Aktualitet

Kushtetuesja kundër Kushtetutës

               Publikuar në : 09:45 - 08/11/19 Suadela Balliu

Kreu i shtetit dje mori vendimin e pezullimit të procesit të përzgjedhjes së anëtarit të dytë prej tij derisa Kuvendi të ketë bërë përzgjedhjen e parë, ndërsa pavarësisht vendimit të tij, Arta Vorpsi mund të shpallet automatikisht anëtare e re e Kushtetueses. Por për të marrë detyrën ajo duhet të betohet para Presidentit

Suadela Balliu

Në katër listat  e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese qarkullojnë vetëm gjashtë emra kandidatësh. Ndërsa një prej tyre, Besnik Muçi u emërua nga presidenti, duke plotësuar kështu vendin mungues të ish-gjyqtarit Sokol Berberi mandati i të cilit kishte përfunduar më 2016-n, lista për tre vendet e tjera që do ta çonin kështu numrin e Gjykatës Kushtetuese në pesë anëtarë bëhet edhe më e ngushtë.

Në mbledhjen e 21 shtatorit, KED  arriti të përpilojë listat dhe pikëzimet për anëtarët që kishin shfaqur interes në thirrjet e bëra nga institucionet me kompetencat kushtetuese për emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, përkatësisht Kuvendit  dhe Presidentit, ndërsa më 8 tetor i dërgon këtij të fundit dy lista nga të cilat do të duhet të zgjidhte sipas radhës që  i takonte ata që do të pasonin në detyrë gjyqtarët Sokol Berberi dhe Altina Xhoxhaj.

Presidenti Meta nuk mori shumë kohë për përzgjedhjen e të parit anëtar të Kushtetuese, ku mes katër kandidaturave emëroi Besnik Muçin, i renditur i treti sipas pikëve, ndërsa gjyqtari do të bënte betimin më 18 tetor për të nisur më pas detyrën pranë Gjykatës Kushtetuese e njëherazi në pritje të vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, për ta kaluar vetingun kështu në të dy shkallët. Dje ishte afati i fundit, 30 ditor, që ai të emëronte edhe anëtarin apo anëtaren e dytë të Kushtetueses, por në vend të një emri apo heshtjes presidenti Meta iu drejtua me një letër KED, ku i kërkonte pezullimin për përzgjedhjen e emrit të dytë prej tij, pasi nuk ishte respektuar rendi kronologjik, i vendosur me Kushtetutë, rend që do të duhej të funksiononte edhe në të ardhmen, pasi Reforma në Drejtësi të ketë kaluar në sitë të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e sistemit.

Në letrën e tij, me argumente juridike dhe duke iu përmbajtur Kushtetutës, presidenti sqaron se do të duhet të ishte radha e Kuvendit për të zgjedhur anëtarin e dytë, pasi shpallja e thirrjes për vakancën ishte bërë vetëm pak ditë pas asaj të presidentit, në shkurt të vitit të kaluar.

Në mars të këtij viti, si Kuvendi ashtu edhe Presidenti, shpallën në të njëjtën ditë thirrjen publike për dy vende të tjera vakante, që u shkaktuan pasi procesi i vetingut dogji kryetarin e Kushtetueses Bashkim Dedja dhe anëtaren Altina Xhoxhaj.

Vetëm tri ditë më parë, Komisioni Parlamentar i Ligjeve, miratoi dy listat e dërguara në adresë të Kuvendit nga KED për përzgjedhjen e dy anëtarëve të Kushtetueses që pritet të miratohen në seancë plenare.  Edhe në listat e Kuvendit shfaqeshin thuajse të njëjtët emra, ku anëtari i emëruar nga Presidenti Besnik Muçi ishte i renditur i treti. Por siç ka vërejtur kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, tashmë Muçi nuk mund të shihet më si kandidat.

Kjo e çon në fakt listën e kandidaturave, e detyrueshme të përbëhet me tre emra, në dy të tillë, ku Kuvendi do të duhet të zgjedhë mes Arta Vorpsit dhe Elsa Toskës për njërin vend dhe po ashtu për vendin tjetër mes dy të parave dhe Fiona Papajorgjit.

Emrat e  tri kandidateve, bashkë me atë të kandidates Marsida Xhaferllari janë edhe në listën e dytë  nga ku do të zgjedhë presidenti.  Përplasja mes institucioneve,  që mund të përzgjedhin të njëjtët emra, duket kështu e pashmangshme. Por pikërisht këtë duket se ka dashur ta shmangë, kreu i KED, Ardian Dvorani, që siç ka ngritur pretendimin presidenti Meta, e ka kryer procesin e dërgimit të listave pa ndonjë vendim kolegjial të Këshillit. E ndërsa, siç ka vijuar në letrën e tij kreu i shtetit, presidentit i janë dërguar listat në të njëjtën ditë, Kuvendit i kanë shkuar me një distancë kohore prej një jave.

Me këtë veprim, sipas Metës, kreu i KED ka krijuar kushtet e një vështirësie ligjore. “Për të mos thënë që në një vlerësim prima facie bën logjikisht të pamundur që brenda 30-ditëve, Presidenti i Republikës të respektojë parashikimet kushtetuese që diktojnë radhën dhe alternimin e përzgjedhjes për emërimin/zgjedhjen e gjyqtarëve të rinj kushtetues, respektivisht nga Presidenti i Republikës dhe Kuvendi, në cilësinë e organit të emërtesës”.

Afati prej 30 ditësh parashikon në zgjedhjen e një anëtari, ndërsa presidentit i duhej që të bënte dy emërimeve në të njëjtin afat.

Por, sipas Kushtetutës, nëse Presidenti nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë konsiderohet i emëruar. I pari në të katër listat, dërguar dy institucioneve, është renditur Arta Vorpsi, që sipas ligjeve për Gjykatën Kushtetuese, nga sot shpallet automatikisht anëtare e dytë e Kushtetueses nga lista e Presidentit, ndërsa ky i fundit i shteron kështu dy  nga tre emërimet e tij për nëntë anëtarët që formojnë trupat gjykues të Gjykatës Kushtetuese.  Situata do të bëhej edhe më paradoksale, sepse para marrjes së detyrës, Vorpsi do të duhej të betohej para presidentit.

Fakti që të njëjtët aplikantë gjenden edhe në listën e Kuvendit, komplikon kompetencën kushtetuese të zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kështu, një përzgjedhje e mundshme e Presidentit, pa ruajtur radhën kronologjike që Kushtetuta përcakton, mund të sillte/sjellë teorikisht, deri edhe në vendosjen e Kuvendit në kushtet e pamundësisë praktike për të pasur numrin e nevojshëm të kandidatëve për zgjedhur anëtarët që i takojnë”, shkruhet në letrën e presidentit.

Kuvendi

Të hënën do të jetë Kuvendi ai që do të miratojë me shumicë të cilësuar emrat e dy anëtarëve të rinj të Kushtetueses, që do të plotësojnë vakancat e gjyqtarëve Vladimir Kristo dhe Bashkim Dedja. Po sipas të njëjtit nen të ligjit për Gjykatën Kushtetuese, nëse Kuvendi nuk do të arrijë të miratojë një emër, të parët në lista emërohen automatikisht. Por në të dy listat e paraqitura Kuvendit, e para e renditur sipas sistemit të pikëzimit është Arta Vorpsi.  Nëse Kuvendi do të miratojë dy emrat e rinj të Kushtetueses dhe Vorpsi bëhet kështu automatikisht zgjedhje e Presidentit krahas atij të Besnik Muçit, numri i anëtarëve do të shkonte në pesë bashkë me atë të Vitore Tushës, e cila megjithëse e ka  kaluar me sukses vetingun mandati i ka përfunduar më 2017-n.

Sipas ligjit për Gjykatën Kushtetuese, vakanca për gjyqtarët që i ka përfunduar mandati më 2017-n bëhet nga Gjykata e Lartë.

Siç ka dhënë hollësi presidenti Meta në letrën e tij drejtuar kreut të  KED, kreut të Kuvendit dhe Avokatit të Popullit, përtëritja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese deri në vitin 2022 bëhet përmes një skeme ku atyre që u ka përfunduar mandati më 2016-n, zgjidhen me radhë nga Presidenti dhe Kuvendi, atyre që u përfundon më 2017-n zgjidhen nga Gjykata e Lartë dhe qëndrojnë në detyrë deri më 2025-n dhe po ashtu, atyre që u mbaron mandati më 2019-n, zgjidhen nga Kuvendi nga Presidenti. Me të njëjtin rend kronologjik, anëtarëve që u përfundon mandati më 2020, do të zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Vetëm pasi Gjykata të jetë plotësuar kështu me nëntë anëtarët, gjyqtarët që do të zëvendësojnë gjyqtarët, të cilëve u mbaron mandati në vitin 2022, emërohen sipas radhës, përkatësisht nga Presidenti i Republikës, nga Kuvendi dhe nga Gjykata e Lartë.

Këto procedura të parashikuara në Kushtetutë, sipas presidentit janë shkelur nga kreu i KED-it, që i ka dërguar secilit institucion nga dy lista njëherësh.

Përpjekjet për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese duket sikur janë bërë më intensive pas kushteve e të vendosura nga Bundestagu gjerman për çeljen e negociatave,  që e ka vendosur të parin mes nëntë syresh formimin e dy Gjykatave. Aktualisht për Gjykatën e Lartë janë tetë kandidatë në garë, ndërsa në shtator Këshilli i Lartë Gjyqësor shkualifikoi 14 kandidatë që nuk plotësonin kriteret, ndërsa për çështjet më urgjente kanë huazuar gjyqtarë të gjykatave më të ulëta.   Të 19 anëtarët e Gjykatës së Lartë do të emërohen nga presidenti dhe që Kushtetuesja të marrë formë me 9 anëtarët e saj do të duhet që e Larta të jetë  funksionale, e mbetur aktualisht me nëntë anëtarë.

Një ide që qarkullonte disa kohë më parë ishte krijimi i gjykatës Kushtetuese me pesë anëtarë, aq sa duhet për të ngritur një trup gjykues. E megjithatë, do të duhej edhe një i gjashtë i pranishëm për çdo vendim që Gjykata Kushtetuese do të merrte.

Çështjet që presin në derën e saj janë të nxehta. Bundestagu pret një vendim zyrtar për ligjshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit, por me vendimin negativ nga Brukseli më 13 tetor për mos hapje të negociatave e mos  caktim të një date për procesin duket se ia ka ndalur vrullin punës për ngritjen e saj.

Kryeministri Rama, ndërsa ka thënë se Reformën Zgjedhore – ose pikën e dytë të Bundestagut -, do ta miratojnë në Kuvend para vitit të ri, do të thoshte se nuk ishte në dorën e tij koha kur ngrihen dy gjykatat, sepse kjo varet nga procesi i vetingut që funksionon i pavarur nga qeveria.

Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca do të shprehej optimist se dhjetori do ta gjejë vendin me të dyja Gjykatat funksionale e po ashtu me Strukturën e Posaçme Antikorrupsion.

Ndërsa dukej se nëntori po e çonte në pesë numrin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, edhe duke kapërcyer apo përshpejtuar kështu procedurat e parashikuara me Kushtetutë ku zgjidhet me rend kohor nga institucionet përkatëse, presidenti Meta ka marrë pezullimin e procesit të përzgjedhjes së kandidatit të dytë për anëtar të Kushtetueses. Kjo për t’i lënë kohë Kuvendit të bëjë zgjedhjen e tij e më pas, sipas rendit, presidenti të emërojë nga lista e tij.

“Presidenti me këtë vendim paraprak, synon respektimin e normës kushtetuese të zbatimit të radhës në emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe rregullimin e një situate jo të zakonshme të krijuar nga veprimtaria administrative e dërgimit të listave të keqmenduar nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”,  thuhet në letrën e Metës, i cili shpjegon më tej se ky vendim  ka për qëllim ruajtjen e kushtetutshmërisë të emërimit të anëtarëve të rinj të kësaj Gjykate  dhe “… evidenton qartë vullnetin e Presidentit të Republikës, se në cilësinë e organit të emërtesës, Presidenti do të shprehet për të emëruar anëtarin e radhës të Gjykatës Kushtetuese nga lista e kandidaturave të përcjella nga KED-ja”.

Presidenti i ka kërkuar KED dërgimin brenda pesë ditëve  të kopjes së dokumentacionit të administruar e të shqyrtuar nga KED-ja që përmban dosja e kandidimit e secilit prej katër kandidatëve të lejuar dhe të listuar nga KED-ja për plotësimin e vakancës së shpallur nga Presidenti me dekretin nr.11133, datë 04.03.2019, me qëllim vijimin e shqyrtimit.

Në mbledhjen e djeshme, KED vlerësoi t’i përcjellë Institucionit të Presidentit të Republikës kopje të dokumentacionit të administruar dhe të shqyrtuar që përmban dosja e kandidimit të secilës prej 4 kandidateve të listuar.

Nëse presidentit do t’i lihet kohë të përzgjedhë, pas Kuvendit, duke respektuar kështu rendin kronologjik, do t’i duhet Kuvendit të zgjedhë i pari, ndërsa  lista e presidentit do të ketë “de facto” tre emra nga të cilët do të emërojë anëtarin e dytë.

“Duke qenë se Kushtetuta parashikon që Kuvendi duhet të ketë në dispozicion apo administruar tre kandidatura për të bërë përzgjedhjen e vet, Presidenti duhej të vihej në kushtet, që emërimi që ai duhet të bëjë, të mos cenojë hapësirën vlerësuese të Kuvendit, në përzgjedhjen e tij”, do të shpjegonte Meta ditën e djeshme.

Duket se Gjykata Kushtetuese nuk mund të mbushet me të njëjtat ritme si u zbraz. Nuk ishte thjesht përfundimi i mandateve që e la vendin pa Gjykatën Kushtetuese, që siç do të thoshte kryeministri “më mirë djepi bosh se me shejtanin brenda”.

Sokol Berberi, Vladimir Kristo dhanë dorëheqjen, edhe pse mandati u kishte përfunduar në po të njëjtin vit që mori jetë Reforma në Drejtësi, ndërsa Besnik Imeraj do të deklaronte arsye personale për dorëheqjen e tij pa u përballur kështu me vetingun. Më 2018, vetingu shkarkoi Altinë Xhoxhaj, Gani Dizdarin dhe Fatmir Hoxhën dhe më 2019-n do të ishte radha e kreut, Bashkim Dedja.

Firo do të pësonin edhe listat e kandidatëve për Gjykatë Kushtetuese, që nga 42 pretendues përfundoi me vetëm gjashtë, që i janë përgjigjur të katër thirrjeve për vakanca.

Frika e vetingut dhe kriteret profesionale me 15 vite karrierë në sistem e kanë çuar gjendjen në atë pikë, ku KED është i detyruar të plotësojë lista formale, me anëtarë të njëjtë për katër vende vakante duke e parë të udhës se përzgjedhja e të njëjtave emra mund të bëhej vetëm duke ua dërguar listat njëherazi të dy institucioneve, ku Presidenti duhet të zgjidhte deri më 7 nëntor  dhe Kuvendi më 13 nëntor. Nëse pavarësisht vendimit të presidentit, procesi  do të vijojë duke zgjedhur automatikisht kandidaten Arta Vorpsi, a do të depozitojë Meta një padi në gjykatën Kushtetuese duke pretenduar shkelje të Kushtetutës nga KED, siç bëri edhe për çështjen e Teatrit, edhe pse kjo e fundit ende nuk ka marrë formë?! Më shumë sesa përplasja institucionale, manovrat juridike të secilës palë apo interesat politike, Reforma në Drejtësi nuk ka parashikuar kapacitetet profesionale me të cilat do të duhet të mbushet “djepi” i Kushtetueses, ndërsa vetingu po i mban “shejtanët” larg dhe nuk po sheh asnjë “të drejtë” të guximshëm përpos të gjashtë kandidatëve e ku njëri ende pret verdiktin përfundimtar nga KPA e po ashtu Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin e vetingut të shkallës së parë për kandidaten Regleta Panajoti.

Rruga e plotësimit duket e gjatë dhe parashikon të tjera pengesa të të njëjtit lloj, ku me ngutin për ta ngritur Kushtetuesen tre vjet pas nisjes së Reformës në Drejtësi tundimi, tentacioni shkon deri edhe në tejkalimin e vetë Kushtetutës./Gazeta Liberale

Tags: , , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back