetit, pasi ishte renditur i pesti në qarkun e Tiranës, para garës së brendshme për kreun e PD-së nuk e përjashtoi një rikthim të tijin, edhe pse dha dorëheqjen tetë vjet më parë.

Ndërsa kritikët e Bashës, veçanërisht rivalët e tij për postin e kryetarit, kanë folur për hapje dhe demokratizim të partisë dhe kanë shpalosur platforma, me Kadillin që dorëzoi edhe propozimet e tij në Kryesi për ndryshime statutore, edhe kryedemokrati dorëzoi propozimet e tij në 11 pika.

Kryesia rrëzoi propozimet e ardhura nga Edit Harxhi dhe Fatbardh Kadilli, duke mbajtur vetëm ato të Bashës, të cilat do të diskutohen sot gjatë Kuvendit Kombëtar.

Ndërsa Basha fliste për më shumë demokratizim të brendshëm, duke hequr ekskluzivitetin nga kryetari për përzgjedhjen e kandidatëve për pushtetin vendor apo edhe për ristrukturimin e Këshillit Kombëtar në departamente, që mund të luanin rol këshillues pranë Kryetarit, kritikët e tij u shprehën se ky Kuvend nuk do të sjellë ndryshime esenciale, duke theksuar se Basha nuk kishte prekur tek propozimet e tij statutore mandatin e Kryetarit. Kadilli do të propozonte që të kufizohej në rast humbjeje. Gjithashtu ai propozoi edhe një Këshill të Urtësh për administrimin e partisë, ndërsa kryetari do të duhej të kishte vetëm pushtet politik.

Pas mbledhjes së Kryesisë, Kadilli do të zbulonte se propozimet e tij ishin diskutuar, por Basha nuk kishte qenë dakord me vizionin e tij për rolin e kryetarit.

Ndërsa janë publikuar 600 emra që garojnë për Këshillin Kombëtar, gjatë punimeve të Kuvendit do të votohen kandidatët për anëtarë. Në krye të këtij Këshilli qëndron ish-presidenti Nishani, i cili rikonfirmohet si anëtar për shkak specifikës së rregullores së brendshme që i kalon automatikisht ish-krerët e shteteve, ashtu si edhe Sali Berishën.

Punimet e Kuvendit Kombëtar të PD janë në fakt vetëm një hap i parë i asaj që demokratët e shohin si analizë e thellë e zgjedhjeve të 25 Prillit, ku konkluzionet pritet të dalin në shtator, muaj që përkon edhe me hyrjen në Parlament.

Pak kohë më parë Basha do të lajmëronte se këta muaj do të jenë të vrullshëm për demokratët, pa specifikuar nëse do të ketë sërish protesta si ato të dy viteve më parë.

Megjithatë, ai ka theksuar se beteja do të vijojë me çdo mjet dhe çdo mënyrë, por pa e përjashtuar plotësisht mundësinë e Parlamentit. Pasi është treguar evaziv deri më tani për rrugët që do të ndjekë PD, por megjithatë duke i mbajtur strukturat të karikuara, Basha do të duhet që sot të zbulojë strategjinë e tij për betejën e demokratëve. Deri më tani, beteja ka qenë administrative, në KQZ, pa prodhuar asnjë rezultat për selinë blu, ndërsa priten edhe hetimet nga SPAK për kallëzimet rreth krimeve zgjedhore. Basha është shprehur se demokratët nuk mund të presin 2025-n, siç disa kritikë të Bashës folën për reformim dhe përgatitje për zgjedhjet e ardhshme. Sot do të duhet të përgjigjet sesi do të shkojnë drejt zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa dy vjet më parë djegia e mandateve dhe protestat masive e po ashtu edhe denoncimet e kryebashkiakëve socialistë të dalë nga 30 qershori, nuk sollën zgjedhje të parakohshme dhe as largimin e Ramës, i cili në shtator bëhet gati për mandatin e tretë qeverisës.

600 kandidatë për anëtarë të Këshillit Kombëtar

 Partia Demokratike ka publikuar listën me 600 kandidatë për Këshillin Kombëtar, të cilët do i dërgohen Kuvendit Kombëtar të PD-së për miratim në mbledhjen që do të mbahet të shtunën.

Ajo që është interesante për t’u theksuar është se lista nuk ka sjellë shumë surpriza. Në këtë listë bën pjesë edhe Bujar Nishani, një nga kritikët më të fortë të Lulzim Bashës, por kjo jo për shkak të zemërgjerësisë së Bashës, por sepse sipas rregullores së brendshme të partisë, ish-presidentët nuk kalojnë për votim. Mes tyre bën pjesë dhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Gjithashtu përjashtohen nga votimi në Kuvendin e partisë edhe deputetët, duke “shpëtuar” kështu edhe Agron Shehajn i cili sfidoi Lulzim Bashën në garën për kreun e PD-së, dhe përdori një gjuhë jo pak të ashpër kundër tij. Pjesë e listës është edhe ish-kryebashkiaku i PD-së në Pogradec, Eduart Kapri i hetuar nga SPAK, dosja e të cilit u dërgua për gjykim në GJKKO për 2 akuzat “Tentativa për pengimin e zgjedhjeve lokale të 2019” dhe “abuzimi me tenderin e druve”. Në listë kandidatë për anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD-së janë disa emra të njohur si moderatorja Oriela Nebiaj, e cila nuk arriti që të hynte në parlament ndonëse mori më shumë vota se ish-kryeministri Sali Berisha, djali i Sokol Olldashit, Glauk Olldashi, regjisori Robert Budina, ish-lojtari i kombëtares Andi Lila, por edhe të rikthyerit Gazment Oketa dhe edhe deputetja Fatjona Dhimitri, një nga deputetet e opozitës së re.

Kjo listë është hartuar nga kryedemokrati Lulzim Basha, por do të jetë Kuvendi Kombëtar i PD-së që do të thotë fjalën e fundit të shtunën. Nga 600 emrat e propozuar do të zgjidhen 300 anëtarë të Këshillit Kombëtar. Siç thekson PD, nga 300 anëtarët, që do të zgjidhen, jo më pak se 30% femra dhe jo më pak se 15% të rinj deri në 35 vjeç.

Kjo listë mori pëlqimin nga Kryesia që u mblodh pasditen e të mërkurës në selinë blu. Kjo mbledhje u shoqërua me debate, kjo sepse drejtuesit politik, më specifikisht Edmond Spaho i Korçës dhe Edi Paloka i Durrësit nuk ishte dakord me analizën e bërë mbi motivet e humbjes në 25 prill. Ata kanë kërkuar që kjo analizë, ku shkruhet se Durrësi dhe Korça nuk kishin arritur projeksionin maksimal, të ndryshohet pasi nuk është aspak objektive. Megjithatë, përtej debateve analiza u votua dhe u çua për votim Kuvendit Kombëtar të PD-së.

Harxhi në Kuvendi Kombëtar i PD, spastrimi i radhës i Bashës!

PD do të mbajë sot Kuvendin Kombëtar, që për Edith Harxhin jo vetëm është një mbledhje e nxituar, por e shikon atë si përçarjen e fundit dhe spastrimin e radhës që Lulzim Basha do të bëjë me kundërshtarët e tij

Harxhi tha në emisionin ‘Repolitix’ se që në mbledhjen e këtij Kuvendi ku pritet të diskutohet edhe për rizgjedhja e drejtuesve të rinj të Këshillit Kombëtar, ka shkelje statutore dhe se gjithçka bëhet që Basha të fsheh përgjegjësitë e tij të humbjes më 25 prill.

“Bëhet për të bërë spastrimin e radhës të Këshillit Kombëtar. Këshilli Kombëtar ka një mandat 4-vjeçar dhe pikërisht këtu është shkelur statuti pasi po i ndërpret mandatin. Kjo bëhet vetëm për të fshehur përgjegjësinë e Bashës për humbjen e 25 prillit. Zgjedhjet e 25 prillit i ka humbur Lulzim Basha dhe ai nuk mund të fajësoj askënd, është përgjegjësi e tij. Lulzim Basha është zhdukur prej disa javësh, dhe nuk reagon më. Kuvendin Kombëtar e ka thirru për të bërë përçarjen e fundit dhe për të bërë spastrimet e radhës. Ai do të largojë ato që kanë ende poste në PD”, tha Harxhi.

Edith Harxhi tha se PD duhet të shkojë patjetër në parlament në shtator dhe ka a bindjen se kjo do të ndodh. Nëse nuk shkon, tha ajo, atëherë PD do i vihet njëherë e përgjithmonë dryni.

“Patjetër që do të shkojë në parlament, nëse nuk shkon atëherë PD-së do i vihet dryni njëherë e përgjithmonë”, tha Harxhi.

Ajo tha se në zgjedhjet në PD më 13 qershor ishte bërë një masakër e vërtetë me listat e anëtarësisë, gjë të cilën ajo nuk e priste të ishte kaq e rëndë. Harxhi tha se ka prova se ka pasur shkelje tepër të rënda gjatë zgjedhjeve dhe se kutitë e votimit janë mbushur me vota pro Bashës.

Harxhi tha se fatkeqësisht PD është deformuar në formë dhe përmbajtje dhe kjo gjë ka ndodhur gjatë viteve të fundit.

 

 

Tags: , , , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back