Editorial

Premtime elektorale kuturu: mënyra se si Politika nxit paligjshmërinë

Shkruar nga Liberale
Premtime elektorale kuturu: mënyra se si Politika nxit

Florian Çullhaj PhD

Premtime elektorale pa kriter, janë përhapur gjatë njëzet viteve të fundit mbi legalizimin e ndërtimeve pa leje tejendanë Shqipërisë. Mjafton të dëgjosh dialektikën e ekspertëve për të kuptuar kakofoninë ndërmjet dhjetëra VKM-ve, projekt ligjeve e ligjeve që më pas shfuqizohen ose thjesht amendohen në rregullore më të larmishme. Historia e fundit e ngjarjes së “Astirit” është ilustrimi i dështimit të politikës me administrimin e territorit dhe ndërtimeve me/pa leje.

Përqindja e ndërtimeve pa leje është pothuajse zëruar që me ndryshimet ligjore te cilat e trajtojnë atë si vepër penale, por betonizimi i Tiranës e mbarë Shqipërisë, jo vetëm që nuk bie, por vazhdon të zgjerohet çdo vit me ritmet e një progresioni gjeometrik. Ky është një efekt i pashmangshëm i politikës së premtimeve elektorale pa kriter, që edhe kur ndërtimi “ndalet” zyrtarisht, në mënyrë periodike ai rishfaqet si një lum karstik midis nismave të qeverisë së Rilindjes.

Premtimet pa kriter në fushata elektorale për legalizime, përkthehen në 323.082 aplikime të regjistruara në gjithë vendin sipas të dhënave nga një raport i fundit i ALUIZNI-t. Ku 228.951 prej tyre gjykohen si të legalizueshme dhe 94.131 si të palegalizueshme nisur nga kërkesat ligjore. Pra ndërtimet e palegalizueshme zënë afërisht 30% të totalit të aplikimeve që janë bërë prej vitesh tashmë nga ana e qytetarëve dhe rrjedhimisht mund të prishen nga IKMT-ja dhe Inspektoratet vendore të 61 bashkive. Pyetja që shtrohet këtu është, kush e mban përgjegjësinë për këtë dëm që i shkaktohet qytetarit? Detyrimisht, arsyeja e ftohtë të çon tek përgjegjësia individuale. Po për sa i përket përgjegjësisë së partive politike, me premtime kuturu për legalizimin e banesave, a nuk përbën edhe kjo një fenomen nxitës dhe një pozicionim jomoral të Partive karshi kësaj shtrese popullsie kaq shumë të nëpërkëmbur?

Ky është një argument jo i lehtë, i cili deri më tani është trajtuar në një mënyrë shumë efemere nga ata që kërkojnë me çdo mënyrë e mjet pushtetin dhe që kanë për borxh të premtojnë edhe Hënën, për një grusht votash më shumë. Sot Rilindja është në pushtet dhe patjetër dëshiron prishjen e të gjitha ndërtesave pa leje si një qeveri garantiste, duke e harruar të djeshmen dhe premtimet e bëra për kompensim, për legalizim, për mbështetje, bash ndaj këtyre banorëve të prekur në zonën e “Astirit”.

Fakti më alarmues i kësaj ngjarje është se logjika e premtimeve elektorale është bërë pjesë integrale e politik(es) të qeverive në Shqiptari. Premtimet dhe abuzimet me ndërtimet tani janë si një lloj “ligji elektoral”, i cili herët a vonë i lejon Pushtetit të radhës të njohë si pronarë atë grup që i volit më shumë në terma votash ose në terma milionash, jo lekësh, eurosh. Tre dekada ndërtimesh pa leje, shpjegohet plotësisht përmes simbiozës, premtim elektoral dhe abuzim me ndërtimet që kanë pushtuar vendin tonë.

Imperative është të niset një dialog me ndërgjegje të pastër, realizëm dhe pa u kapur në pozicione partizane të ndara, që sigurisht nuk po shërbejnë për të zgjidhur problemet e vendit. Kuptohet që Rilindja, duke e pasur ndërgjegjen e pisët, po e kalëron më së miri politikën antagoniste duke pretenduar se kjo sjellje i shton kredenciale politike. Ndërsa agresiviteti i shfaqur do mund të mbulohet prej votuesve potencialë nën moton “po bëjmë shtet”. Kjo është një dritëshkurtësi sepse duhet të kuptohet nga kushdo e kurdoherë se ekstremi sjell ekstrem.

Për pasojë, ndërhyrja e shëmtuar e Rilindjes me kartën e mbrojtësit dhe zbatuesit të ligjit duhet të ishte kryer me një kujdes ekstrem, duke bërë përpjekjet maksimale për një trajtim të unifikuar të ndërtimeve të asaj zone dhe të tërë ndërtimeve në zonat informale të Shqipërisë, me një standard të vetëm. Ndryshe, nuk kemi të bëjmë me një vendim Politik, i cili është i njëjtë për të gjithë, por, gjithnjë e më tepër opinioni publik po bindet me prova përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, se ka të bëjë me një vendim selektiv me prapavije okulte.

Si përfundim, sfida më e vështirë mbetet ajo kulturore e cila duhet orientuar në dy kahe. Ne duhet ta fillojmë nga arsimi dhe promovimi i zhvillimit të kulturës së ligjshmërisë, për të dijësuar brezat e rinj se respektimi i rregullave është në të mirë të të gjithëve. Ndërsa në anën tjetër, duhet të mbajmë përgjegjës çdo qeveri për atë çka premton në fushatë elektorale, sepse kjo indiferencë jo vetëm i amniston ata si shkelës, por gjithashtu, rrit gjasat që abuzimet e një brezi të bien mbi brezin tjetër, duke i dekurajuar këta të fundit në ushtrimin e rolit të tyre si garant të cilësisë së demokracisë. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH