Kryesore

“Kutia e Aghathe Christie” e Mira Meksit

               Publikuar në : 11:33 - 19/07/21 Artur Spanjolli

Artur Spanjolli

Përpikmëria, saktësia dhe kujdesi janë tre fjalët që më vijnë ndër mend tani, mbasi kam mbyllur librin e fundit të Mira Meksit. Ka tre lloj shkrimesh. Lloji i parë, kur shkrimtari tregon historitë e tij siç kanë ndodhur, me fare pak zbukurime dhe ndreqje.

Ai i dyti, kur shkrimtari huazon, kamuflon një histori që e ka jetuar dhe e trapianton, e zhvendos atë në një ambjent krejt tjetër, historik, kohor dhe shoqëror. Dhe më i vështiri, është ai i treti. Kur gjithçka është frut thjesht i fantazisë, i gurrës poetike të shkrimtarit. Është pra, veç prodhim i ofiçinës krijuese të artistit. Me romanin e saj, Mira na ka sjellë rastin e tretë, në tre kombinimet krijuese në letërsi. Magjepsja nga bëmat e historisë shqiptare, të heronjve dhe intelektualëve të saj të fillim shekullit të kaluar, është një magjepsje që shkon deri në adhurim. Kjo spikat qartë tek rindërtimi besnik, që shkrimtarja i ka bërë një figure të madhe intelektuale të dheut tonë. Mid’hat bej Frashëri. Me rigorin e një historianeje, politikani shqiptar na vjen me një copëz jetë e cila zbulon mirë karakterin e tij jo vetëm luftarak në shërbim të atdheut, por edhe ne aspektin sentimental dhe intim. Duke bërë portretin e këtij intelektuali shqiptar, Mira gjithashtu bën një punë të madhe edhe për rehabilitimin e figurës së këtij intelektuali të shquar, bërë pis gjatë 45 viteve të diktaturës.

Duke i bashkangjitur me kujdes materialit shqiptar dhe materialin e huazuar anglez, duke i puthitur mirë me njeri-tjetrin si një trup i vetëm, Mira Meksi na bind se gjithçka mund të jetë e realizueshme në letër, nëse ajo besohet me të vërtetë nga shkrimtarja.

Kurioze, e këndshme dhe aq shumë intriguese, ngjarja shkon gjithmonë në rritje.

Në njëqind faqet e para të librit, lexuesi jo vetëm njihet me faktet historike shqiptare aq delikate, vënë në dorën e një burri të shquar të letrave shqiptare, por Mira ka arritur të rindërtojë me mjeshtëri edhe një Tiranë arkaike dhe të humbur përherë. Një Tiranë qerpiçi me rrugët plot baltë, në kafenetë e së cilës, vërtiteshin politikanët, intelektualët e republikës së parë shqiptare. Asaj 1912 – 1924. Falë ambjenteve në Tiranë dhe Korçë, Mira i jep jetë disa figurave të shquara të politikës së asaj kohe si Noli, Gurakuqi, Frashëri etj.

Shumë e bukur dhe intrigante jeta politike shqiptare e asaj kohe me ankthet dhe pikëpyetjet e saj urgjente për t’u zgjidhur. Një kohë sa e turbullt, po aq edhe e rrezikshme për mbijetesën e popullit shqiptar. E bukur edhe për faktin se ajo me këtë roman historik ka dashur të mbushë sadopak atë zbrazeti të madhe letrare që ka kjo pjesë e historisë, nga më vendimtaret për atdheun tonë. Pra, libri duhet parë edhe si një kontribut i madh në këtë drejtim.

Libri bëhet akoma më interesant me rritjen dhe përshkrimin e figurës së Ninetës, vajzës së bukur angleze, e cila është e dashuruar me politikanin shqiptar Frashëri. Pak nga pak, autorja na fton, na fut në botën e madhe të dashurisë femërore. Një botë plot të papritura, plot kontradikta dhe plot mistere. Një botë shpesh e dykuptimtë, dhe që këtu na del në shërbim të dashurisë. Të mrekullueshme janë përshkrimet e Stambollit të fillimshekullit. Me rrugët, lagjet, me hotelet dhe restorantet aq tipike, ku bashkohen vërtet dy botë. Ajo Perëndimore dhe ajo Orientale.

Gjithçka është e parë me sytë e vizitorëve perëndimorë. Por pikën më interesante, simbas mendimit tim, romani e arrin pak më tutje, mbas gjysmës së librit. Vetëm mbasi ndodh fakti tragjik, ngjarjet, mbas disa aludimesh, ndjesish paralajmëruese, faqet e librit marrin vërtetë një ngjyrim kobndjellës dhe të përzishëm. Tashmë tek lexuesi ngjallet një emocion i fortë, mes kureshtjes, intrigës dhe tronditjes, dhe papritur na lindin me qindra pikëpyetje.

Autorja, e ndërpret tregimin dhe e zhvendos atë, larg nga ana gjeografike.  Romani merr papritur ngjyrimin e aventurës, ngjarjes dhe enigmës, të cilat kanë nevojë të zbardhen. Dhe me zbardhjen e saj, merret vetë mbretëresha e romanit triller, britanikja Agatha Christie. Aventura këtu merr vërtet një ngjyrim fantastic, shumë të guximshëm dhe të papritur për lexuesin.

Duke bashkangjitur dy elementet e thënë më sipër, romani e rrit gjithnjë e më shumë kureshtjen gjatë leximit, dhe pak nga pak lexuesi është gjithnjë dhe më i padurueshëm për të ditur zgjidhjen e historisë.

Një histori e trilluar kjo e Mira Meksit?! E vërtetë?! Ç rëndësi ka. Autorja, duke përdorur trillimin letrar, ka arritur të rindërtojë me kujdes, një nga çastet më delikate dhe të turbullta të historisë shqiptare. Vitet e rrezikshme ’20, kur fqinjët donin ta copëtonin Shqipërinë si mos më keq. Është koha e rrezikshme, kur mbas ikjes së turqve, gjithçka në Ballkan duhej rishqyrtuar. Vite të rënda dhe plot plagë, kur si nga tokat e Çamërisë ashtu edhe ato të Kosovës, me qindra fshatra shqiptare digjeshin nga grekët dhe serbët, duke i dëbuar ato me zjarr dhe hekur. Shqipëria duhej të zhdukej, ajo ishte si një halë në sy për fqinjët.

Në libër misioni i politikanit shqiptar është sa fisnik po aq edhe i rrezikshëm, me aventurat burrokratike që ai ndërmerr. Të dyja figurat kryesore të romanit, si Mid’had Frashëri dhe e dashura e tij Nineta, janë portretizuar me shumë kujdes. Njëri, politikani i patundur, guximtar dhe largpamës, dhe tjetra koketë e ëmbël dhe dinake, në shërbim të kohës së saj. Po ashtu, edhe huazimi që autorja i ka bërë si shkrimtares angleze dhe krijesës së saj më të famshme, ia rrit vlerën strukturës së ngjarjes.

Detaje të gjetura si, kama e vjetër turke e larë me gjak, parandjenjat e Ninetës, dokumenti historik që ndodhej në Stamboll, zhdukja 11 ditore e shkrimtares angleze, kutia  e famshme, arrestimi i Frashërit në Jugosllavi, romani mbi faqet e të cilit Nineta kishte shkruar fjalë enigmatike etj, etj, janë gjetje të mençura të autores së librit. Jane gjetje letrare gjeniale, që e ndihmojnë atë në ndërtimin e historisë.

Mira bën disa gjëra njëherazi me faqet e këtij libri. Ajo, jo vetëm rindërton bukur momente të humbura të historisë shqiptare, çaste aq domethënëse dhe me një shije ekzotike, por gjithashtu, duke shfryzuar me mjeshtëri bagazhin e saj kulturor, i bashkangjit misterit të politikanit tonë arrestuar në Jugosllavi, edhe historinë e një prej romaneve më të bukur të Agathe Kristie. “Vrasje në Orient Ekspres!” Jo vetëm kaq. Mira e thur gjithçka me një kujdes të veçantë, si një mjeshtre e vërtetë tekstili dhe është për t’u çmuar aftësia e saj letrare. Vepra, edhe pse në pamje të parë mund të shëmbëllejë me një thriller, nuk është e tillë. Zakonisht në romanet me vrasje, ngjarja ka ndodhur ose ndodh në fillim, dhe gjithçka sillet rreth gjetjes së vrasësit. Ndërsa tek romani i Mirës, gjetja e vrasësit është thjesht një alibi, pretekst pra, për të ekzaltuar vëmendjen e lexuesit duke synuar ide te tjera më sublime, si dashuria.

Eshtë një libër të cilin e kam lexuar me kënaqësi, ku përveç pregatitjes skrupuloze të autores nga ana historike, më bën përshtypje në radhë të parë shqipja e saj e mrekullueshme. Për Mirën, të shprehesh shqip është një mision i shenjtë. Rrjedhshmëria dhe ëmbëlsia e gjuhës tonë, një nga më të bukurat në botë, e ka prejardhjen direkt nga pellazgjishtja, pohon autorja me fisnikëri dhe krenari.

Gjeniale edhe bindëse historia, edhe pse shkrimtarja ka lozur me kartat e rrezikshme të historisë kryekëput të huazuar. Historia lexohet me shumë ëndje, sidomos pjesa e parë e librit ku rindërtohet një atmosferë orientale e humbur përherë, por aq ekzotike dhe plot mister. Një atmosferë që e ka shoqëruar botën shqiptare për pesë shekuj me radhë.

Por, nëse pjesa e parë e librit mbahet me faktet e ndera historike, me lojën dashurore të çiftit dhe me ambjentet e përshkruara denjësisht nga autorja, pjesa e dytë bëhet akoma më interesante me copëzat e treguara pak nga pak, të cilat të tëra së bashku na zbulojnë enigmën e vrasjes mbi tren. Enigmë e zgjidhur me gjenialitet, zgjuarsi dhe mjete bindëse.

Tags:


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back